Liminski: Gjermania është në anën tuaj, llogarisni në mbështetjen tonë

Duhet të heqim barrierat në rrugën drejt BE-së, sepse Maqedonia e Veriut duhet të zërë vendin e saj të merituar në Bashkimin Evropian, tha Ministri i çështjeve federale, evropiane dhe ndërkombëtare dhe media dhe shefi i zyrës shtetërore të Rhein-Vestfalisë së Veriut, Natanael Liminski, në paraqitjen e tij para të rinjve në konferencën “30 vjet marrëdhënie diplomatike maqedono-gjermane: Bashkëpunimi bilateral dhe mbështetje zhvillimore me Rhein-Vestfalisë së Veriut”, organizuar nga Qendra presidenciale për edukim politik, transmeton Portalb.mk.

“Ne jemi seriozë për të mbështetur vendin në rrugën e tij drejt BE-së dhe për këtë arsye duam që ndryhsimet e nevojshme kushtetuese të miratohen së shpejti. E di që kjo do të shkaktojë debat në shoqëri, por është diçka që duhet të kaloni dhe mund të mbështeteni tek ne që të jemi në anën tuaj në këtë proces, dhe shpresojmë se në fund të gjithë kësaj, vendi do të jetë më pak i polarizuar” , tha Liminski.

Ai theksoi se qëllimi i vizitës së tij në Shkup është riafirmimi i partneritetit me Maqedoninë e Veriut.

“Partneriteti ynë po rritet dhe thellohet në disa fusha, në sektorin e biznesit, shoqërisë civile, arsimit, sidomos studimeve pasuniversitare, kemi pasur projekte për forcimin e gazetarisë, kemi shënuar bashkëpunimin mes policive. Prania këtu e delegacionit të biznesit tregon se ne duam ta thellojmë këtë partneritet”, tha Liminski.

Ministri gjerman tha se pret që pengesat në rrugën e vendit drejt BE-së të tejkalohen shpejt dhe kujtoi se në korrik të vitit të kaluar procesi i anëtarësimit vazhdoi me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në, e cila u vonua për një kohë të gjatë.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, theksoi se Gjermania është partneri më i rëndësishëm evropian i Maqedonisë së Veriut dhe është vendi që na ka mbështetur më së shumti në rrugën tonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Këto nuk janë vetëm fjalë, ata bënë përpjekje shumë të forta për të na shtyrë përpara, përfshirë edhe zgjidhjen e çështjes me Bullgarinë. Ky është vetëm fillimi, presim mbështetje të mëtejshme në periudhën në vijim, veçanërisht në fusha si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, demokracia, shoqëria civile, por edhe në reformën arsimore, veçanërisht arsimin profesional, reformën e administratës publike, por edhe mbështetje për reformat strukturore ekonomike dhe zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik”, tha Mariçiq.

Ai tha se tani po përballemi me një kohë të vështirë për shkak të fqinjëve tanë.

“Ne e kemi tejkaluar çështjen afatgjatë me Greqinë, tani jemi në proces të tejkalimit të të njëjtës me Bullgarinë, por mendoj se duhet të fokusohemi te çmimi dhe çmimi është anëtarësimi në BE”, tha Mariçiq.

Mariçiq duke iu drejtuar të rinjve tha se brezi i tij ka për detyrë të marrë vendime të vështira, në mënyrë që gjenerata e re të mos merret me të njëjtat gjëra.

“Me të vërtetë nuk dua të shoh asnjë prej jush, të ulur në të njëjtin vend, pesë apo dhjetë vjet nga tani, duke zgjidhur të njëjtat çështje dhe duke diskutuar të njëjtat gjëra. Çështjet që nuk janë zgjidhur nga gjeneratat e mëparshme të politikanëve, tani na mbetet neve të merremi sërish me të njëjtat çështje, vetëm 20 vjet më vonë”, tha Mariçiq.

Ai theksoi se fillimisht duhet të punohet për reformat e brendshme, veçanërisht në sundimin e ligjit, gjyqësorin efikas, luftën efektive kundër korrupsionit, funksionimin e institucioneve demokratike dhe reformën e administratës publike.

“Këto fusha u identifikuan në procesin e skriningut me BE-në si të suksesshme, por jemi në gjysmë të rrugës. Tani jemi në fazën e parë shumë të rëndësishme, që është procesi i skriningut në të cilin ne duhet të identifikojmë të gjitha pikat tona të forta dhe të dobëta dhe të projektojmë se sa kohë do të duhet për të zbatuar të gjitha standardet evropiane dhe për t’u bërë një shtet anëtar i BE-së. Ne do të jemi ambicioz, por realistë, duam t’i përmbushim këto standarde jo më vonë se 2030. Kjo do të jetë e mundur nëse përfshihen të gjitha palët e interesuara në shoqëri – institucionet, shoqëria civile, sektori i biznesit dhe të gjitha partitë politike”, tha Mariçiq.

Në forum, përveç Natanael Liminskit dhe Bojan Mariçiqit, foli edhe Boris Georgievski, redaktor i redaksisë maqedonase të Deutsche Welle-s, si dhe Aleksandar Spasov, këshilltar për politikë të jashtme, politikë të brendshme dhe çështje kushtetuese në kabinetin e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Pjesëmarrës në konferencë ishin studentët e Shkollës së parë dhe të dytë për Politikë, si dhe bursistë të programit “Programi i trajnimit për profesionistë të rinj nga Maqedonia e Veriut në Rhein-Vestfalisë së Veriut”, në bashkëpunim me GIZ, të cilët ndanë përvojat dhe projektet.

Boris Georgievski i njohu të pranishmit me historinë e Deutsche Welle-s dhe kujtoi rrethanat dhe kohën kur u themelua redaksia maqedonase dhe foli për rolin e kësaj medie në zhvillimin e marrëdhënieve maqedono-gjermane.

Aleksandër Spasov falënderoi pjesëmarrësit e kësaj konference dhe foli për miqësinë dhe partneritetin mes dy vendeve, për marrëdhëniet bilaterale dhe zhvillimin e tyre në 30 vitet e fundit.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Kjo erdhi pas arritjes së  propozimit francez në vend me 30 qershor të vitit të kaluar dhe miratimit të tij nga ana e Kuvendit të RMV-së për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut në drejtim të hapjes së rrugës eurointegruese për RMV-në.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.

Më shumë lajme në lidhje me procesin e skriningut gjeni duke klikuar KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button