Site icon PORTALB

Këto janë masat që pritet t’i zbatojë Qeveria e RMV-së me 80 milionë euro fonde të BE-së

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Maqedonia e Veriut më 9 mars mori 80 milionë euro mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, në konferencë për shtyp theksoi se këto mjete përdoren për mbështetje buxhetore në vend. Euroambasadori në vend, Dejvid Gir, tregoi se kjo mbështetje financiare do t’i ndihmojë qytetarët që të përballen me kërkesat që u shfaqën si pasojë e krizës energjetike. Portalb.mk, pyeti në Sekretariatin për Çështje Evropiane se si më detajisht do të përdoren këto mjete, nga ku thanë se ndarja e parave të BE-së bëhet sipas aktiviteteve të përcaktuara, me indikator, në Planin akcional.

“Kjo ndihmë financiare është mbështetje e drejtpërdrejtë e buxhetit dhe ndihmë për atë që tashmë është duke bërë Qeveria, pra atë që do të marrë përsipër për zbatimin e Planit akcional për energjetikë”, thanë nga SÇE ku bashkëngjitur dërguan edhe Planin akcional me aktivitetet e parapara. Nga ky plan akcional vërejtëm se një pjesë e masave  janë në zbatim e sipër që prej viteve 2021 dhe 2022, ndërsa gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm pritet të zbatohen edhe 3 masa të tjera.

Gjatë dy viteve dhe gjatë këtij viti, Qeveria po zbaton katër masa edhe atë:

1.1 Subvencione për energji për amvisëritë

Shfrytëzuers: 787 991 familje sipas numrit të pikave matëse
Çmimi i parashikuar i masës: 173 milionë euro
Përshkrimi: Kostoja e prodhimit të energjisë elektrike nga EMV është 100 euro/MWh. Çmimi i EMV për furnizues universal është 48 Eur/MWh, i cili zëvendëson 52 Eur/MWh. Mbështetja llogaritet si diferencë ndërmjet kostove të prodhimit prej 100 Eur/MWh dhe çmimit 48Eur/MWh. Konsumi total i vlerësuar i amvisërisë është 3313 GWh, duke mbuluar periudhën tetor 2022–dhjetor 2023. Baza e llogaritjes është konsumi vjetor i parashikuar i ekonomisë familjare.

1.2 Ulja e barrës tatimore për furnizimin me energji

Shfrytëzues: 611,000 familje
Kostoja e parashikuar e masës për periudhën 01/09/2022-30/06/2023: 28 milionë euro Përshkrimi: Ulja e normës së rregullt të TVSH-së nga 18% për furnizimin me energji elektrike për familjet, në një normë preferenciale prej 5% (korrik 2021-dhjetor 2022) dhe në 10% (janar-qershor 2023).

Implikimet totale fiskale (01/09/2022- 30/06/2023): 1,72 miliardë MKD (afër 28 milionë euro)

Në këtë masë, ka edhe shumë nën-masa të tjera që janë në zbatim e sipër.

Ndërkohë, gjatë këtij viti dhe vitit 2024, me fondet e dhuruara nga BE-ja, vendi do të zbatojë edhe tre masa të tjera, të paktën sipas këtij Plani veprimi edhe atë:

Masa 1: Përmirësimi i Kornizës Strategjike

Masa 2: Përmirësimi i kuadrit legjislativ

Masa 3: Përmirësimi i kuadrit institucional

Kujtojmë se BE-ja, e cila përveç ndihmës së vazhdueshme financiare për projektet që janë pjesë e agjendës së reformës, Maqedonisë së Veriut i ka dhënë edhe mjete grant për përballim me krizën. Në vitin 2020 gjithashtu edhe Republikës së Maqedonisë së Veriut i është ndarë grant prej 40 milionë eurosh përkrahje buxhetore e drejtpërdrejtë për qëndrueshmërinë sociale dhe ekonomike të shtetit në përballjen me krizën e shkaktuar nga pandemia KOVID-19.

Exit mobile version