Ligji për aksionin klimatik me obligime të reja për institucionet, por edhe shpenzime për industrinë

Draft-ligji për aksionin klimatik parasheh obligime të reja për organet shtetërore dhe pushtetet lokale, të cilat në mënyrë plotësuese do ta theksojnë kapacitetin e dobët të institucioneve në vend. Ligji, më shumë i referohet uljes së emetimeve, e shumë më pak adaptimit, që është proces i domosdoshëm në një vend me shkallë vullnerabiliteti si vendi ynë. Përveç obligimeve të reja për institucionet, me këtë ligj futet edhe formimi i trupave të rinj me funksione të reja, si dhe një shpenzim i ri – taksa e karbonit, për të cilën janë lënë shumë çështje të hapura, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Këto janë vërejtjet e para të organizatave të qytetarëve mbi draft-versionin e ligjit, çka duhet të jetë përgjigja e vendit tonë ndaj ndryshimeve klimatike dhe pjesës gjithnjë e më të madhe që ato e kanë në shoqëri. Ky akt juridik pritet tashmë tre vite, e vetëm pak kohë më parë u prezantua për publikun.

Sipas Filip Stojanovskit nga Qendra për ndryshime klimatike, një nga vërejtjet e draft-versionit ka të bëjë me mënyrën e funksionimit të Këshillit Kombëtar për Zhvillim të Qëndrueshëm, për të cilin thotë se nuk është e definuar se çfarë do të punojë. Stojanovski vëren edhe se kapacitetet e pushteteve lokale janë të pamjaftueshme për plotësimin e detyrimeve rrjedhëse me legjislaturën ekzistuese për mjedisin jetësor, e me këtë ligj edhe më shumë do t’u rriten obligimet.

“Sipas draft-ligjit pushtetet lokale në të ardhmen do të jenë të detyruar që t’i harmonizojnë të gjitha politikat lidhur me energjinë dhe klimën dhe të jenë në harmonizim me strategjinë për aksion klimatik dhe me planin e integruar për energji dhe klimë. Kjo do të paraqesë një ngarkesë plotësuese për pushtetet lokale, por nga ana tjetër, për herë të parë do të kemi integrim të dokumenteve planore siç janë LEAP, Programi për efikasitet energjetik etj. Kështu do të mund të shihet se cila masë e propozuar do të ketë kontribut më të madh drejt uljes së gazrave serë, përmirësimit të shëndetit të njerëzve dhe njëherit te jetë edhe më ekonomike”, thotë Stojanovski.

Vërejtja kryesore e “EkoSvest”-ndaj Draft-ligjit për aksion klimatik është nevoja që t’i jepet një kornizë më e thellë ligjore adaptimit, sepse jemi një shtet që i vuan humbjet dhe dëmet e ndryshimeve klimatike, për dallim nga fakti se fokusi kryesor i është vënë detyrimit për uljen e emetimeve të gazrave serë.

Sipas Elena Nikollovskës, nevojitet që në mënyrë më të detajuar të definohet korniza dhe mënyrë e ndjekjes së implementimit të strategjisë për aksion klimatik. Ajo konsideron se Ligji për aksion klimatik është i rëndësishëm sepse parasheh vendosjen e një strukture institucionale për monitorim, njoftim dhe verifikim të emetimeve të gazrave serë si dhe një Trupi koordinues nacional për të gjitha masat dhe politikat për aksion klimatik në vend. Gjithashtu, ligji është i rëndësishëm edhe për aplikimin e kompensimit për karbon si mjet më të rëndësishëm ndihmës për uljen e emetimeve të karbonit.

“Sfida më e madhe për implementimin e këtij ligji do të jenë kapacitetet institucionale të MMJPH-së, por edhe të institucioneve të tjera dhe pushteteve lokale që do të kenë obligime për zbatimin e këtij ligji. Megjithatë, kjo është edhe mundësi që më në fund të punohet drejt përmirësimit të kapaciteteve institucionale për të kuptuar aksionin klimatik duke pasur parasysh atë se vetëm në tre vitet e fundit janë miratuar politika dhe strategji në sektorin e klimës dhe energjisë të cilat tani duhet të fillojnë me implementim”, thotë Nikollovska.

Ligji për aksion klimatik parasheh edhe një shpenzim të ri që do të duhet të aplikohet te ne, e në të kundërt do të na imponohet nga ana e Bashkimit Evropian. Bëhet fjalë për tatimin e karbonit, tatim ekologjik që duhet të jetë një mënyrë efikase për luftimin e ndryshimeve klimatike dhe stimulim për zhvillim me nivel të ulët të karbonit.

Tatimi për karbonin ka të bëjë me të gjithë burimet fikse dhe lëvizëse të karbonit. Në Maqedoni burimi më i madh është sektori energjetik, por edhe transporti dhe ngrohja me lëndë fosile si nafta, mazuti apo qymyri. Në botë dhe te ne, përkrah energjetikës ka edhe degë të biznesit që gjithashtu janë burime të mëdha të dioksidit të karbonit, duke filluar nga kapacitetet e mëdha industriale, si fabrikat e çimentos ose shkritoret, e deri te oranzheritë bujqësore, të cilat gjithashtu shumë shpesh përdorin lëndë djegëse fosile.

Për Nikollovskën kompensimi për karbon paraqet një mundësi të shkëlqyer për financimin e aktiviteteve për uljen e emetimeve të gazrave serë e me këtë përmirësimin e kushteve për jetesë të qytetarëve, ndërsa Stojanovski konsideron se korniza për taksën e karbonit është e vendosur mirë në ligj.

Megjithatë, aktivistët civilë thonë se më e rëndësishme është çështja mbi modelin që do të zgjidhet për lartësinë e kompensimit për taksën e karbonit për emetim të një toni CO2eq, sepse Bashkimi Evropian tashmë na ka njoftuar se deri në vitin 2026 do ta fusë mekanizmin CBAM për kompensimin e taksës së karbonit për shtetet që do të dëshirojnë të importojnë në BE, nëse nuk kanë mekanizëm adekuat për taksën e karbonit.

“Ajo çka është e paqartë është se pas futjes së taksës së karbonit, nëse çmimi i taksës për ton të emituar është më i ulët se çmimi mesatar i BE-së, a do të ketë nevojë që kompanitë të paguajnë diferencën apo jo”, pyet Stojanovski.

Miratimi i Ligjit për aksion klimatik është lajmëruar në tre vitet e fundit, e ky proces nuk mbeti pa u vërejtur edhe nga ana e Entit shtetëror të revizionit, si dhe nga Komisioni Evropian të cilët drejtuan kritika për vonesën në raportet e tyre.

Ligji miratohet dy vite pas miratimit të Strategjisë së parë afatgjate për aksion klimatik, me të cilën vendosen qëllime afatgjate për uljen e neto emetimeve nacionale të gazrave serë. Deri në vitin 2050 vendi planifikon t’i ulë neto emetimet për 72 përqind, pa përfshirë emetimet nga aviacioni dhe importi i energjisë elektrike. Strategjia parasheh investime për hapjen e 10.000 vendeve të gjelbërta të punës deri në vitin 2034, me çka do të krijohen për 2,7 herë më shumë vende pune se numri momental i të punësuarve në termocentralet e qymyrit në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button