Site icon PORTALB

Shkup, protestë e qetë kundër rasteve të montuara politike (FOTO+VIDEO)

Shqiptarët e Shkupit sot protestuan denjësisht kundër rasteve të montuara politike dhe gjyqësore ndaj shqiptarëve të Maqedonisë. Shkak i protestës gjithashtu është dënimi i fundit me burg të përjetshëm i 6 të akuzuarve në rastin “Monstra” për të cilët protestuesit mendojnë se janë pafajësisht të dënuar. Nuk kishte asnjë eskalim , më poshtë lexoni kronologjinë e protestave:

15:15 Protesta e sotme ne Shkup ka përfunduar me largimin e protestuesve nga qendra “Mavrovasja” si dhe largimin e kordonin policor dhe mjeteve të blinduara policore të cilët nuk lejuan lëvizjen e protestuesve para Gjykatës së Shkupit.

Rruga kryesore, ku deri pak çastesh qëndronin një grup të rinjsh dhe policia tani më është liruar dhe komunikacioni zhvillohet normalisht.

Kjo protestë ishte e qetë  pa dhunë dhe protestuesit largohen me përshtypjen e një proteste suksesshme.

15:00 Në apel shtrohen edhe kërkesat e protestuesve ku thuhet: “Duke konsideruar se bijtë tanë janë krejt të pafajshëm dhe se procesi është krejtësisht i montuar, duke gjykuar njërës që nuk kanë kurrfarë lidhje me vrasjen e pesëfishtë para dy viteve, kërkojmë:”
1.Shpalljen e tyre të pafajshëm, lirimin e menjëhershëm dhe dëmshpërblimin e tyre.
2.Shkarkimin e prokurores dhe gjykatësit të rastit “Monstra” dhe ndjekjen e tyre penale për keq përdorimin të detyrës zyrtare.
3.Dorëheqjen e ministres së Punëve të Brendshme , për shkak të shkeljes së detyrës zyrtare.
4.Lirimin e menjëhershëm të të gjithë të arrestuarve në Shkup dhe Tetovë.
Ky apel u drejtohet edhe partive shqiptare që në këto momente të jenë me popullin e tyre, e jo me ata që diskriminojnë popullin shqiptarë në Maqedoni.

“Na kanë diskriminuar, na kanë bërë padrejtësi. Ata na kanë nxitur të protestojmë në këtë mënyrë. Prandaj po protestojmë bashkë me bashkëqytetarët, dhe jemi mirënjohës që po na japin gajret. Ne do të vazhdojmë të protestojmë për të drejtat tona, sepse nuk na ngel gjë pos rrugës”, u shpreh Bedri Ajdari, familjar.

14:40 Pa dhunë dhe pa  thirrje nacionaliste, por në pritje të qetë për të shprehur revoltën e tyre para gjykatës,  një pjesë e protestuesve ka filluar të kthehet, nga vendi ku ishin të bllokuar nga kordoni policor, por një pjesë tjetër e protestuesve ende qëndron aty. Policia nuk lejoi lëvizjen e tyre drejtë Gjykatës së Shkupit.

14:20 Në qiellin e Shkupit dëgjohet dhe shihet një aeroplan, me gjasa i Armatës së Maqedonisë që vëzhgon protestuesit.

14:14 Kordoni policor, ka ndaluar qytetarët tek qendra tregtare, “Mavrovka” dhe nuk lejon lëvizjen e tyre më tutje.

Qytetarët duan që protestojnë pranë Gjykatës së Shkupit, por për momentin e kanë të pamundur këtë, për shkak të përqendrimit të forcave të mëdha policore që nuk lejojnë lëvizjen e tyre me tutje.

14:00 Protesta bëhet më masovike te “Bit Pazari, ku janë bashkangjitur edhe shumë qytetarë të tjerë, krahas thirrjeve për drejtësi dhe ndalim te rasteve të montuara po dëgjohen edhe brohoritjet, “Ali tradhtari”.

13:38  Qindra protestues të tubuar para xhamisë “Jahja Pasha, në Shkup,  janë nisur rrugës për te gjykata. Anësh rrugëve, sipas gazetarit të Portalb, presin edhe qytetarë të tjerë që duan ti bashkëngjiten protestës.

Nisja nga Xhamia “Jahja Pasha”, u shoqërua me thirrjet “UÇK”, “Duam Liri”, ndërsa në duar mbanin pankarta me mbishkrime, “Stop rasteve të montuara politike”, “Radishani”, “Sopoti”, “Monstra”, “Brodeci”.

 

Exit mobile version