Filmi i metrazhit të shkurtër “The good life, over there” (Jeta e mirë atje) i regjisorit shqiptar nga Maqedonia është shpallur më i miri në mesin e 77 filmave ndërkombëtarë.
Izer Aliu ka triumfuar sërish në Festivalin e Filmit të Shkurtër në Norvegji që u mbajt prej 12 deri më 17 qershor në Grimstad.
Regjisori shqiptar me prejardhje nga Maqedonia ka fituar çmimin kryesor “Karrigeja e artë” në kategorinë e filmave të metrazhit të shkurtër si dhe çmimin “Ora e qelqit” për skenarin më të mirë.
Ky është viti i dytë me radhë që regjisori Aliu fiton këtë çmim pas edicionit të vitit të kaluar.
Në edicionin e sivjetmë të 37-in më radhë të festivalit, kanë marr pjesë 54 filma norvegjeze të shkurtër, 23 filma të shkurtër ndërkombëtarë, 11 dokumentarë dhe 20 video muzikore.
32 vjeçari ka ngadhënjyer me filmin e tij “The good life, over there” (Jeta e mirë atje), i cili bën fjalë për një punëtor që punon ilegalisht në fushën e ndërtimtarisë në Osllo.Ky film është i financuar nga fondet norvegjeze.
Izer Aliu, jeton dhe vepron prej vitesh në Norvegji. Ai ka diplomuar në Shkollën e Filmit norvegjez në Lilehamer, institucion në të cilin pranohen vetëm nga 6 persona për çdo dy vjet. Vitin e kaluar Ali është zgjedhur në mesin e 10 regjisorëve më të mirë në shtetet e Skandinavisë nga katër revistat më të mëdha për film të Danimarkës, Norvegjisë, Suedisë dhe Finlandës.
Këtë sukses regjisori shqiptar e ka arritur me filmin e tij të shkurtër “Ta mbrojmë malin” (To guard a mountain), me të cilin ka fituar 11 çmime, përfshirë edhe çmimin e parë në Norvegji në kategorinë e filmave më të mirë të shkurtër për vitin 2013.
Më herët gjatë një interviste për KultPlus, regjisori Aliu ka bërë të ditur se është duke punuar edhe në një projekt tjetër filmik të metrazhit të gjatë të titulluar “Hunting Flies”. /KultPlus.com