Nuk është e vërtetë që Putin ka urdhëruar shkatërrimin e vaksinave kundër Covid në Rusi
Ky postim i referohet një artikulli nga portali DainikBidyaloy, i cili është nga Bangladeshi, në të cilin Real Raw News, që është një faqe satirike, citohet si burim i (dez)informacionit se Putin ka urdhëruar shkatërrimin e të gjitha vaksinave kundër Covid në Rusi. Nuk ka asnjë provë që Putini e ka urdhëruar një gjë të tillë, as nuk ka ndonjë deklaratë zyrtare të qeverisë për këtë çështje. Përkundrazi, Ministria e Shëndetësisë e Rusisë njoftoi më 4 mars se kishte rimbushur Sputnik V në pjesë të vendit ku kishte mungesa vaksinash. Disa shërbime të huaja të kontrollit të fakteve kanë vlerësuar se është informacion i pasaktë, raporton Vërtetmatësi.
Një postim në Facebook pretendon se presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar shkatërrimin e të gjitha vaksinave kundër Covid-19 në Rusi. Kjo nuk është e vërtetë. Përkundrazi, Ministria e Shëndetësisë ka dërguar së fundmi stoqe të reja të vaksinave në rajonet ku ato kanë mbaruar.
Në postim thuhet:
Vladimir Putin ka urdhëruar shkatërrimin e të gjitha vaksinave kundër Covid-19 në Rusi
Bashkëngjitur me këtë postim të rremë që qarkullon në rrjetet sociale është një artikull në gjuhën angleze nga portali DainikBidyaloy me bazë në Balngladesh. Si burim informacioni për këtë artikull, Real Raw News citohet si një faqe interneti satirike, e cila më 4 mars 2023, publikoi një artikull me titullin: “Putin urdhëroi shkatërrimin e të gjitha vaksinave kundër Covid-19 në Rusi”. Artikulli pretendon se presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar shkatërrimin e të gjitha stoqeve të vaksinave Covid-19 në tokën ruse, duke përmendur një lidhje të pamohueshme midis të ashtuquajturit “Vax i Moskës” dhe një rritje të papritur të infeksioneve HIV te njerëzit e vaksinuar.
Por ky artikull është satirë dhe vjen nga një burim që e identifikon veten si një faqe interneti që “përmban humor, parodi dhe satirë”.
Epo, edhe pse e ka origjinën nga një faqe interneti satirike ku publikohen histori fiktive, megjithatë, ky artikull është marrë edhe nga portale jo satirike dhe është shpërndarë sikur të ishte i vërtetë. Epo, kështu ka arritur deri te përdoruesit e rrjeteve sociale në gjuhën maqedonase të cilët e ndajnë këtë informacion sikur të ishte e vërtetë.
Gjatë kërkimit në internet, nuk kemi gjetur asnjë raport, lajm, deklarata apo burime të tjera të besueshme që mund të konfirmojnë vërtetësinë e këtij postimi. Nuk ka asnjë provë që Putini ka urdhëruar shkatërrimin e të gjitha vaksinave kundër Covid-19, as nuk ka ndonjë deklaratë zyrtare të qeverisë për këtë çështje.
Përkundrazi, Ministria e Shëndetësisë e Rusisë njoftoi më 4 mars se kishte rimbushur stoqet e Sputnik V, vaksinës ruse kundër Covid-19, në pjesë të vendit ku kishte mungesa vaksinash.
Sipas Ria Novosti, agjencia shtetërore e lajmeve ruse, klinikat e Moskës kanë mbetur pa furnizimet e dozës së parë të vaksinës Sputnik V me dy doza.
Më 5 mars, një ditë pas publikimit të (dez)informacionit që pretendonte se Putini po shkatërron të gjitha vaksinat kundër Covid-19, Ministria Ruse e Shëndetësisë njoftoi në Telegram se së fundmi kishte dërguar disa grupe të vaksinës Sputnik V në Moskë dhe rajone të tjera që raportuan se kishin mungesë furnizimesh.
Furnizimet e vaksinës Sputnik V janë shpërndarë nga Ministria e Shëndetësisë dhe tashmë janë dërguar nga furnizuesi në qytetin e Moskës dhe një numër rajonesh të tjera që kanë raportuar një ulje të furnizimeve të vaksinave, tha Ministria e Shëndetësisë.
Ministria nuk specifikoi se në cilat rajone të tjera ruse ka mungesë vaksinash që duhet të plotësohen.
Ndarja e lajmeve satirike si të vërteta dhe reale po bëhet gjithnjë e më e zakonshme në rrjetet sociale. Përdoruesit nuk e lexojnë deri në fund informacionin, as nuk bëjnë verifikim bazë të fakteve të asaj që lexojnë përpara se ta ndajnë atë në profilet e tyre dhe të manipulojnë ndjekësit e tyre. Kështu, një lajm satirik mund të marrë shumë viralitet sikur të jetë i vërtetë dhe të mashtrojë shumë njerëz, siç është shembulli me këtë postim.
Sipas të gjitha fakteve të deklaruara, mund të konkludojmë se Putin nuk ka urdhëruar shkatërrimin e të gjitha vaksinave kundër Covid-19 në Rusi. Dhe disa shërbime të huaja të kontrollit të fakteve gjithashtu vlerësuan se bëhet fjalë për informacion të pasaktë.