Forcat e policisë së Qarkut Shkodër kanë identifikuar dhe asgjesuar ditën e sotme, katër parcela të mbjella me bimë narkotike, gjatë kontrolleve të ushtruara në Pukë e Malësi të Madhe.
Në vendin e quajtur “Pylli i Lagjes Palucaj”, Fshati Qafë Mali, Komuna Qafë Mali, Pukë u asgjësuan 2 parcela, në të cilat ishin kultivuar 265 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa.
Ndërsa, në vendin e quajtur “Lagjen Shellinë” , Fshati Karmë, Komuna Luf Qerret, Pukë janë gjetur dhe asgjesuar 2 parcela, në të cilat ishin kultivuar 1370 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa.
Një tjetër vatër e konstatuar me mbjelljen e bimëve narkotike ishte edhe “Kokpapaj”, në fshati Shkrel, Komuna Shkrel e Malësisë së Madhe, ku u gjet dhe u asgjesua një parcelë, në të cilën ishin kultivuar 60 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa.
Policia po punon për identifikimin e personave që e kanë mbjellë këtë lëndë narkotike, pasi parcelat ku ishte kultivuar lënda narkotike janë pa pronar të ligjshëm. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit për procedim të mëtejshëm penal.