Kovaçevski për vizitë zyrtare në Serbi, Vuçiçi dhe Bërnabiqi e shëtitën përreth lumit Sava

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka arritur në Serbi ku nesër do të qëndrojë për vizitë zyrtare. Me të arritur në Beograd, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç bashkë me kryeministren Ana Bërnabiq e kanë shëtitur Kovaçevskin në shëtitoren e lumit Sava, njofton Portalb.mk.

“Faleminderit shumë për ftesën e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministres, Ana Brnabiq. Më vjen mirë që vizitën e nisëm me një shëtitje në shëtitoren e bukur të Savës. Në bashkëbisedimin me presidentin dhe kryeministrin kemi shkëmbyer të njëjtat mendime për miqësinë dhe solidaritetin e dy vendeve tona. Ndërtimi i miqësive të forta dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore është një prioritet kryesor për ne. Respekti, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi janë baza për miqësi të qëndrueshme. Maqedonia e Veriut është krenare që është një partner i respektuar i bashkësisë ndërkombëtare. Bashkëpunimi i ndërsjellë është thelbësor për të përmirësuar mirëqenien tonë ekonomike, politike dhe sociale. Prandaj mund të themi me krenari se marrëdhëniet tona dypalëshe janë më të mira se kurrë”, shkruan Kovaçevski në profilin e tij në Facebook.

Për shëtitjen ka shkruar edhe presidenti serb Vuçiç, i cili shprehet se ndjehet krenar t’i tregojë Kovaçevskit se sa shumë ka ndërtuar Beogradi.

“Thonë se gjatë një shëtitjeje të mirë bëhen planet më të mira dhe bisedat më të këndshme. Ndërsa jam krenar që i tregoj mikut tim Dimitar Kovaçevski se sa shumë ka ndërtuar Beogradi, ne shkëmbejmë mendime për zgjerimin e nismës #OpenBalkan, rrugën #BE të rajonit tonë, pozicionin dhe perspektivën e Ballkanit Perëndimor në hartën gjeopolitike të Evropës dhe botës, si dhe në planet për takimet e ardhshme dhe projektet e reja lidhëse”, shkruan Vuçiç.

Në delegacionin qeveritar të kryesuar nga kryeministri Kovaçevski vetëm ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi është përfaqësues i partive shqiptare në ekzekutiv. Përveç tij, do të marrin pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave Ljupço Nikolovski, Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski si dhe zëvendësministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike, Aleksandar Bajdevski.

Nga Qeveria e RMV-së njoftojnë se në kuadër të punës së agjendës së kësaj vizite zyrtare në Republikën e Serbisë, është paraparë ceremonia e mirëseardhjes me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, si dhe takimi kokë më kokë i Presidentit të Qeverisë së Republika e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe kryetarja e Qeverisë së Republikës së Serbisë, Ana Brnabiq.

Dy delegacionet qeveritare, të kryesuar nga kryeministrat e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë, gjatë vizitës zyrtare do të mbajnë një takim të përbashkët plenar, ku do të diskutohen tema me interes për qytetarët e të dy vendeve, si dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve.

Pas mbledhjes plenare është planifikuar nënshkrimi i memorandumeve të bashkëpunimit në kuadër të iniciativës Ballkani i Hapur, si dhe një konferencë e përbashkët për shtyp e dy kryeministrave, Dimitar Kovaçevski dhe Ana Brnabiq në orën 11:30.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, bashkë me Shqipërinë janë bashkëthemeluese të iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur“, me të cilin synohet të përmirësohet liria e lëvizjes së mallrave, shërbimeve dhe njerëzve. Kosova ka refuzuar që nga fillimi të bëhet pjesë e saj duke theksuar se ekziston nisma “Procesi i Berlinit” dhe se me “Ballkanin e Hapur” fuqizohet Serbia. Përveç Kosovës, edhe Mali i Zi dhe Bosnja nuk janë pjesë e saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button