Site icon PORTALB

Përfundoi dita e dytë e gjykimit kundër ish-eprorëve të UÇK-së

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovёs

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovёs

Ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit kanë përfunduar deklaratat e tyre mbyllëse, teksa më 5 prill pritet që të deklarohet edhe ekipi mbrojtës i Jakup Krasniqit, raporton REL.

Gjatë ditës së dytë të gjykimit, trupit gjykues iu drejtuan dy të akuzuarit: Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi.

Më poshtë mund të gjeni të përmbledhur ditën e dytë të gjykimit:

Mbrojtja: Në aktakuzë s’ka aludime se Selimi ka urdhëruar ndonjë krim

Geoffrey Roberts, avokati i Rexhep Selimit, tha se në aktakuzën ndaj klientit të tij nuk ka asnjë aludim se ai ka urdhëruar ndonjë prej krimeve të pretenduara.

Gjatë deklaratës hyrëse, ai tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar po mundohet ta bëjë Selimin pjesë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.

“Në aktakuzë nuk ka aludime që Selimi ka urdhëruar ndonjë krim”, tha Roberts.

“Provat nuk dëshmojnë se Selimi ka kontribuar në emër të një plani të përbashkët kriminal”, shtoi ai.

Mbrojtja e Veselit thotë se ndaj tij nuk ka prova për krimet e pretenduara

Përderisa ekipet mbrojtëse po vazhdojnë deklaratat e tyre hyrëse, ne po ju sjellim një pjesë të deklaratës hyrëse të Ben Emmerson, avokatit të të pandehurit, Kadri Veseli.

Ai tha se ndaj klientit të tij nuk ka prova për krimet që Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngarkuar ndaj Veselit.

Mbrojtja e Veselit: UÇK s’ka pasur strukturë e as hierarki

Avokati mbrojtës i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, tha se pretendimet Zyrës së Prokurorit të Specializuar se UÇK-ja ishte një ushtri e mirëorganizuar dhe me strukturë funksionale, nuk qëndrojnë.

Ai tha se në rastin më të mirë, ka pasur “aspiratë të individëve për të qenë të organizuar” që sipas tij, nuk përkonin me “realitetin e situatës në terren”.

“Nuk ka pasur strukturë për grupet e formuara, e as hierarki që prokuroria supozon. Nuk ka pasur pasoja për individët që largoheshin nga fushëbeteja, e ktheheshin pas një jave apo më vonë”, tha ai duke shtuar se ka pasur grupime të vogla personash që mbronin vendbanimet e tyre nga forcat serbe.

“Ky është konteksti real që ZPS-ja nuk dëshiron t’ua bëjë me dije”, tha ai.

Exit mobile version