Petrovska: Nëse nuk do ishim në NATO, askush nuk do të mund të garantonte sigurinë dhe stabilitetin e vendit tonë
Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska, theksoi se askush nuk do të mund të garantonte sigurinë dhe stabilitetin e vendit të saj, nëse nuk do të ishin pjesë e aleancës së NATO-s. Maqedonia e Veriut që nga 27 marsi 2020 është anëtari më i ri i 30-të i NATO-s. Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska, për Anadolu foli për rëndësinë e kësaj date historike për vendin.
Duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë ka ndryshuar me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, ministrja Petrovska përmendi disa përfitime për institucionet, në radhë të parë Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ushtrinë, si dhe për komunitetin e biznesit.
“Përfitimet mund t’i ndajmë në disa kategori. Kjo është ajo që përfitojnë institucionet fillimisht, ata përfitojnë mundësinë të marrin pjesë në vendimmarrje në aleancë, diçka që është vërtet domethënëse. Kjo do të thotë forcim të kapaciteteve të institucioneve, në rastin konkret të Ministrisë së Mbrojtjes, por gjithashtu edhe pjesëmarrje e barabartë e ushtrisë sonë me aleatët, pra me të gjitha 29 vendet e tjera anëtare të aleancës. Përfitimet janë të shumta edhe në komunitetin e biznesit, ne punojmë për përmirësimin e tyre të vazhdueshëm, për promovimin e atyre përfitimeve dhe natyrisht motivimin e kompanive që të marrin pjesë në tregun e NATO-s, që është tregu më i madh në botë”, tha ministrja Petrovska.
Ajo thotë se askush nuk do të mund të garantonte sigurinë dhe stabilitetin e Maqedonisë së Veriut, nëse vendi nuk do të bëhej anëtar i NATO-s, veçanërisht pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës.
“Me vetë faktin se jemi pjesë e sistemit të madh të sigurisë kolektive, do të thotë se kemi siguri shtesë, pra jemi pjesë e aleancës së madhe. Nëse këtë bisedë e zhvillonim vitin e kaluar, por edhe këtë vit, por në rrethana të tjera, nëse Republika e Maqedonisë së Veriut nuk do të ishte anëtare e aleancës së NATO-s, më besoni se narrativa do të kishte qenë krejtësisht ndryshe dhe deklaratat që do të duhej t’i bënte kushdo në këtë pozitë, do të ishin dukshëm të ndryshme. Askush nuk do të mund të garantonte sigurinë dhe stabilitetin e vendit tonë, nëse nuk do të ishim pjesë e aleancës së NATO-s”, tha Petrovska.
Ajo shtoi se rruga drejt anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO ishte e gjatë dhe e mundimshme, duke shtuar se tani po dëshmohet rëndësia e atyre vendimeve politike.
“Rruga drejt anëtarësimit në aleancën e NATO-s ishte vërtet e gjatë dhe e mundimshme për ne, jo vetëm për sa i përket proceseve reformuese, por të gjitha pengesave apo sfidave politike që kishte vendi. Por, vetë anëtarësimi apo marrja e vendimeve kyçe të rëndësishme politike që i paraprinë këtij procesi, tregojnë se detyra apo roli i politikanëve është të jenë vizionarë dhe të kujdesen më shumë për të mirën apo përparimin e vendit, se sa për karrierën e tyre politike. Republika e Maqedonisë së Veriut ishte me fat që në momentet kyçe u sollën vendime vërtet të rëndësishme politike për vendin tonë dhe vetë anëtarësimi në aleancë e konfirmoi dhe e dëshmoi këtë. Sot, duke ndarë së bashku aftësitë e ushtrive të aleancës së NATO-s, mund të themi se jemi një vend i sigurt. Sa i përket asaj nëse ka ndonjë kërcënim apo një paralajmërim për një lloj lufte konvencionale, mendoj se përgjigja është shumë e qartë dhe kjo është e përcaktuar qartë në dokumentet e aleancës së NATO-s. Sulmi ndaj një vendi-anëtar nënkupton sulm ndaj aleancës”, tha Petrovska.
Ajo thotë gjithashtu se aleanca e NATO-s nuk paraqet kërcënim për askënd, por paraqet përfitim, duke shtuar: “Kërcënim mund të konsiderohet vetëm nga ata me të cilët nuk ndajmë të njëjtat vlera demokratike, dhe kjo është e drejta për vetëvendosje”.
Duke iu përgjigjur pyetjes në lidhje me të ashtuquajturat lufta hibride, ministrja Petrovska thotë se kjo është mënyra moderne e luftës ku me mjete të ndryshme arrihet ndonjë qëllim, në vend përdorimit të metodave klasike konvencionale.
“Qëllimi i luftës hibride është të çrregullojë shoqërinë, të krijojë pasiguri apo mosbesim në institucione dhe në shumicën e rasteve të krijojë frikë apo panik në popullatë. E gjithë kjo ka të vetmin qëllim që të krijojë një lloj çrregullimi apo mungesë harmonie në shoqëri për të defokusuar në atë që është e rëndësishme dhe thelbësore për zhvillimin e çdo vendi. Kuptohet që si aleancë e NATO-s, këto merren parasysh në planifikimin tonë të përgjithshëm dhe vëmendje e veçantë i kushtohet mënyrave se si do të reagojnë institucionet në vendet anëtare të aleancës. Republika e Maqedonisë së Veriut në periudhën e kaluar e ka pasur dhe e ka atë përvojë me njërën nga mënyrat, e ajo është me alarmet e rreme për bomba të vendosura, të cilat në të gjitha rastet e deritanishme janë dëshmuar të jenë të rreme dhe nuk kane asnjë prapavijë reale. Mirëpo, qëllimi i gjithë kësaj ka qenë të krijojë panik dhe mosbesim te qytetarët dhe të çrregullojë jetën e tyre të përditshme. Kuptohet se si pjesë e aleancës, së bashku me partnerët tanë, ne ndajmë informatat, ndajmë atë që kemi si njohuri për ngjarjet në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm se si mundemi më lehtë dhe më shpejt të mbyllim këtë çështje”, tha Petrovska.
Duke iu përgjigjur pyetjes për aktivitetet e ndërmarra për modernizimin e ushtrisë, Petrovska thotë se modernizimi është një proces i gjatë.
“Pajisja apo modernizimi i ushtrisë nuk është një proces që mund të zgjasë vetëm një vit apo të përfundojë për disa ditë. Është një proces vërtet i gjatë që kërkon fillimisht planifikim të mirë, diçka që është bërë më herët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, dhe së dyti, ato plane duhet të mbështeten me mbështetje adekuate financiare, gjegjësisht me buxhet. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sidomos pas vitit 2017, janë bërë hapa seriozë në procesin e planifikimit, por edhe në procesin e modernizimit të ushtrisë, sidomos asaj që nënkupton zbatimi i gjithë atyre planeve. Nëse bëni një krahasim të buxheteve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ushtrisë, apo buxhetin e mbrojtjes së shtetit para vitit 2017 dhe pas, do të shihni se dallimet janë të konsiderueshme”, tha Petrovska, duke shtuar:
“Një nga angazhimet e çdo shteti anëtar të aleancës së NATO-s është që deri në vitin 2024 të arrijë përqindjen prej 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të buxhetit të dedikuar për mbrojtje. Republika e Maqedonisë së Veriut është ndër vendet e pakta që janë shumë afër asaj përqindjeje. Për këtë vit, sipas buxhetit tonë, kjo përqindje është 1,86 për qind e PBB-së. Në të njëjtën kohë ne mbajmë ose përmbushim një tjetër angazhim kyç, e ajo është se mbi 20 për qind e buxhetit duhet të caktohen për modernizim. Në rastin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, kjo jo vetëm që është arritur, por edhe është tejkaluar. Tashmë mbi 30 për qind e mjeteve financiare edhe vitin e kaluar edhe këtë vit përdoren për modernizimin e ushtrisë”.
Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë dhe domethënien e procesit të forcimit të kapitalit njerëzor.
“Por ka një proces tjetër, që për mua si ministre e Mbrojtjes është vërtet shumë domethënës. Dhe kjo ka të bëjë me atë se, paralel me procesin e modernizimit të ushtrisë apo investimeve në teknologji të reja dhe prokurimit të pajisjeve dhe armatimeve të reja, moderne dhe të sofistikuara, gjithmonë duhet të kujdesemi edhe për forcimin e kapitalit njerëzor, gjegjësisht potencialit njerëzor të ushtrisë. Pra, paralelisht me atë proces të modernizimit, në ministri zhvillohen edhe proceset e avancimit të të drejtave dhe pozitës së pjesëtarëve të ushtrisë në shoqëri, në shtet, sigurisht përmes ndryshimeve të shumta ligjore që i miratuam vitin e kaluar. Do të thosha se ata nuk kanë marrë privilegje, por përkundrazi kanë marrë vetëm motivim shtesë ose inkurajim për atë që duhet të bëjnë në të ardhmen”, tha Petrovska.
“Mbështesim politikën e dyerve të hapura të NATO-s”
Duke folur për çështjet rajonale, ministrja Petrovska tha se interesi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është që të ketë një Ballkan Perëndimor stabil dhe që vendet e këtij rajoni të vazhdojnë të gjitha proceset integruese që kanë filluar.
E pyetur konkretisht për zgjerimin e NATO-s në rajon dhe anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në të ardhmen, ministrja Petrovska u përgjigj:
“Republika e Maqedonisë së Veriut ka një qëndrim të qartë në lidhje me zgjerimin e aleancës së NATO-s dhe ai është se ne mbështesim politikën e dyerve të hapura, që do të thotë se çdo vend që merr një vendim sovran për t’u anëtarësuar në aleancën e NATO-s, ne do ta mbështesim atë, përderisa i plotëson kushtet dhe kriteret e parapara. Me Republikën e Kosovës ne kemi krijuar marrëdhënie të mira edhe në bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes. Vitin e kaluar kemi nënshkruar edhe marrëveshje bashkëpunimi me ministrin e Mbrojtjes së Kosovës dhe veçse kanë filluar diskutimet në nivel teknik dhe ekspertësh, ku Republika e Maqedonisë së Veriut po ndan përvojën e saj nga anëtarësimi në aleancën e NATO-s, sepse besojmë se në këtë mënyrë japim kontribut shtesë edhe përmes këtij instrumenti, në garantimin e stabilitetit dhe sigurisë rajonale”, tha Petrovska.
Ajo shtoi se pushtimi rus i Ukrainës tregon se paqja është diçka që jepet një herë e përgjithmonë, por se të gjithë janë të detyruar të punojnë së bashku për të ruajtur paqen.
“Republika e Maqedonisë së Veriut gjithmonë angazhohet për stabilitet, për paqe dhe për siguri, ndërsa veprimet tona, veçanërisht të qeverisë politike, janë në atë drejtim, në drejtim të garantimit të kësaj sigurie dhe stabiliteti rajonal. Ne ishim nikoqir të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne jemi krenarë për këtë, sepse japim një shembull pozitiv të një vendi që përmes dialogut, përmes zgjidhjes së problemeve, gjithmonë kontribuon dhe angazhohet për atë që është më e rëndësishme për ne. Ne mbështesim dialogun midis të gjitha vendeve, mbështesim zgjidhjen e problemeve, e jo thellimin e tyre, sepse vetëm kështu mund t’i çojmë vendet tona përpara”, tha Petrovska.
“Kemi nderin të ndihmojmë dhe t’i zgjasim dorën njëri-tjetrit”
Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Türkiye-s, ministrja Petrovska thotë se ka një bashkëpunim të thelluar mes dy vendeve, në fusha të ndryshme, përfshirë edhe atë të mbrojtjes.
“Republika e Türkiye-s ka qenë gjithmonë pozitive dhe gjithmonë ka qenë mbështetëse e Republikës së Maqedonisë së Veriut që nga pavarësia e saj dhe kjo është diçka që duhet vlerësuar. Dhe ne si qytetarë të këtij vendi, por edhe si qeveri, e vlerësojmë këtë jashtëzakonisht shumë. Bashkëpunimi që e kemi është i padiskutueshëm, e thellojmë edhe më shumë në sfera të ndryshme, por edhe në fushën e mbrojtjes, me krenari mund të them se kemi një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë. Kjo është edhe reflektim i bashkëpunimit tonë në përgjithësi, në nivel politik, por është i qartë edhe bashkëpunimi apo simpatia që kanë popujt e dy vendeve. Kemi marrëdhënie të mira dhe kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen”, tha Petrovska.
Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut thotë se vendet anëtare të NATO-s e kanë nderin, jo thjesht obligimin, të ndihmojnë njëri-tjetrin. Sipas saj, ndihma e dërguar në Türkiye pas tërmetit katastrofik të 6 shkurtit është një pasqyrim i aleancës dhe miqësisë.
“Ky është para së gjithash një reflektim i marrëdhënieve tona miqësore midis dy vendeve, siç thashë pak më parë, por po, edhe si anëtarë të NATO-s. Të dy vendet janë anëtarë të NATO-s dhe ne kemi një lloj, nuk do të thosha se është obligim, por nder për të ndihmuar gjithmonë njëri-tjetrin dhe për t’i zgjatur dorën. Forcat që dërguam mund të mos jenë të mëdha në krahasim me kapacitetet e ushtrive të tjera apo vendeve të tjera, por me të vërtetë reaguam sipas mundësive tona dhe sipas asaj që kishim në dispozicion. Mesazhi që donim të dërgojmë është që e zgjatim dorën kur kemi më shumë nevojë, sepse në këtë mënyrë vazhdojmë të zhvillojmë marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira midis dy vendeve. Menjëherë pas kthimit të dy ekipeve të shpëtimit të ushtrisë, patëm edhe nderin që edhe Ambasadori i Republikës së Türkiye-s në Republikën e Maqedonisë së Veriut t’u drejtohet dhe në emër të popullit të Republikës së Türkiye-s t’i falënderojë për punën e tyre”, tha Petrovska.