Site icon PORTALB

Në ankth pritet vendimi për rastin Monstra

Rasti "Monstra"

Gjatë seancës, të akuzuarit e rastit Monstra

Familjarët e të akuzuarve për rastin Monstra shprehen se janë në ankth duke pritur vendimin e gjykatës, që sipas tyre do të duhet të ishte lirimi.

Baki Ajdari i cili e ka vëlla të akuzuarin Fejzi Aziri dhe nipa të akuzuarit Alil Demiri dhe Haki Aziri bën të ditur për Portalb, se vendimi i gjykatës duhet të jetë lirimi i të akuzuarve.

“Të akuzuarit duhet të lirohen, ata nuk kanë asnjë pikë faji. Gjykata nuk ka dëshmi dhe duhet t’i lirojë dhe mos t’i mbajë më në burg të pafajshmit port ë kërkon vrasësit e vërtetë. Ne nuk jemi vrasës, neve prona na bëri terroristë dhe këtë tani më e kanë kuptuar të gjithë”, tha Ajdari.

Ai shtoi se as vetë gjykatësi nuk e di vendimin, sepse gjykatat dirigjohen nga tjetërkush.

“Nëse gjykimi do të ishte i drejtë, familjarët e mi do të liroheshin sepse nuk ka asnjë provë asnjë dëshmi në të cilën ata paraqiten si vrasës apo terrorist. Mirëpo fatkeqësisht te ne gjykatat dirigjohen dhe mund të ndodh edhe që t’i shpallin fajtorë”, tha Ajdari.

Sipas tij, nëse një gjë e tillë do të ndodh, ata do të ankohen dhe do të marrin gjitha masat e lejuara me ligj në një shtet demokratik për të kërkuar drejtësi për familjarët e tij.

“Nëse ndodh që akuzohen dhe shpallen fajtorë, ne nuk do të rimë duarkryq, por do të shkojmë deri në fund. Do i ndërmarrim gjitha masat të cilat i lejohen qytetarëve dhe banorëve të shprehin pakënaqësinë e tyre” shtoi Ajdari.

Avokati mbrojtës Naser Raufi tha se dëshmi për fajësinë e të dyshuarve nuk ka, mirëpo tregohet i përmbajtur rreth vendimit të gjykatësit.

“Dëshmi që të dyshuarit kanë kryer veprën nuk ka fare, mirëpo nuk e di se si do të jepet vendimi. Edhe nëse ai është kundër dhe shpallen të fajtorë, ne nuk do të dorëzohemi dhe do bëjmë ankesa në gjykatën supreme si dhe në gjykatën e apelit, pasi që ashtu është e rregulluar me ligj”, tha për Portalb, Raufi.

Kohë më parë qytetarët organizuan protesta në Shkup, me ç’rast shprehen pakënaqësi dhe revolt kundër rasteve të montuara.

Ndërkaq të akuzuarit në rastin “Monstra”, vendimin final do ta dëgjojnë më 30 qershor në ora 11.

Exit mobile version