Site icon PORTALB

Hajredin Kuçi për Kryetar të Kuvendit të Kosovës!

Hajredin Kuçi

Hajredin Kuçi

Njëri ndër njerëzit më të afërm dhe më të besueshëm të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçit, Hajredin Kuçi është i emri i PDK-së për postin e kryeparlamentarit. Ndonëse ende ka paqartësi për atë se kush do ta marrë postin e kryeparlamentarit, PDK apo koalicioni LDK- AAK- Nisma që e ka shumicën në Kuvend, burime nga PDK-ja kanë thënë se partia e Hashim Thaçit, tashmë është përcaktuar për emrin e saj për kryeparlamentar.

“Hajredin Kuçi është emri i partisë për postin e kryetarit të Kuvendit. Ne jemi të bindur se posti i kryeparlamentarit na takon neve”, ka thënë ky burim i Gazetës Blic.
Edhe Hajredin Kuçi para disa ditësh kishte thënë se PDK-së si partia fituese e zgjedhjeve i takon posti i kryeparlamentarit. Madje, ai kishte thënë për Gazetën Blic se pikërisht posti i të parit të Kuvendit do të jetë ai ku do të thuhen shtizat ndërmjet PDK-së e koalicionit LDK- AAK- Nisma. Megjithatë, ai nuk ka deklaruar se ka ambicie për këtë post.

Ndërkohë, në anën tjetër partitë që e kanë formuar koalicionin, LDK- AAK- Nisma poashtu janë të bindura se atyre do t’u takoj posti i kryeparlamentarit. Këto parti thirren në argumentin se posti i kryeparlamentarit i takon grupit më të madh parlamentar, që në këtë rast është koalicioni LDK- AAK- Nisma me 47 deputetë.
Ndërkohë, zyrtarë nga Brukseli kanë thënë se kush i ka numrat e bënë qeverinë në Kosovë. Pra, sipas tyre në rast se dështon Thaçi ta formoj qeverinë, si mandatari i parë që i ka 15 ditë kohë, atëherë qeverinë do ta bëjë kushdo që e ka shumicën në Kuvend, që në këtë rast i bie koalicioni LDK- AAK- Nisma.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit, PDK kishte dalë partia e parë me 30 për qind, e pasuar nga LDK me 25 për qind, VV 13 për qind, AAK 9 për qind dhe Nisma për Kosovën me 5 për qind.
Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, LDK- AAK- Nisma lidhën një marrëveshje për bashkëqeverisje, që mori mbështetjen edhe të Lëvizjes Vetëvendosje, duke e lënë kështu PDK-në pa asnjë partner shqiptar për bashkëqeverisje.

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga e kishte dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese cështjen e mandatarit për formimin e qeverisë së Kosovës. Gjykata Kushtetuese kishte dalë me vendim se partisë së parë i takon së pari ta bëjë qeverinë, e në rast se këtë nuk arrin ta bëjë, atëherë presidentja e nominon një kandidat tjetër, i cili i ka 10 ditë kohë ta formoj qeverinë.

Exit mobile version