‘TikTok’ përballet me ndalimin e plotë në SHBA pasi shefi ekzekutiv dëshmoi para Kongresit

Aplikacioni popullor i mediave sociale me bazë në Kinë ‘TikTok’ po përballet me një ndalim të plotë në SHBA, pasi shefi ekzekutiv i aplikacionit, Shou Chew, dëshmoi para Komitetit të Energjisë dhe Tregtisë në Dhomën e Përfaqësuesve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Chew u përgjigj pyetjeve të ligjvënësve amerikanë për shumë praktika të aplikacionit, nga rreziqet e mundshme të sigurisë kombëtare për SHBA-në deri te rrjedhja e të dhënave, si dhe për shëndetin mendor të përdoruesve si varësia, depresioni dhe ankthi, veçanërisht midis fëmijëve dhe adoleshentëve.

Përfaqësuesja Kathy Castor, demokrate nga Florida, akuzoi kompanitë e mëdha të teknologjisë se synojnë dhe ndikojnë në sjelljen e përdoruesve të tyre dhe kërkoi nga Kongresi Amerikan të miratojë një ligj për privatësinë e të dhënave në internet.

“Kjo është një çështje shumë më e gjerë se ‘TikTok’-u në Kinë. Ka aktorë të tjerë keqdashës në mbarë botën që mbledhin të dhëna, i përdorin si element të kontrollit dhe ndikimit social”, tha Castor.

Sipas saj, dëmet tek fëmijët janë shumë serioze dhe kërkojnë veprim të shpejtë.

“Platformat e mëdha të teknologjisë përfitojnë jashtëzakonisht nga mbajtja e fëmijëve të varur. Ata nuk kujdesen për privatësinë, sigurinë dhe shëndetin e fëmijëve tanë. Ata janë kompani moderne të duhanit dhe cigareve”, theksoi Castor.

Aplikacioni ‘TikTok’ ka një ndikim global me mbi 1 miliard përdorues aktiv mujor. Së bashku me versionin kinez ‘Douyin’, të dy versionet e aplikacionit kanë mbi 2.5 miliardë përdorues aktiv të përditshëm në botë.

Përfaqësuesi John P. Sarbanes, demokrat nga Maryland, tha se në mediat sociale më shumë kohë kalojnë nxënësit e shkollave të mesme dhe theksoi se ata do të “përjetojnë depresion dhe ankth”.

Sarbanes njoftoi se 16 për qind e adoleshentëve amerikanë raportuan se përdorin aplikacionin ‘TikTok’ pothuajse vazhdimisht, gjegjësisht rreth 5 milionë adoleshentë në SHBA.

“Ne e dimë se teknologjia e madhe, përfshirë aplikacioni ‘TikTok’, përdori veçori të projektimit që mund të manipulojnë përdoruesit duke përfshirë fëmijët dhe adoleshentët për t’i mbajtur ata të angazhuar, të dizajnuar për t’i ushqyer ata me një rrjedhë të pafundme të përmbajtjeve, për të mbajtur vëmendjen e tyre për orë të tëra, që përfshin kapitalizmin e dëshirës për miratimin e të tjerëve”, tha Sarbanes.

Përfaqësuesi Bill Johnson, republikan nga Ohio, argumentoi se aplikacioni ‘TikTok’ po përpiqet të “mashtrojë amerikanët se çfarë është në gjendje të bëjë teknologjia e tyre dhe kush ka qasje në informacionin e tyre”.

Chew argumentoi se shumica e përmbajtjes së ‘TikTok’-ut është “argëtuese, informuese dhe shumë pozitive për përdoruesit”.

“Kompanitë e tjera që operojnë në këtë vend, ne duhet të merremi me disa aktorë të këqij që vijnë dhe publikojnë disa droga të paligjshme. Përvoja e përdoruesit të ‘TikTok’-ut duhet të krahasohet me kompanitë e tjera amerikane”, tha Chew, duke theksuar se vendi i tij Singapori nuk ka “pothuajse asnjë” përmbajtje të paligjshme të drogës, sepse ka ligje shumë të rrepta për drogën.

Më herët, parlamenti britanik njoftoi se aplikacioni ‘TikTok’ do të bllokohet nga të gjitha pajisjet parlamentare dhe serverët e internetit.

Disa shtete amerikane tashmë kanë ndaluar aplikacionin në pajisjet e lëshuara nga qeveria mes rreziqeve të mundshme të sigurisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button