Site icon PORTALB

Nuland tregoi qartë diskriminimin ekonomik të rajoneve shqiptare

Victoria Nuland

Victoria Nuland

Thirrjet dhe gatishmëria e ndihmës sekretares amerikane të shtetit Viktoria Nuland për investime në zonat shqiptare, shfaqën atë që tashmë të gjithë e dinë, se planet ekonomike të shtetit nuk mbulojnë njësoj edhe zonat shqiptare. Kështu shprehen ekonomistët Arben Halili dhe Bilall Kasami. Ata thonë se apele të tilla për barazi ekonomike ka pasur qëmoti, edhe pse nuk kanë qenë kaq të drejtpërdrejta si këto të fundit nga Nuland.

“Nuk i shoh si të vonuara thirrjet e Nulandit sepse në fakt nuk është personi adekuat që duhet t’i bëjë këto thirrje. Megjithatë po e shoh si shumë shqetësuese atë çfarë po e shohin tashmë ambasadat e huaja, e qeveria jonë nuk e sheh edhe sot e kësaj dite. Kjo do të thotë që meqenëse jepen sinjalet e para për zhvillimin jo të barabartë të rajoneve që ka Maqedonia, edhe përkundër faktit që vetë qeveria e Maqedonisë është ndër shtetet e rralla që ka miratuar ligjin për zhvillim të barabartë rajonal, dhe është ndër shtete e vetme që nuk e respekton këtë ligj”, tha Arben Halili, drejtor i OEMVP-së.

“Mendoj se kjo paraqet edhe realitetin këtu tek ne, se përderisa nuk jemi në gjendje t’i kuptojmë apo nuk duam t’i kuptojmë mesazhet që vinë mes rreshtave, ata janë të detyruar që në mënyrë të drejtpërdrejtë të intervenojnë dhe të deklarojnë se fati i Maqedonisë apo ardhmëria e Maqedonisë varet nga një zhvillimin i drejtë dhe i barabartë i saj”, deklaroi Bilall Kasami, profesor.

Ekonomistët janë skeptik gjithsesi, se pas këtyre paralajmërimeve, zonat shqiptare do të shohin ndryshime. Sipas tyre, edhe më herët pushtetarët janë zotuar për barazi ekonomike, por një gjë e tillë asnjëherë nuk ka ndodhur.

“Në qoftë se Qeveria e Maqedonisë nuk është e interesuar për të bashkëpunuar me kompanitë amerikane, është Oda Ekonomike dhe anëtarët e saj të cilët janë të gatshëm për të bashkëpunuar me këto kompani. Kjo nuk është edhe rastësi sepse ne kemi pasur takime të shpeshta edhe me përfaqësues të ambasadës dhe vetë ambasadorin e Shteteve të Bashkuara Amerikës, ku kemi kërkuar që t’i vihet theksi zhvillimit të pjesës perëndimore të Maqedonisë”, u shpreh Arben Halili, drejtor i OEMVP-së.

“Unë për këto 20 vitet e fundit, jam i bindur se thirrjet e tilla verbale do të ngelin në vesh të shurdhër këtu në Maqedoni dhe nuk do të ketë ndonjë hap konkret nga ana e zyrtarëve më të lartë qeveritar. Fatkeqësisht do ta marrin si një intervenim nga jashtë të cilin nuk do ta kishin dëshiruar, por mendoj se para së gjithash kjo thirrje është në interes të Maqedonisë”, deklaroi Bilall Kasami, profesor.

Halili dhe Kasami shprehin shqetësim për ardhmërinë e ekonomisë së Maqedonisë nëse nuk respektohet ligji për zhvillim të barabartë rajonal. Ata thonë se vendi rrezikon edhe trazira sociale, kur kriza në Maqedoni të thellohet edhe më tej.

Exit mobile version