RMV, burimet nëntokësore nuk i ruan askush, edhe pse pa to pothuajse i gjithë vendi nuk do të ketë ujë të pijshëm

Ujërat nëntokësore në vend pothuajse nuk kanë mbrojtje, edhe pse i gjithë Shkupi dhe 70 për qind e komunave pinë ujë nga këto burime. Ministria e Mjedisit promovoi sot Programin dhjetëvjeçar për menaxhimin, përdorimin dhe mbrojtjen e ujërave nëntokësore në Maqedoninë e Veriut, i cili do të realizohet me mbështetjen e Qeverisë zvicerane përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe me të cilën do të duhet të vendoset menaxhim afatgjatë, shumënivelësh, sistematik dhe i qëndrueshëm i burimeve ujore nëntokësore, transmeton Portalb.mk.

Në kushtet kur numri i banorëve është vazhdimisht në rritje, e bashkë me të edhe nevojat për ujë të pijshëm të pastër, njerëzimi përballet me ndryshimet klimatike, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në ujërat nëntokësore dhe reduktojnë rezervat në nivel global. Në botë, vetëm 2.5 për qind e ujërave janë jo të kripura dhe 65 për qind e tyre janë nën akull. Vetëm 1.2 për qind e ujit të ëmbël është mbi tokë, dhe rezervat më të mëdha të ujit të pijshëm janë nën tokë.

Ministrja e Mjedisit Kaja Shukova tha sot se autoritetet janë të vetëdijshme për rëndësinë e këtyre burimeve dhe se pikërisht për këtë po fillohet ky projekt.

“Ujërat nëntokësore janë një burim jashtëzakonisht i rëndësishëm jo vetëm për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, por edhe në përgjithësi për mbijetesën e ekosistemeve, veçanërisht në kushtet kur pasojat e ndryshimit të klimës janë të dukshme. Për zbatimin me sukses të Programit nevojiten veprime të koordinuara në disa drejtime, duke përfshirë miratimin dhe zbatimin e plotë të kuadrit legjislativ për ujërat dhe direktivat përkatëse të BE-së, si dhe investime të vazhdueshme në edukimin e ekspertëve të ujërave nëntokësore”, theksoi Shukova.

Ajo sqaroi gjithashtu se Programi për menaxhimin, përdorimin dhe mbrojtjen e ujërave nëntokësorë është konceptuar në bazë të parimeve të koncepteve dhe qasjeve moderne të menaxhimit të ujërave nëntokësorë, të cilat fokusohen në zbatimin efikas dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve.

Ambasadorja e Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, SH.S. Veronique Hulmann theksoi se Zvicra gjatë njëzet viteve të fundit ka investuar në vendin tonë për të përmirësuas qasjen në ujë të pijshëm, financimin e objekteve për pastrimin e ujit dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor.

Me këtë program të ri do të mbështesim Maqedoninë e Veriut në përmirësimin e menaxhimit, përdorimit dhe mbrojtjes së ujërave nëntokësorë në mënyrë të qëndrueshme dhe transparente – tha ajo.

Qëllimi i Programit është të mbështesë Maqedoninë e Veriut në vendosjen e një menaxhimi afatgjatë, shumë nivelesh dhe sistematik të ujërave nëntokësorë, dhe të përmirësojë kapacitetet e shërbimeve shtetërore, 0fruesve të shërbimeve dhe shoqërisë civile për të zbatuar dispozitat për një kornizë të integruar në menaxhimin e ujërave në përputhje me të drejtën e BE-së për mjedisin jetësor.

Mjetet totale të planifikuara për realizimin e Programit janë në shumë prej 530 mijë franga zvicerane. Programi është konceptuar si një program dhjetëvjeçar dhe zbatimi i fazës së parë duhet të përfundojë brenda dhjetorit 2027.

Burimet ujore në vend janë të shpërndara në mënyrë të pabarabartë, gjë që shkakton mungesë uji në shumë lokacione dhe në disa zona rreth 40 për qind e nevojave për ujë nuk plotësohen gjatë viteve të thata. Gjatë periudhave kur lumenjtë thahen, cilësia e ujit është nën standardet minimale biologjike. Presioni mbi burimet ujore pritet të rritet në të ardhmen, me rritjen e popullsisë dhe rritjen e kërkesës për ujë në bujqësi dhe industri. Ndryshimet klimatike krijojnë presion shtesë dhe rrisin probabilitetin e thatësirave afatgjata, kjo është arsyeja pse ujërat nëntokësore do të luajnë një rol kyç në përshtatjen e vendit ndaj ndryshimeve klimatike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button