Presidenti Pendarovski theksoi nevojën për krijimin e ambientit më të mirë për inovacione
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në hapjen e konferencës shkencore dhe teknologjike “Industritë tradicionale dhe sektorët kreativë të parandaluar nga kriza ekonomike”, theksoi nevojën për krijimin e një mjedisi më të mirë për inovacione, raporton Anadolu.
Konferenca organizohet nga Kabineti i Presidentit të Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me “Maqedonia 2025”.
Në fjalën e tij, presidenti Pendarovski theksoi se transformimi digjital ofron zgjidhje dhe siguron zhvillim edhe në kohë të pasigurisë.
Ai tha se sipërmarrja e lidhur me inovacionin digjital është ndër shtytësit kryesorë të zhvillimit ekonomik dhe bëri thirrje për krijimin e një mjedisi më të mirë për inovacione. Ai theksoi se kjo është një interes jetik kombëtar, duke u bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë që të ndërtojnë një konsensus për këtë çështje.
“Është koha për t’i dhënë një përgjigje pyetjes nëse do të zhvillohemi, apo do të vazhdojmë të jetojmë sipas inercisë, në ngecje. Askush në botë nuk e ka luksin të presë kohë më të mira, më së paku ne. Po ashtu, askush nga jashtë nuk do t’i krijojë ato kohërat më të mira, vetëm ne jemi përgjegjës për fatin dhe të ardhmen tonë”, tha Pendarovski.
Përveç presidentit Pendarovski, fjalë përshëndetëse mbajtën edhe zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, dhe Majk Zafirovski, bashkëthemelues dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të “Maqedonia 2025”.
Duke folur për rëndësinë e inteligjencës artificiale, zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se çdo aktivitet ekonomik tashmë integron inteligjencën artificiale në proceset e tij.
Ai tha se përmes planit për rritje ekonomike janë futur masa specifike ekonomike që kanë për qëllim nxitjen dhe mbështetjen e zhvillimit inovativ të ekonomisë.
Bytyqi tha se Fondi i Inovacionit dhe Zhvillimit Teknologjik është institucioni qendror për mbështetjen e aktivitetit inovativ, duke shtuar: “Përmes instrumenteve financiare të këtij institucioni janë bashkëfinancuar 1.080 projekte me vlerë totale investimi rreth 112 milionë euro, nga të cilat mbi 50 për qind janë kompani start-up”.
Bytyqi gjithashtu tha se interesi po rritet nga viti në vit, e me këtë edhe shuma e mjeteve qeveritare që ndahen për hulumtim dhe zhvillim, që sipas tij, tregon një rritje të vetëdijes dhe nevojës për të ndërtuar qasje të reja inovative në prodhim.
Në kuadër të konferencës do të mbahen dy panele në të cilat do të marrin pjesë ekspertë dhe profesorë universitarë vendas dhe ndërkombëtarë.