Kryeministri britanik, David Cameron ka thënë të mërkurën se ai beson që qeveria siriane do të përdorë prap armë kimike kundër popullit të saj nëse SHBA-të tërhiqen nga realizimi i sulmit ushtarak kundër regjimit të Bashar al Assad.
Gjatë seancës së rregullt me pyetje e përgjigje në parlamentin britanik, një ligjvënëse e ka pyetur Cameron nëse është më mirë që të kërkojë armëpushim në Siri se sa një sulm me bomba.
Cameron është përgjigjur se presidenti amerikan, Barack Obama e ka bërë një paralajmërim të qartë për presidentin sirian, Bashar al Assad për armët kimike dhe ai ka të drejtë që t’i përmbahet atij paralajmërimi.
David Cameron e ka përsëritur që Britania nuk do të marrë pjesë në një intervenim ushtatak kundër Sirisë pasi e humbi mundësinë për këtë kur parlamenti e kundërshtoi intervenimin britanik kundër regjimit të Bashar al Assad.
Kryeministri britanik megjithatë ka thënë se bota ende ka nevojë që ta dënojë përdorimin e armëve kimike nga Assadi.