Revista gjermane hoqi nga puna redaktoren për “intervistën” e Inteligjencës Artificiale me Schumacherin

Botuesit e revistës gjermane “Die Aktuelle”, që zhvilloi një “intervistë” me Michael Schumacherin, të krijuar nga inteligjenca artificiale, e kanë përjashtuar nga puna redaktoren dhe i kanë kërkuar falje familjes së të madhit të Formula 1, transmeton Koha.net.

Kampioni botëror i 7-fishtë, Schumacher, 54-vjeç, nuk është parë në publik që kur pësoi dëmtimin e rëndë në tru në një aksident me ski gjatë pushimit familjar në Alpet Franceze në dhjetor të vitit 2013, raportoi të dielën Reuters.

Familja e tij ka thënë këtë javë se po planifikojnë veprime ligjore kundër revistës javore në pronësi të grupit mediatik “Funke” me qendër në Essen.

“Funke” kërkoi falje në një deklaratë në faqen e tyre të internetit.

“Ky artikull pa shije dhe mashtrues në asnjë mënyrë nuk përmbush standardet e gazetarisë që ne – dhe lexuesit tanë – presim nga një botues si ‘Funke’,” tha drejtoresha menaxhuese e revistave “Funke”, Bianca Pohlmann.

“Si rezultat i publikimit të këtij shkrimi do të nxirren pasoja të menjëhershme personeli. Kryeredaktori i Die Aktuelle, Anne Hoffmann, e cila mban përgjegjësinë gazetareske për gazetën që nga viti 2009, do të lirohet nga detyra që nga sot”, ka thënë më tej ajo.

Familja e Schumacherit ruan privatësi të rreptë për gjendjen e ish-shoferit, me qasje të kufizuar për ata që janë më afër tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button