Site icon PORTALB

Rama: Shëndetësi falas, përmes një revolucioni anti-korrupsion

Edi Rama

Edi Rama

Gjatë bilancit të 300 ditëve të para të punës në Ministrinë e Shëndetësisë, kryeministri Edi Rama, këmbënguli se premtimi i qeverisë për shëndetësinë falas, do të bëhet realitet.

Ai citoi akuzat e opozitës për mos mbajtje të premtimit, por theksoi, se ky zotim do të mbahet përmes një revolucioni që do të ngrihet nga themelet.

“Jemi akuzuar që nuk kemi mbajtur premtimin për t’u dhënë qytetarëve shëndetësinë falas, – u shpreh Rama në analizën e punës 300 ditore të kësaj ministrie. –  Por shëndetësia falas nuk mund të realizohet menjëherë, duhet kohë për revolucion dhe ne do ta arrijmë”.

Pastaj Rama ndaloi te problemet e qytetarëve dhe burokracinë që hasin, duke premtuar masa ndëshkimore për ata mjekë që shkelin ligjin: “Njerëz në nevojë mbeten qëllimisht viktima të barnave të shtrenjta dhe mjekëve që i orientojnë ata. Në ditët në vijim, Ministria e Shëndetësisë do të publikojë emra konkretë të atyre që kanë bërë shkelje. Ose do hiqet dorë nga kjo praktikë, ose këta mjekë do largohen nga shërbimi spitalor. Kjo masë është më minimalja. Duhet të hiqet dorë nga patologjia e korrupsionit në vendin tonë. Viti i dytë i mandatit tonë, do të karakterizohet nga një luftë e panjohur kundër korrupsionit si asnjëherë më parë”.

Kryeministri i siguroi të gjithë se lufta kundër korrupsionit do të godasë çdo njeri në këtë sektor problematik prej dekadash.

“Fushata anti-korrupsion që nis në vjeshtë, do të jetë një luftë ndaj korrupsionit në spitale dhe në çdo derë që njerëzit kanë nevojë për shërbim. Goditja nuk do të kursejë asnjë, ajo do të shkojë nga drejtorët e spitaleve, deri te hallka e fundit e zinxhirit. Do të anketohen pacientët që marrin shërbime në qendra shëndetësore apo në spitale për të pasur një shërbim sa më cilësor që ndikon në jetën e njeriut”./ Gazeta-Shqip

Exit mobile version