Nga qendra për punë sociale në Kërçovë na informojnë që 831 familje shfrytëzojnë ndihma sociale në këtë qytet. Përveç ndihmave sociale që jepen për familje qytetarët e Kërçovës shfrytëzojnë edhe tre lloje tjera të ndihmave ku të ashtuquajturën ndihmë nga personi i tretë e shfrytëzojnë 649 shfrytëzues. Personat jo të aftë për punë dhe që s’kanë pasuri tjetër, shfrytëzojnë ndihmë të përhershme dhe kjo arrin numrin 79 shfrytëzues.
“Numri i personave që shfrytëzojnë ndihma sociale të të gjitha kategorive në Kërçovë çdo vit bie, dhe kjo është një gjë e mirë sepse tregon që çdo ditë e më pak familje kanë nevojë për ndihmë sociale. Kur para katër viteve jam punësuar këtu, numri i familjeve që shfrytëzonin ndihma sociale ishte rreth 1200” – thotë Dashmir Limani, drejtor i Qendrës për punë sociale në Kërçovë.
Një ndihmë shtesë për familjet që shfrytëzojnë ndihma sociale është edhe ndihma për nxënësit e shkollave të mesme që aktualisht arrin shifrën 145. Por ky numër çdo muaj ndryshon sepse varet nga mungesat që merr nxënësi në shkollë.
Numri i aplikimeve që arrin në Qendrën për ndihmë sociale në Kërçovë sillet rreth 10, 15 aplikime në muaj. /Portalb