Site icon PORTALB

Tre vite nga anëtarësimi i RMV-së në NATO

Flamuri i Natos dhe i Maqedonise

Flamuri i NATO-s dhe i Maqedonise së Veriut

Sot, më 27 mars 2023, Maqedonia e Veriut shënon tre vjetorin e anëtarësimit në aleancën më të madhe ushtarako-politike në botë, Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO), transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

Me këtë rast në kazermën “Ilinden” në Shkup duhet të mbahet ceremoni qendrore, në të cilën janë paraparë fjalime të kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ministres së mbrojtjes Slavjanka Petrovska dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Vasko Gjurçinovski.

Pjesë e festës do të jenë edhe disa ushtrime dhe aktivitete demonstruese të Ushtrisë, duke përfshirë një mbikalim të avionëve aleatë në kuadër të misionit “Air Policing”.

Në organizim të Ministrisë së Jashtme, në Klubin e Deputetëve do të mbahet “Mëngjesi i NATO-s” tradicional, me pjesëmarrjen e korit diplomatik. Me këtë do të nisin zyrtarisht Ditët e NATO-s në vend, të cilat do të zgjasin deri më 4 prill.

Më 27 mars 2020, vendi u bë anëtari i 30-të i Aleancës kur Ambasadorja e Maqedonisë së Veriut në SHBA, Vilma Petkovska, ia dorëzoi ndihmës sekretarit amerikan të shtetit për Evropë dhe Euroazi, Filip Ricker, dokumentin origjinal të ratifikimit nga Protokolli për anëtarësim për anëtarësimin e vendit në NATO.

Nga Rezoluta e Anëtarësimit, veto nga Greqia, përmes Marrëveshjes së Prespës deri te anëtarësimi i plotë

Angazhimi për integrimin euroatlantik daton që nga viti 1993, kur Kuvendi miratoi një Rezolutë që përcaktonte prioritetet e jashtme politike të vendit, përkatësisht anëtarësimin në NATO dhe BE.

Në nëntor të vitit 1995 vendi u bë anëtare e Partneritetit për Paqe, ndërsa në qershor të vitit vijues u hap Zyra ndërlidhëse e Republikës së Maqedonisë me NATO-n.

Më pas pasoi hapja e Zyrës Ndërlidhëse në vitin 1996 dhe vitin e ardhshëm, në vitin 1997, shteti u pranua në procesin PARP. Menjëherë pas kësaj, në Bruksel u hap Misioni i Republikës së Maqedonisë në NATO.

Në Samitin e Uashingtonit në prill 1999, vendi u bë zyrtarisht vend kandidat. Vendi qëndroi me atë status për njëzet vjet.

Më e afërta me NATO-n ishte në vitin 2008, në samitin në Bukuresht, por Aleanca atëherë arriti në përfundimin se vendi ishte teknikisht gati për të hyrë, por hyrja u pengua nga vetoja greke për shkak të mosmarrëveshjes së pazgjidhur të emrit. Pas gati tre dekadash mosmarrëveshja u tejkalua me Marrëveshjen e Prespës të nënshkruar më 17 qershor 2018, dhe dera e NATO-s u hap.

Më pak se një muaj pas marrëveshjes së arritur me Greqinë, në Samitin e NATO-s në Bruksel (11-12 korrik 2018), në një takim në nivel të krerëve të shteteve dhe qeverive, Aleanca mori vendim për të ftuar Maqedoninë e Veriut të nisë negociatat për anëtarësim në Aleancë.

Më 1 gusht 2018, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i dërgoi një letër Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut së bashku me Planin për zbatimin e procesit të anëtarësimit në NATO, dhe në tetor të po këtij viti, në një takim në Bruksel përfunduan zyrtarisht bisedimet e pranimit. Më 6 shkurt 2019, përfaqësuesit e përhershëm të 29 vendeve anëtare të Aleancës në selinë e NATO-s nënshkruan protokollin e anëtarësimit për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Pas kësaj ngjarje, filloi faza tjetër, në të cilën protokolli i anëtarësimit u ratifikua në parlamentet kombëtare dhe institucionet e vendeve anëtare të Aleancës, si dhe u ratifikua edhe në Kuvendin e RMV-së.

Zyrtarizimit të anëtarësimit të plotë, që ndodhi sot para dy vitesh, i ka paraprirë nënshkrimi i Instrumentit të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO nga presidenti Stevo Pendarovski më 20 mars 2020.

Më shumë lajme për lidhjen midis Maqedonisë së Veriut dhe NATO-s mund të gjeni KËTU.

Exit mobile version