Site icon PORTALB

MPJ publikoi identitetin e tre qytetarëve të RMV-së që vdiqën gjatë një aksidenti rrugor në Itali

Foto ilustrim

Tashmë dihet identiteti i tre qytetarëve nga Maqedonia e Veriut që humbën jetën mbrëmë në një aksident të rëndë trafiku në Itali. Ministria e Punëve të Jashtme bëri të ditur se ambasada jonë në Romë ka marrë konfirmim verbal nga institucionet kompetente italiane dhe bëhet fjalë për personat: Z.S. – 33 vjeç nga Makedonska Kamenica, A.K. – 31 vjeç nga fshati Sasa, si dhe V.I. – 30 vjeç nga fshati Peklani, Vinicë, transmeton Portalb.mk.

Ata ndodheshin në një makinë dhe janë përplasur me një mjet që drejtohej nga një 23-vjeçar italian, i cili është viktima e katërt në aksident.

Aksidenti trafiku ka ndodhur mbrëmë vonë në qytetin Nica Monferrato, në provincën italiane të Asti, pjesë e rajonit të Piemontes.

“Edhe pse komunikimi me shërbimet italiane është ngadalësuar për shkak të festave të Pashkëve, misionet tona diplomatike mbeten në komunikim për të mbledhur informacion shtesë për detajet e aksidentit rrugor, të dhëna për të ndjerët, si dhe në sigurimin e një konfirmimi me shkrim për të gjitha detajet e aksidentit”, thonë nga MPJ.

Më herët mediat italiane informuan se përplasja mes mjeteve ka ndodhur në një kthesë të ngushtë dhe të rrezikshme ku në të kaluarën ka pasur shumë aksidente të rënda. Ekipet e ambulancës dhe zjarrfikësit kanë mbërritur me shpejtësi në vendngjarje dhe kanë tentuar të nxjerrin pasagjerët, por nuk kanë arritur t’i shpëtojnë.

Veturat janë shkatërruar plotësisht.

Exit mobile version