Site icon PORTALB

PE paralajmëroi për ndërhyrjen ruse për krijim tensionesh në Ballkanin Perëndimor

Parlamenti Evropian

Parlamenti Evropian, në një raport kushtuar ndërhyrjes së huaj në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor, e ka dënuar mundësinë që Serbia i ka dhënë kanalit rus, Russia Today, për të përhapur fushatën e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor, transmeton REL.

Ky kanal shtetëror i Rusisë është nën sanksionet e Bashkimit Evropian (BE) për shkak se akuzohet se shërben për përhapjen e propagandës së Rusisë, ndërsa në Serbi ka hapur një zyrë dhe një kanal në gjuhën serbe.

Në këtë raport të përpiluar nga një komitet i veçantë i Parlamentit Evropian (PE) për ndërhyrje të jashtme, e që është miratuar të mërkurën në Komisionin e Politikës së Jashtme, nënvizohet nevoja që BE-ja në mënyrë aktive t’i kundërvihet propagandës së aktorëve që kanë qëllime të këqija në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe që kanë për qëllim dëmtimin e interesave dhe të vlerave të BE-së.

Rajoni i Ballkanit Perëndimor në këtë raport vlerësohet si hapësirë në të cilën përballen interesat e ndryshme strategjike dhe se disa vende të rajonit, në veçanti Serbia dhe hapësirat e dominuara nga serbët janë të ndjeshme ndaj tentimeve për destabilizim.

Raporti përmend përdorimin e investimeve strategjike dhe fushatat e dezinformimit për të dëmtuar edhe reputacionin e BE-së dhe për të penguar proceset demokratike.

Si shembull përmendet edhe fushata që ka për qëllim zvogëlimin e orientimit euroatlantik të qytetarëve të vendeve të rajonit.

Rusia, sipas këtij raporti, përdor ndikimin e saj në Serbi duke tentuar që të destabilizojë vendet fqinje, për shembull: “Në Bosnje e Hercegovinë përmes Republika Sërspkas; në Mal të Zi përmes ndjenjave pro-serbe si dhe Kishës ortodokse serbe; në Kosovë duke përdorur mospajtimet ekzistuese në veri”.

Qëllimi i ndërhyrjes ruse, sipas raportit, është duhet parë si pjesë përbërëse e një strategjie të promovimit të autoritarizmit në tërë Evropën.

Raporti përmend se si qëndrimet pro-ruse përhapen në rajon përmes mediave serbe dhe hungareze. Sa i përket Serbisë shprehet shqetësim sidomos për faktin se “Serbia është vendi më i përshtatshëm për ndikimin e huaj në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht nga Rusia dhe Kina”.

Në të njëjtën kohë theksohet edhe fakti se Serbia vazhdon të mos i mbështesë sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.

Në këtë pikë edhe në raportin e Parlamentit Evropian për Serbinë shprehet keqardhje për mospërshtatjen e Beogradit zyrtar me këto sanksione. Në mënyrë të veçantë përmendet hapja e kanalit Russia Today në Beograd.

“Me këtë i mundësohet këtij aktori qëllimkeq që të përhapë dezinformata në tërë rajonin e Ballkanit”, thuhet në raport dhe kërkohet nga autoritetet në Serbi që të ndërpresin emetimin e këtij kanali, si dhe të shërbimit Sputnik.

Exit mobile version