Gjykata Ndërkombëtare Penale shpreh keqardhje për “kërcënimet”, pas urdhërarrestimit për Putinin
Trupi legjislativ i Gjykatës Ndërkombëtare Penale ka thënë të mërkurën se i vjen keq për “kërcënimet” kundër tribunalit, lidhur me urdhërarrestimin që e ka lëshuar për presidentin rus, Vladimir Putin, transmeton Radio Evropa e Lirë (REL).
Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, është raportuar të ketë përmendur shënjestrimin e Hagës me një raketë hipersonike, si hakmarrje për urdhrin ndaj Putinit, sipas mediave holandeze.
Moska ka thënë të hënën se ka nisur hetime penale ndaj prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, dhe disa gjyqtarëve tjerë, lidhur me vendimin “e paligjshëm” për të synuar arrestimin e Putinit për luftën në Ukrainë.
Kryesia e Asamblesë së shteteve të anëtarësuara në Gjykatën Ndërkombëtare Penale – gjithsej 123 – ka thënë se ekzistojnë “kërcënime kundër Gjykatës, si dhe masa kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve të saj”.
Megjithatë, kjo Kryesi ka “rikonfirmuar mbështetjen e palëkundshme për Gjykatën Ndërkombëtare Penale”.
Më 17 mars, Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhërarrestim për Putinin, nën dyshimet për dëbim të paligjshëm të fëmijëve ukrainas – çka përbën krim lufte.
Më shumë se 16.000 fëmijë ukrainas janë dëbuar në Rusi prej nisjes së luftës më 24 shkurt 2022, sipas Kievit.
Shumica prej tyre, sipas autoriteteve ukrainase, janë dërguar nëpër shtëpi kujdesi.