Punonjësit e Ministrisë së Kulturës përsëri në protestë, do të protestojnë çdo ditë deri në arritjen e qëllimit

Punonjësit e Ministrisë së Kulturës, Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Agjencisë së Filmit sot kanë dalë sërish në protestë njëorëshe para Ministrisë së Financave, ku kanë kërkuar takim me ministrin Fatmir Besimi dhe kanë apeluar për rritje të pagës, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

Branko Kostovski, kryetar i organizatës sindikale në Ministrinë e Kulturës, tha se do të jenë në protestë çdo ditë dhe në numër më të madh deri në arritjen e qëllimit.

Ata kërkojnë nënshkrimin e një marrëveshjeje kolektive dhe rritjen e pagave sipas shembullit të Ministrisë së Financave.

“Me pagën prej 25 mijë denarësh, të cilën e marrin mesatarisht 70 përqind e të punësuarve në sektorin e kulturës, muaji nuk mund të mbijetohet. Ministri i Financave Fatmir Besimi të premten nuk i priti përfaqësuesit tanë dhe duam të themi se nuk do të dorëzohemi, do të jemi të pranishëm çdo ditë dhe në numër më të madh”, tha Kostovski.

Ai theksoi se kontrata e përgjithshme kolektive ekzistuese nuk kufizon të drejtën për të lidhur marrëveshje individuale në nivel të punëdhënësit.

“Prandaj, mbetet e paqartë pse marrim mendim negativ për nënshkrimin e kontratës kolektive, dhe Ministria e Financave nxitoi që problemin e punonjësve t’ua zgjidhë qoftë edhe me ligj? Kërkojmë nga Qeveria që të mos lejojë trajtim të pabarabartë të punonjësve në sektorin publik. Presim që sot ministri Bisimi të na presë dhe të mos injorojë kërkesat tona. Nëse imazhi i një vendi ndërtohet edhe përmes kulturës, ju kërkojmë që të mos lejoni trajtim të pandershëm ndaj njerëzve që administrojnë të gjitha nevojat që rrjedhin nga realizimi i kulturës në vendin tonë”, tha Kostovski.

Të premten, pas protestës së punonjësve të Ministrisë së Kulturës, Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Agjencisë së Filmit, nga Ministria e Financave përmes një komunikate për media kanë bërë të ditur se tashmë po punohet për Ligjin për paga në sektorin publik, i cili është publikuar në ENER dhe është në debat publik. Zgjidhja e kësaj çështjeje me pagat, siç bën me dije Ministria e Financave, do të kërkohet së bashku me partnerët në Këshillin Ekonomik dhe Social, sindikatat dhe punëdhënësit. Një metodologji e qëndrueshme dhe afatgjatë e bazuar në kritere të përcaktuara objektivisht është zgjidhja që kërkojmë për pagat e punonjësve në të gjithë sektorin publik, shtoi Ministria.

Nga aty shtojnë se po punohet për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme sistematike që do të zbatohet për të gjithë sektorin publik, duke ndjekur shembullin e pagës minimale dhe pensioneve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button