Vjosa si park kombëtar – moment historik për natyrën

Një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë, vendi i më shumë se 1 mijë lloje gjallesash e bimësh, është shpallur park kombëtar nga qeveria shqiptare, duke e bërë Vjosën të parin e këtij lloji në kontinent, shkruan The Guardian, transmeton Koha.net.

Lumi Vjosa buron nga lartësia 270 kilometra në malet Pindus në Greqi, kalon nëpër kanionet e ngushta, fushat dhe pyjet e Shqipërisë dhe derdhet në detin Adriatik. Pa diga apo pengesa të tjera artificiale, Vjosa është e pasur me lloje të ndryshme specieve ujore dhe mbështet morinë e kafshëve të egra, përfshirë vidrat, shkabën e rrezikuar egjiptiane dhe rrëqebullin ballkanik, numri i të cilit është në gjendje kritike – janë vërtetuar vetëm 15 të tillë në Shqipëri.

Për disa vjet, ekosistemi i brishtë i Vjosës ka qenë i kërcënuar: në atë pikë sa anembanë lumit Vjosa, ishin planifikuar të ndërtoheshin 45 hidrocentrale.

Por të mërkurën e 15 marsit, pas një fushate pothuajse dhjetëvjeçare të OJQ-ve mjedisore, Vjosa u shpall parku i parë kombëtar i lumit te egër në Evropë. Ambientalistët e përshkruan atë si një vendim historik që vendin e vogël ballkanik e ka vënë në krye të mbrojtjes së lumenjve.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka bërë këtë shpallje në një ceremoni të mbajtur në Kalanë e Tepelenës, me pamje nga lumi, e ndjekur nga grupet e interesit dhe ministrat. Ai e përshkroi krijimin e parkut kombëtar si një “moment me të vërtetë historik” për natyrën, zhvillimin social dhe atë ekonomik.

“Sot ne mbrojmë një herë e përgjithmonë të vetmin lumë të egër në Evropë,” ka thënë ai. “Kjo është gati të ndryshojë një mendim. Mbrojtja e një zone nuk do të thotë se e izolon atë nga ekonomia”.

Ai ka thënë se parqet kombëtare tërheqin 20 për qind më shumë turistë krahasuar me zonat e pambrojtura.

Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, ka thënë se krijimi i parkut ishte pjesë e zhvillimit të vendit dhe emancipimit të vazhdueshëm prej tri dekadash nga sundimi komunist.

“Vjosa është simbol i historisë njerëzore dhe gjithashtu pjesë shumë e rëndësishme e historisë së vendit tonë”, ka thënë ajo. “Ndoshta Shqipëria nuk ka fuqi ta ndryshojë botën, por mund të krijojë modele të suksesshme të mbrojtjes së biodiversitetit dhe pasurive natyrore dhe ne jemi krenarë të njoftojmë krijimin e këtij parku të parë kombëtar në një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë”.

Vendi i cili tërhoqi 7.5 milionë vizitorë vitin e kaluar, më shumë se dyfishi i popullsisë së tij prej 2.8 milionësh, shpreson që përmes ekoturizmit të rigjenerojë fshatrat në rajonin e Vjosës.

Një bashkëpunim midis qeverisë shqiptare, ekspertëve ndërkombëtarë, OJQ-ve nga fushata “Save the Blue Heart of Europe” për mbrojtjen e lumenjve të Ballkanit, Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) dhe kompanisë së veshjeve të përditshme dhe organizatës mjedisore “Patagonia”, parku prej 12,727 hektarësh, ka për qëllim të sigurojë që Vjosa dhe ekosistemet unike të saj të ruhen. Atij i është dhënë statusi i parkut të kategorisë II të IUCN-së, një nivel i lartë mbrojtjeje i ngjashëm me atë të një shkretëtire. Kategorizimi mbulon “proceset ekologjike në shkallë të gjerë”, speciet dhe ekosistemet, vendimtare për të siguruar që digat dhe nxjerrja e zhavorrit të ndalohen. Ai pritet të hyjë në fuqi më 2024.

Drejtori i zyrës evropiane në IUCN, Boris Erg i bëri nderime Qeverisë së Shqipërisë për udhëheqjen e procesit dhe gatishmërinë e saj.

“Sot shënohet moment historik për njerëzit dhe biodiversitetin e Shqipërisë”, ka thënë ai. “Ftojmë qeveri të tjera nga rajoni e më gjerë që të tregojnë gatishmëri të ngjashme dhe të ndihmojnë në arritjen e objektivit jetik të mbrojtjes së 30 për qind të planetit deri në 2030”

Parku do të përfshijë 189.903 kilometrat e Vjosës në Shqipëri, tri degë kryesore dhe disa toka, përfshirë zonat e rrezikuara nga përmbytjet. Faza II do të shtojë degë të tjera. Ndryshe nga Zonat e Mbrojtura të Shkretëtirës së IUCN-së, të cilat kufizojnë numrin e vizitorëve, ai do të lejojë turizmin rekreativ dhe disa veprimtari të tjera të tilla si ”peshkimi lokal, veçanërisht për 60,000 banorët rezidentë”.

Qeveria shqiptare po nis një proces të përbashkët me autoritetet greke për të krijuar parkun ndërkufitar Aoos-Vjosa, që synon të mbrojë të gjithë lumin anembanë dy vendeve. Në janar dy vendet ranë dakord të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi që përcakton veprimet e ardhshme.

Evropa ka peizazhin lumor më të bllokuar në botë, me pengesa si digat, pendat dhe rrugët, që sipas një studimi të BE-së bërë më 2020 në 28 vende, vlerësohen të jenë më shumë se një milion. Një copëtim i tillë i lumenjve ndikon në aftësinë e tyre për të mbështetur jetesën.

Ulrik Eichelmann, themelues i “Riverwatch” dhe pjesëmarrës i “Save the Blue Heart of Europe”, ka thënë se “shumica e njerëzve në Evropën Qendrore nuk kanë parë kurrë një lumë të egër e të gjallë, të lirë nga ndërhyrjet e njeriut, që nuk është devijuar, nuk është dëmtuar ose ku janë ndërtuar shtretër dhe ku si rezultat i kësaj, biodiversiteti është i ulët.

“Por këtu, ju keni një lumë të egër, plot kompleksitet dhe pa ndërhyrje”, ka thënë ai.

Themeluesi i “Patagonisë”, Rajan Gellert, ka thënë se bashkëpunimi provoi fuqinë e veprimit kolektiv.

“Ne shpresojmë se në një mënyrë kuptimplote kjo do të frymëzojë të tjerët të bashkohen në mbrojtjen e vendeve të egra”, ka thënë ai, duke shtuar se parku ishte provë se “shkatërrimi i natyrës nuk duhej të jetë çmimi i përparimit”.

Nëpërmjet organizatës jofitimprurëse “Holdfast Collective”, themeluar më 2022, kur e deklaroi Tokën si aksionarin e saj të vetëm, kompania ka siguruar 4.6 milionë dollarë për të mbështetur parkun kombëtar dhe për të mbrojtur lumenjtë e egër anembanë Ballkanit.

Fushatës për mbrojtjen e Vjosës iu dha një shtytje e madhe nga Leonardo DiCaprio i cili në vitin 2019 postoi rreth në Instagram, duke thënë: “Ky është një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës: por për sa kohë?”

OJQ-të thanë se ka ende punë për të bërë në mbrojtjen e pjesëve e tjera të pambrojtura të lumit, përfshirë deltën dhe burimin në Greqi. Rama ka thënë se një aeroport i planifikuar në deltën e lumit do të ndërtohet por pa rreziqe për natyrën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button