Në vitin 2021, 619 mijë njerëz në gjithë botën vdiqën nga malaria

Njoftohet se 619 mijë njerëz humbën jetën për shkak të malaries në vitin 2021 në mbarë botën, ndërsa sëmundja preku 247 milionë njerëz, transmeton Anadolu.

Anadolu përpiloi të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për “25 Prillin, Ditën Botërore të Malaries”.

Malaria transmetohet te njerëzit nga pickimi i mushkonjave femra “Anopheles” që bartin parazitin. Sëmundja, simptomat e së cilës zakonisht shihen brenda 1 muaji, mund të transmetohet edhe nga nëna tek foshnja nëpërmjet gjakut, përdorimit të përbashkët të injektorëve ose gjilpërave ose gjatë lindjes nga nëna tek foshnja.

Ndërsa simptomat e para të malaries, në shumë vende të botës, janë të ngjashme, ajo fillon me dhimbje koke, dobësi, dhimbje barku, lodhje, dhimbje muskujsh dhe kyçesh.

Tema e këtij viti për Ditën Botërore të Malaries u përcaktua si “Koha për të zhdukur malarien: Investim, inovacion, zbatim”.

Sipas “Raportit Botëror të Malaries 2022” të publikuar nga OBSH-ja në dhjetor të vitit të kaluar, në botë në vitin 2021 u zbuluan 247 milionë raste malarie dhe 619 mijë njerëz vdiqën nga sëmundja.

Në vitin 2021, kur pothuajse gjysma e popullsisë së botës ishte në rrezik nga malaria, 95 për qind e rasteve (234 milionë) dhe 96 për qind e vdekjeve (593 mijë) janë regjistruar në Afrikë.

Fëmijët nën moshën 5 vjeç, grupi më i prekur nga malaria, përbënin rreth 80 për qind të të gjitha vdekjeve nga malaria në Afrikë gjatë periudhës në fjalë.

Rreth 2 për qind e rasteve të malaries në mbarë botën u zbuluan në Azinë Juglindore, 0,2 për qind në Amerikë, 2,5 për qind në Mesdheun Lindor dhe 0,6 për qind në vendet e Paqësorit Perëndimor.

Gjysma e rasteve janë nga 4 vende

Nigeria (27 për qind), Republika Demokratike e Kongos (12 për qind), Uganda (5 për qind) dhe Mozambiku (4 për qind) janë vendet ku pothuajse gjysma e rasteve totale të malaries u regjistruan në vitin 2021, ndërkaq, Nigeria (31 për qind), Republika Demokratike e Kongo (13 për qind), Nigeri (4 për qind) dhe Tanzania (4 për qind) janë 4 vendet ku janë regjistruar më shumë se gjysma e vdekjeve nga malaria.

Numri i vendeve që raportojnë raste të malaries në mbarë botën është në rënie. Ndërsa numri i vendeve me sëmundjen u regjistrua si 108 në vitin 2020, ai u ul në 84 në 2021.

Ndërkohë, numri i vendeve me më pak se 10 raste u rrit nga 4 në 2020 në 25 në 2021.

OBSH-ja ka dhënë një “certifikatë eliminimi” në vitin 2021 për El-Salvadorin dhe Kinën, të cilat kanë reduktuar rastet e malaries në zero.

Trajtimi dhe parandalimi i malaries

Mënyra më efektive për të parandaluar zhvillimin e një rasti të lehtë të malaries në sëmundje të rëndë dhe shkaktimin e vdekjes është diagnostikimi i shpejtë dhe përdorimi i ilaçeve për malarien (antimalariake) për trajtim.

Është gjithashtu shumë e rëndësishme që pacientët me malarie të marrin trajtimin e rekomanduar në institucionet shëndetësore.

OBSH-ja rekomandon vaksinën e malaries “RTS,S/AS01”, e cila u miratua në tetor 2021.

Rrjetat për mbrojtje nga mushkonjat preferohen si një nga metodat më të lira dhe më efektive të mbrojtjes personale për parandalimin e malaries, veçanërisht në Afrikë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button