Kriza energjetike, Struga me apel deri te të rinjtë të përdorin biçikletat (FOTO)

Përderisa Maqedonia e Veriut përballet me krizën energjetike, të rinjtë e Strugës janë aktivizuar për të promovuar zgjidhje ekologjike për të ulur varësinë nga energjetika. Ata sot ishin pjesë e një aksioni që ndërgjegjëson dhe motivon të rinjtë të përdorin sa më shumë biçikletat si një mënyrë ideale drejt një të ardhme sa më ekologjike. Aksioni gjithashtu kishte dhe qëllim informues mbi ndihmën financiare me të cilën Bashkimi Evropian e mbështet RMV-në për ballafaqim me krizën energjetike dhe për investimet në burimet e qëndrueshme dhe të ripërtrishme të energjisë, shkruan Portalb.mk.

Të rinjtë në Strugë, foto nga Shefkije Alasani

Të rinjtë mundet të luajnë në rol të rëndësishëm në uljen e varshmërisë energjetike duke shfrytëzuar sa më shumë alternativa ekologjike. Për t’i ndërgjegjësuar dhe për informuar rreth politikave të gjelbra, Shefkije A. Dika, aktiviste dhe pjesë e rrjetit të Ambasadorëve të Rinj Evropian, organizoi në Strugë një aksion simbolik me biçikleta me një grup të rinjsh, si forma më e mirë ekologjike që mundet të zbatohet në këtë qytet.

Shefkije A Dika – aktiviste

“Ky është një aksion ndërgjegjësues dhe informues me një grup të rinjsh. Aksioni vullnetar është iniciativë e imja si aktiviste dhe ambasadore e re evropiane për ti vetëdijesuar të rinjtë se ata mundet të luajnë një rol kyç për një të ardhme më ekologjike. Momentalisht të gjithë po përballemi me një krizë të ashpër energjetike, dhe është momenti të kuptojmë se është shumë e rëndësishme të ulet varësia nga energjetika. Në këtë rast përdorimi i biçikletës si zgjidhje ekologjike është shembulli më i mirë që mundet të promovohet në qytetin e Strugës. Në fakt përmes kësaj zgjidhje ne jo vetëm që e reduktojnë emetimin e lëndëve të dëmshme në ajër po ndikojmë që të ketë më pak kaos trafiku në qytet dhe padyshim që i bëjmë një shërbim shumë të madh shëndetit tonë”, deklaroi Shefkije A. Dika.

Aksioni u përkrah edhe nga struganë të tjerë të cilët janë shembull në shoqëri kur bëhet fjalë për përdorimin e biçikletës si mjet për ti mbaruar punët por edhe si hobi.

Shkëlzen Ajrulli- çiklist nga Struga

“Si një person që mik më të mirë ka biçikletën dhe si pjesëtarë i kryesisë në klubin e çiklizmit “Struga Eagels”, mbështes fuqishëm çdo iniciativë që ka për qëllim promovimin e biçikletës si zgjidhje ekologjike. Duke përdorur biçikletën i bëjmë shumë mirë natyrës por edhe më mirë shëndetit tonë, kohës tonë madje dhe xhepit”, u shpreh Shkëlzen Ajrullai.

Nga ana tjetër, nxënësit e shkollave të mesme, shprehen entuziastë dhe mendojnë se në shoqërinë ka nevojë që të rinjtë të njoftohen dhe të motivohen për zbatimin e masave ekologjike.

“Edhe pse nxënës së shkollave të mesme, edhe ne e kemi ndjerë krizën energjetike me të cilën përballemi. Ti fikim dritat kur s’jemi në shtëpi ose të përdorim dritat LED nuk janë të mjaftueshme. Jam e lumtur që sot bashkë me moshataret e mi japim një shembull të bukur se si mundemi të jemi me ekologjik”, tha Blenda, nxënëse e shkollës së mesme.

Biçikleta si zgjidhje ekologjike -Strugë 03.2023

Në përballje me krizën energjetike, BE siguroi ndihmë financiare prej 80 milionë euro për Maqedoninë e Veriut, si ndihmë e drejtpërdrejtë në buxhetin e vendit për ulje të barrës financiare imponuar nga çmimi i lartë i energjisë për familjet, bizneset dhe institucionet e rrezikuara. BE po ashtu mbështet tranzicionin e gjelbër të vendit përmes investimeve në burime ekologjike të energjisë.

Qëllimet e pakos ekonomike për përballje me krizën energjetike janë: ndihmë për familjet në rrezik social, mbështetje për konsumatorët e energjisë elektrike nëpër shkolla dhe spitale si dhe ulje e varshmërisë energjetike. Me ndihmën financiare nga BE janë paraparë edhe investime në burime të qëndrueshme dhe të ripërtërishme të energjisë, masa për efikasitet më të mash energjetik dhe zbatim i zgjidhjeve ekologjike. Investime kyçe në ballafaqimin me krizën energjetike janë: parku i centraleve me erë “Bogdanci” dhe vënia në funksion e 6 hidrocentraleve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button