Petrovska nga Brukseli: Nga importuese e sigurisë, Maqedonia e Veriut u bë shtyllë e stabilitetit rajonal

Nga importuese e sigurisë, Maqedonia e Veriut është kthyer në shtyllë të sigurisë dhe stabilitetit rajonal. Kështu ka bërë të ditur sot në mëngjes ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska gjatë takimit në Bruksel me kryetarin e Komitetit ushtarak të Bashkimit Evropian, Robert Brieger, transmeton Portalb.mk.

“Konfirmim i kësaj është pjesëmarrja jonë në operacionin e BE-së në Bosnje-Hercegovinë, ALTEA që nga viti 2006, si dhe pjesëmarrja jonë në grupet luftarake të Unionit. Deri më tani në ALTEA ishin 363 efektivë të ushtrisë, ndërsa në misionin e BE-së në Republikën e Afrikës Qendrore merrnin pjesë gjashtë oficerë të ushtrisë”, tha ministrja në takimin me kreun e Komitetit ushtarak të BE-së.

Në takimin me Briger, Petrovska falënderoi për ndihmën prej nëntë milionë eurosh me të cilën BE-ja e mbështet procesin e pajisjes dhe modernizimit të ushtrisë së vendit. Ajo theksoi se kjo mbështetje nga Fondi Evropian për Paqe tregon se interesimi për marrëdhënie më të ngushta ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe BE-së është i madh.

Gjatë takimit, kryetari i Komitetit ushtarak të Bashkimit Evropian, Robert Brieger, shprehu kënaqësinë që të dyja palët janë ambicioze në synimin e tyre për të forcuar bashkëpunimin në mbrojtje dhe falënderoi për pjesëmarrjen afatgjatë të pjesëtarëve të Ushtrisë së RMV në misione dhe operacionet e Unionit.

Petrovska nga sot ndodhet në vizitë pune disa ditore në Bruksel, ku me ftesë të përfaqësuesit të lartë evropian, Josep Borrell, do të marrë pjesë dhe do t’i drejtohet Forumit të parë të Sigurisë dhe Mbrojtjes Shuman, si dhe do të ketë disa takime të veçanta me përfaqësues të lartë të NATO-s dhe BE-së.

Qëllimi i këtij forumi, siç informohet nga Ministria e Mbrojtjes, është të forcojë bashkëpunimin ndërmjet aktorëve relevantë globalë dhe rajonalë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes dhe të jetë një forum ku do të diskutohen çështjet kyçe të sigurisë dhe mënyrat e forcimit të paqes ndërkombëtare dhe sigurinë.

Kujtojmë se dorëzimi i sistemeve të mbrojtjes kundërajrore në lartësi shumë të ulëta nga Republika e Francës në Maqedoninë e Veriut pritet të ndodhë gjatë vitit 2025. Në fund të vitit të kaluar, në vitin 2022, është paguar kësti i parë i prokurimit të këtyre sistemeve, ndërsa pagesat tjera do të bëhen gjatë viteve 2023, 2024 dhe 2025, thanë nga Ministria e Mbrojtjes, lidhur me prokurimin e paralajmëruar në shtator të vitit të kaluar.

Ministria e Mbrojtjes tashmë ka filluar prokurimi i sistemeve të mbrojtjes kundërajrore në lartësi shumë të ulëta nga Republika e Francës, për të cilat më 29 shtator 2022 është nënshkruar marrëveshje ndërmjet dy Qeverive. Marrëveshja është nënshkruar në vizitën zyrtare të ministres së Mbrojtjes në Paris në tetor të vitit 2022.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button