Mikroorganizmat që e hanë Lindanin mund të na shpëtojnë nga ndotja e madhe nga OHIS-i

Zbërthimi i toksinit të rrezikshëm Lindan me ndihmën e mikroorganizmave është hulumtimi i realizuar nga shkencëtarja e re Marija Todorovska Ivkoviq me ekipin e saj në kuadër të Programit për përkrahje të ekologjistëve të rinj “Dr.Ljupço Mellovski” i Shoqatës Ekologjike të Maqedonisë (ShEM). Eliminimi i pesticidit helmues, i cili për dekada po rrezikon shëndetin e banorëve të Shkupit dhe e ndot tokën dhe ujërat nëntokësore, është dëshira me të cilën përballemi çdo ditë, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Ky projekt ka si qëllim biorehabilitimin e tokës ku është depozituar lindani ose që ka qenë në kontakt me të, por kjo metodë mund të përdoret edhe për pesticide të tjera që e ndotin tokën

Nxjerrja e izomerëve të lindanit filloi me pastrimin e deponisë së vogël, por mbeten deponia e madhe dhe deponia në Pelenicë, të cilat përmbajnë me dhjetëra mijëra ton mbeturina të rrezikshme, ndërsa rehabilitimi i tokave të kontaminuara dhe ujërave nëntokësore është një sfidë me të cilën do duhet të përballemi në të ardhmen.

Projekti “Biodegradimi i lindanit me ndihmën e kërpudhave filamentare”, ose Flindan, siç e quan Marija, ka për qëllim biorehabilitimin, pra pastrimin e tokës ku ka qenë i depozituar lindani ose i tokës me të cilën ai ka qenë në kontakt. Kjo metodë mund të përdoret edhe për pesticide të tjera që e ndotin tokën.

“Aktualiteti i lindanit të depozituar në disa lokacione në Shkup ma tërhoqi vëmendjen në radhë të parë si biolog, e pastaj edhe si njeri. Meqë askush nuk po bën asgjë për pastrimin e tokës nga të gjitha pesticidet që spërkaten mbi të mbjellat, nga insekticidet dhe helmet, duhet filluar nga një pikë, ndërsa vetë rëndësia e ekzistencës së kësaj lënde toksike në mjedisin tonë kërkon që vëmendja të përqëndrohet pikërisht këtu”, thotë TodorovskaIvkoviq.

Për atë, fakti që kemi në dispozicion fabrika të vogla të padukshme falas që jetojnë në mjedisin tonë dhe e zbërthejnë këtë toksin, është fascinues dhe ka qenë pikërisht motivimi për të filluar me hulumtimin e saj dhe për të kontribuar në përmirësimin e mjedisit ku vetë ajo jeton.

“Ne vetëm duhet që t’i izolojmë mikroorganizmat, t’i hulumtojmë, t’i përshtatim dhe t’i vendosim ato në tokën e kontaminuar me lindanin toksik. Ato jo vetëm që nuk janë të dëmshme për ekosistemin, por janë edhe të dobishme, ata e hanë lindanin dhe lirojnë ujë dhe bashkëdyzime të thjeshta. Ato janë miqtë tanë të padukshëm”, thotë Marija.

Ajo thekson se testimet e mikroorganizmave në kushte të kontrolluara kanë treguar një efikasitet prej 99 përqind në zbërthimin e lindanit. ndërsa në mjedis të hapur zbërthimi ka qenë deri në 60 përqind. Këto, sipas TodorovskaIvkoviq, janë të dhëna shumë të mira sepse në literaturën shkencore pothuajse nuk ka të dhëna për ekzistencën e mikroorganizmave të këtillë që e zbërthejnë lindanin deri në këtë shkallë.

Ajo mendon se pa punë shkencore një biolog nuk mund të bëjë asgjë, ndërsa kur bëhet fjalë për ndotjen atëherë vërtetë nuk duhet të ketë kompromis. Të rinjtë duhet të kenë qasje më të lehtë në fondet e nevojshme për realizimin e punëve hulumtuese shkencore, ndërsa për t’u interesuar për këtë duhet të ndryshojnë shumë gjendje në këtë vend, në radhë të parë duke iniciuar bashkëpunim mes institucioneve shtetërore dhe kompanive private. Sipas të dhënave nga Buxheti i RMV-së, për këtë vit për shkencë janë planifikuar vetëm 268 milionë denarë, ose vetëm 0,08 përqind nga buxheti i shtetit, që është përqindja më e ulët në dhjetë vitet e fundit, duke pasur parasysh se financat e përgjithshme shtetërore janë në rritje të vazhdueshme, ndërsa paratë për shkencë vazhdimisht po zvogëlohen.

Për ta ndryshuar këtë gjendje dhe për ta popullarizuar shkencën dhe hulumtimin Marija mendon se ato duhet të jenë më të përfaqësuara edhe nëpër media, ku pothuajse nuk ka fare emisione edukative, emisione për histori të suksesit të shkencëtarëve ose të kompanive që investojnë në hulumtime.

“Për fat të keq në vendin tonë nuk ka institucione ku mund të merresh me shkencë, përveç se në universitetet shtetërore, por atje fondet janë të pakta dhe kushtet minimale. Statusi i shkencës në këtë vend është i qartë për të gjithë dhe nuk kemi ç’të themi më shumë për këtë temë. Fonde edhe nëse ka ato janë të pamjaftueshme, minimale, të pakta, ndërsa nga ana tjetër është edhe më e vështirë nëse je një shkencëtar i ri dhe i pa afirmuar. Kështu që po, programi i ShEM është shumë i mirë për të gjithë të rinjtë që duan të bëjnë diçka për veten dhe të tjerët, ose të paktën të fillojnë të bëjnë diçka, sepse ndonjëherë edhe aq mjafton”, thotë Marija.

Për momentin ajo është udhëheqëse dhe menaxhere e cilësisë në Qendrën Hulumtuese për Mikrobiologji të Aplikuar dhe Bioteknologji “Dr. Kungullovski”, në të cilën përveç laboratorit shkencor funksionon edhe laboratori mikrobiologjik për analiza të ushqimit dhe ujit. Qendra bashkëpunon me Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore për studentët të cilët këtu e bëjnë punimin e tyre të diplomës, me studentë pasdiplomikë, doktorantë, praktikantë apo vullnetarë, me qëllim që të gjithë të rinjtë ambiciozë të kenë mundësi të mësojnë nga përvoja e më të moshuarve.

Nga Shoqata Ekologjike e Maqedonisë thonë se tema e ndotjes për fat të keq është shumë e rëndësishme për Shkupin, prandaj edhe Programi për përkrahjen e ekologjistëve të rinj “Dr. Ljupço Mellovski” është fokusuar në atë tematikë. Ata theksojnë se ekipi i Marijas nëpërmjet aktiviteteve në terren, marrjes së mostrave dhe izolimit të këpurdhave filamentare tolerante ndaj lindanit nga deponitë e pesticidit dhe izomerët e tij kanë arritur deri në rezultate të shkëlqyera.

“Ekipi ka vendosur metoda dhe protokolle hulumtuese që treguan se izolatet e shfrytëzojnë me sukses lindanin dhe lëshojnë substanca jo toksike në tokë,” thonë nga ShEM.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button