Policia turke ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit, të cilët kanë tentuar të hyjnë sot në parkun e rrethuar nga policia në Stamboll, transmeton agjencia RT.
Sot protestuan mijëra vetë në parkun “Gezi”, pranë sheshit “Taksim” të qytetit, i cili ka qenë në fokus të trazirave muajin e kaluar.
Protestat ishin kundër planit që do ta rikthente parkun në një qendër tregtare, dhe kjo ishte arsyeja që Turqia u përfshi nga protesta mbarëkombëtare kundër kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan.
Më 15 qershor policia largoi protestuesit, të cilët kishin zënë parkun, pasi një vendim i fundit nga gjykata anuloi planin rizhvillimit.
Gjykata Administrative tha se plani i qeverisë për të zëvendësuar parkun “Gezi” me një ndërtesë e cila do të kishte modelin e një kazerme ushtarake të kohës osmane do t’i shërbente publikut.
Nuk është ende e qartë nëse qeveria do të apelojë kundër vendimit të gjykatës.
Aktivistët kanë bërë thirrje për një marshim të shtunën për të hyrë në park, i cili është i mbyllur dhe i rrethuar nga policia.
Pesë persona kanë vdekur dhe mijëra të tjerë janë plagosur në valën e muajit të kaluar të protestave në Turqi, trazira me përmasa kaq të mëdha vendi nuk i kishte parë në 10 vitet e sundimit të Erdogan.