Site icon PORTALB

SHBA: Mbi 20.000 luftëtarë rusë të vrarë në Bahmut

Pamje nga ushtarët ukrainas në front lufte, foto nga Anadolu Agency

Pamje nga ushtarët ukrainas në front lufte, foto nga Anadolu Agency

Shtëpia e Bardhë beson se më shumë se 20.000 luftëtarë rusë janë vrarë në betejën për qytetin ukrainas të Bahmutit, në pesë muajt e fundit, transmeton REL.

Rreth 80.000 të tjerë janë plagosur, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, duke u thirrur në informacione të deklasifikuara të inteligjencës.

Gjysma e të vrarëve janë nga grupi privat mercenar, Wagner, tha ai.

Nëse është i saktë, numri i viktimave ruse tejkalon popullsinë e qytetit të Bahmutit përpara luftës, që përbëhej prej rreth 70.000 banorësh.

Moska po përpiqet ta marrë kontrollin e Bahmutit që nga viti i kaluar.

Beteja për qytetin e vogël – ku kanë mbetur vetëm disa mijëra civilë – ka marrë një rëndësi të madhe simbolike për të dyja palët.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë, po ashtu, se janë duke e shfrytëzuar betejën për të vrarë sa më shumë trupa ruse dhe për t’i zvogëluar rezervat e tyre.

Megjithatë, Ukraina kontrollon tani vetëm një pjesë të vogël të këtij qyteti.

“Përpjekja e Rusisë për një ofensivë në Donbas, kryesisht përmes Bahmutit, ka dështuar. Rusia nuk ka arritur të kapë ndonjë territor me rëndësi të vërtetë strategjike”, u tha Kirby gazetarëve.

“Ne vlerësojmë se Rusia ka pësuar më shumë se 100.000 viktima, duke përfshirë mbi 20.000 të vrarë”, theksoi ai.

REL-i nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto shifra, ndërsa Moska nuk ka komentuar.

Exit mobile version