Bekteshi: Nesër ngrijnë çmimet e vezëve dhe të orizit, nuk do të ketë shtrenjtim gjatë festave

Qeveria në seancën e nesërme do të ngrijë marzhet për orizin dhe vezët me çmime nga fillimi i këtij muaji. Ministri i Ekonomisë thotë se nuk do të ketë ngrirje të marzheve për miellin dhe sheqerin, por pret që vetë tregtarët të ulin çmimet, transmetn Portalb.mk.

“Për ngrirjen e marzheve, nesër në seancën e Qeverisë do të merret vendimi për ngrirjen e orizit dhe vezëve, me çmime që ishin më herët gjatë këtij muaji. Për sheqerin dhe miellin, sipas të dhënave të Drejtorisë doganore për import dhe të dhënave nga prodhuesit, ka ulje çmimesh dhe nuk do të marrim asnjë masë. Në ditët në vijim presim që çmimet vetëm të bien. Nëse kjo nuk bëhet nga tregtarët, do të pasojnë vendime shtesë për çmimin e miellit”, tha ministri Bekteshi.


Ai nuk e tregoi uljen e re të çmimeve të orizit dhe vezëve për të mos u lënë hapësirë ​​tregtarëve të caktuar që të përgatiten për vendime dhe bëri të ditur se Qeveria do ta shpallë çmimin e saktë ditën kur do të merret vendimi.

Ministri garanton se nuk do të lejojë që kërkesa e shtuar të rrisë çmimet gjatë festave të ardhshme.

“Për çmimin e vezëve jemi më të lirët në rajon, kërkesa është e madhe. Nuk do të lejojmë rritje të çmimeve për shkak të rritjes së kërkesës për shkak të Pashkëve dhe Ramazanit”, tha ministri Bekteshi.

Çmimet e vezëve dhe të orizit, thotë Bekteshi, do të jenë më të ulëta se ato në treg sot.

Kujtojmë se prej më 16 mars edhe zyrtarisht ka hyrë në fuqi vendimi i Qeverisë për zvogëlimin e çmimeve të pastave dhe prodhimeve të qumështit. Në markete, qytetarët do të munden të blejnë pasta më lirë për 15% dhe produkte të qumështit për 10%.

Inspektorati Shtetëror i Tregut paralajmëroi se prej sot inspektorët do të jenë në terren dhe do të kryejnë kontrolle nëse tregtarët kanë vepruar sipas vendimit qeveritar.

“Inspektorët do të veprojnë në kuadër të kompetencave të tyre të cilat dalin nga vendimet, në pajtueshmëri me Ligjin për Tregti. Bëhet fjalë për profesionistë me përvojë në fushën e inspektimit tregtar, që do të thotë se jemi absolutisht të përgatitur të përballemi edhe me këtë sfidë”, tha drejtori i Inspektoratit Goran Trajkovski.

Përndryshe, çmimi i pastave (shpagetave dhe makaronave) është ulur për 8-9 denarë, gjegjësisht minimum për 15%, ndërkaq ulje të çmimit prej më së paku për 10% kanë edhe prodhimet e qumështit (qumësht lope me yndyrë prej 2,8%, 3,2% dhe 3,5%; gjizë; djathë lope, kos, ajkë dhe jogurt pa shtesa). Gjobat për mosrespektim të vendimit qeveritar lëvizin prej 800 deri në 10.000 euro.

Ky është vendimi i dytë për ngrirjen e çmimeve të produkteve ushqimore, pasi që më 28 shkurt Qeveria miratoi vendim për kufizimin e çmimit të bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë në 33 denarë.

Për shkak këtij vendimi, bukëpjekësit filluan me bojkotin e prodhimit të bukës, megjithatë pas dy ditësh, ata e ndaluan grevën.

Në lidhje me çmimin e bukës, Inspektorati Shtetëror i Tregut ka realizuar 300 kontrolle dhe ka lëshuar urdhërpagesa për objektet tregtare në vlerë prej 960.000 denarë, apo mbi 15 mijë euro për mosrespektim të vendimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button