IDSCS: Patjetër të përshpejtohet ratifikimi i marrëveshjeve nga procesi i Berlinit, qytetarët i konsiderojnë të dobishme

Lidhja e vendeve të rajonit përmes bashkëpunimit është një nga rrugët prioritare drejt progresit të përbashkët dhe afrimit me Bashkimin Evropian. Procesi i Berlinit është një nga udhëzimet kryesore në këtë rrugë. Nëntorin e kaluar, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut së bashku me qeveritë e Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kosovës nënshkruan tri marrëveshje për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale në kuadër të Samitit të procesit të Berlinit. Gati pesë muaj pas nënshkrimit të tyre, marrëveshjet janë ratifikuar vetëm në dy vende, deklarojnë nga Instituti për demokraci Societas Civlis, transmeton Portalb.mk.

Shqipëria ishte e para që ratifikoi të tre marrëveshjet dhe samiti i ardhshëm i Procesit të Berlinit do të mbahet në Tiranë, thonë nga IDSCS. Të gjitha marrëveshjet janë ratifikuar nga Kosova dhe me zbatimin e tyre do të shfuqizohet regjimi i vizave mes qytetarëve të Kosovës dhe BeH-së, të vetmet midis dy vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në BeH, ratifikimi është në ngecje për shkak të sfidave politike dhe një procedure të ndërlikuar ratifikimi. Qeveria e Serbisë miratoi ratifikimin e marrëveshjeve dhe përgatiti projektligje, të cilat janë ende në procedurë parlamentare. Në Mal të Zi, Qeveria i miratoi marrëveshjet, por ato ende nuk kanë hyrë në procedurë parlamentare.

“Instituti për Demokraci mirëpret miratimin e tri marrëveshjeve në seancën e 135-të të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut më 14 mars 2023. Si depozitues i tre marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara në kuadër të procesit të Berlinit, i bëjmë thirrje Qeverisë që t’i dorëzojë ato në Kuvend sa më shpejt që të jetë e mundur dhe Kuvendi të gjejë forcë për t’i vënë ato në rendin e ditës për ratifikimin sa më shpejt të jetë e mundur, me konsensus. Përkushtimi për përmirësimin e jetës së qytetarëve duhet të tregohet në vepra, veçanërisht në procese që varen nga proaktiviteti dhe shpejtësia e institucioneve shtetërore”, thonë nga ODSCS.

Për më tepër, marrëveshjet që janë pjesë e Procesit të Berlinit kanë tërhequr vëmendje dhe mbështetje të madhe publike. Sondazhi më i fundit i Institutit për Demokraci tregoi se shumica dërrmuese (80%) e qytetarëve e shohin mundësinë e një periudhe më të gjatë pune në çdo vend të Ballkanit Perëndimor si një mundësi tërheqëse. Gjithashtu, hapja e kufijve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor konsiderohet e dobishme nga 85% e të anketuarve, ndërsa mundësia e përdorimit të arsimit të tyre në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor shihet pozitivisht nga 84% e qytetarëve.

“Duke pasur parasysh nivelin e lartë të mbështetjes, deputetët duhet të përfshihen më aktivisht në promovimin e përfitimeve të Procesit të Berlinit, por edhe të kryejnë mbikëqyrje të vazhdueshme mbi shkallën e zbatimit të angazhimeve të procesit. Aktualisht, nuk ka mekanizma mbikëqyrës për të rishikuar veprimet e ndërmarra nga qeveria dhe nuk ka lidhje rajonale ose platforma të shkëmbimit të njohurive rreth saj”, thuhet në reagimin e IDSCS.

Me përfshirje të pamjaftueshme, shtojnë ata, në këtë mekanizëm kyç për bashkëpunim dhe zhvillim rajonal, deputetët nuk u përgjigjen nevojave të qytetarëve të tyre, ndonëse një numër i madh i qytetarëve mbështesin zgjidhjet që dalin nga ky proces. Këto marrëveshje janë të një rëndësie të veçantë në lidhje me agjendën e reformave në rrugën drejt BE-së – një rrugë që përfshin iniciativat e Procesit të Berlinit si procese kohezive.

Ndryshe, Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe në asistimin e tyre në procesin e integrimit në BE, proces ky i filluar në 2014, nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button