Musa Xhaferri është i vetmi politikan në historinë e Maqedonisë pluraliste që brenda një periudhe 12-vjeçare për 10 vite ka qenë ministër. Ndërkohë që mandati i tij në qeveri vazhdon, ky lloj rekordi bëhet gjithnjë e më i paarritshëm.
Ndonëse në politikë luan “solo”, Musa Xhaferi që nga themelimi i BDI-së është figurë kyçe e saj.
Në optikën e qytetarit të thjeshtë Musa Xhaferri, është një personalitet politik i heshtur që pak i ezauron çështjet me rëndësi për opinionin publik dhe një personalitet që mbart përgjegjësi për dështime, për dikë një personalitet që reflekton.
Disa qytetarë mendojnë se dikasteri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit po e zgjat veprimtarinë e saj.
Arben Osmani, thotë se zëvendëskryeministri Musa Xhaferri është figura kuçe në BDI i cili nuk mund të amnistohet nga përgjegjësit që MO është shndërruar në një dokument, jo veç tani më të parealizueshëm në tërsinë e tij, por edhe një dokument shumë i paqartë.
Një tjetër qytetar, Lulzim Ramadani, ndan përshtypjen se Musa Xhaferri si personalitet politik, është treguar më i fuqishëm në bërjen e politikës së përgjithshme të BDI se sa në postet ministrore që ka udhëhequr.
Prototip i politikës shqiptare
Për analistin Xhelal Neziri, Musa Xhaferri është prototip i politikës shqiptare ngase funksionon pa fraksion, grup apo degë partiake.
“Në fakt, Ahmeti dhe Xhaferri janë binomi i BDI-së që drejtojnë partinë në dy fusha: i pari në luan politikën “gju më gju me popullin” ndërsa i dyti “kryeministrin e çeliktë” të shqiptarëve të Maqedonisë. Xhaferri ka zgjedhur të jetë figura negative e kreut të BDI-së, andaj gjatë kohë është urryer brenda partisë. Tani, kur në zgjedhjet e fundit fitoi maksimumin e votave në njësinë zgjedhore numër 5 dhe la opozitën pa asnjë deputet, Xhaferri ka edhe bazë të fortë partiake. Kam përshtypjen se viteve të fundit ai punon në përmirësimin e imazhit negativ që gëzon brenda partisë dhe jep shenja se bëhet gati që në një të ardhme jo të largët të drejtojë BDI-në”, thotë Xhelal Neziri për Portalb.
Marrëveshja e Ohrit paraqet ende një sfidë për marrëdhëniet e brishta ndëretnike në Maqedoni. Periudha e ardhshme do të vë para një sprove edhe BDI-në, për implementimin e plotë të kësaj marrëveshje.
Zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, tregon për Portalb se ka edhe shumë rrugë për të implementuar këtë marrëveshje me gjithë parametrat e saj.
Ai thotë se gjatë këtij mandati ministror, do të avancojë edhe përmbajtjen edhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
Marrëveshja e Ohrit as në çerekun e formësimit të plotë
Nga axhenda që do të ketë përpara zëvendëskryeministri Xhaferri që trashëgon po të njëjtin resor, mund të kuptohet se Marrëveshja e Ohrit nuk ka arritur të trasojë as çerekun e rrugës së saj.
Ja prioritetet që Musa Xhaferri tregon për Portalb:
– Do të vazhdohet me përfaqësimin adekuat të shqiptarëve në sistemin gjyqësorë.
– Forcimi i kapaciteteve financiare të komunave
– Ligji për decentralizimin e komunave
– Implementimi i zhvillimit rajonal, shpërndarja adekuate e mjeteve financiare për regjionet.
– Rritja e besueshmërish së shqiptarëve në institucionet e shtetit, nëpërmjet përfaqësimit adekuat në këto institucione
Për zëvendëskryeministrin Xhaferri, relaksimi i marrëdhënieve ndëretnike mbetet një çështje e komplikuar. /Portalb