Zyrtarët e BDI-së: Rrallë të gjykuar, edhe më rrallë të dënuar

Hetimet dhe gjykimet e zyrtarëve partiakë gjithmonë janë në fokus të publikut. Por, kur bëhet fjalë për zyrtarët e BDI-së, rezultat i tyre në të shumtën e rasteve janë gjykimet maratonike, lirimet nga akuzat apo dënimet me kusht, shkruan BIRN Maqedoni.

A vlen drejtësia për anëtarët e BDI-së, e pyetëm partinë që ta riafirmojnë qëndrimin e tyre të dhënë për BIRN me rastin e 20 vjetorit të stazhit politik. Nga atje na thanë se nuk pajtohen me pretendimin se nuk ka përgjegjësi për zyrtarët e tyre dhe se përshtypja e tillë bazohet në propagandë.

BIRN hulumtoi se si është rezultati i trembëdhjetë rasteve të profilit të lartë në të cilët janë të përfshirë zyrtarë të BDI-së ose të afërmit të tyre. Sipas rezultatit, gjysma e rasteve as që kanë arritur deri në gjykatë.

Rastet që kanë arritur deri në gjykatë kanë përfunduar me dënime me kusht, janë refuzuar, ose ende zgjasin, ose më saktësisht nga shtatë çështje gjyqësore hasëm në tre dënime me kusht, një të refuzuar, dy gjykime që ende po vijojnë dhe vetëm një vendim me burgim të formës së prerë.

Cakto, anulo

Jahi Jahiu
Jahi Jahiu

Në maj të vitit 2021 shteti i ktheu Komisionit Evropian 1.7 milionë euro për keqpërdorim të fondeve evropiane. Shkak është hetimi ndaj ish-sekretarit shtetëror nga radhët e BDI-së në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jahi Jahiju dhe një të pandehure tjetër.

Hetimin e udhëhiqte Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, me Eurodrejtësinë dhe Zyrën Kundër Mashtrimeve të BE-së, OLAF.

Edhe pse shteti para gati dy viteve i ktheu paratë, gjykata ende nuk ka vendosur nëse Jahija dhe bashkëpunëtorja e tij janë fajtorë.

Dy gjykimet e fundit dhe ai i sotmi i muajit mars u shtynë për pesë minuta.

“Seanca shtyhet për më datë 5 prill në ora 12”, tha këtë mëngjes gjykatësja Vaska NikollovskaMasevska, me një sqarim të shkurtër sipas të cilit shkaku për shtyrjen është mosardhja e avokatit të të pandehurës së dytë për shkaqe shëndetësore.

Në gjykatë në të dyja seancat nuk erdhi prokurorja Maja Koneska. Herën e parë, në fakt, në gjykatë nuk kishte fare prokuror, ndërsa në seancën e dytë të shtyrë, prokuroren kompetente e zëvendësonte kolegia e saj, Susana Mirçevska.

Pastaj radhën e kanë provat e të pandehurve, që duhet të fillojnë t’i paraqesin në gjykatë. Sipas kësaj dinamike, del se gjykata cakton nga një gjykim në muaj.

Me një “shpejtësi” edhe më të ngadalshme janë zhvilluar procese të tjera gjyqësore për zyrtarët e BDI-së. Ka edhe të tilla të cilat zgjasin edhe një dekadë e gjysmë.

Për shembull, të rrallë janë ata që mbajnë mend Alil Paloshin – ish drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Menaxhimin me Objektet Sportive, i cili është kuadër i BDI-së.

Ishte i akuzuar për dhënie me qira me çmime shumë të lira të pronave shtetërore sepse nga viti 2003 deri në vitin 2005 ka lidhur kontrata me të cilat ka dhënë me qira objekte shtetërore, si pishina “Мlladost“, objekti sportiv “Partizan“, Hapësira e notit në Strugë dhe objekte të tjera shtetërore për qira minimale mujore.

Me këtë, siç thonë nga prokuroria, ai e ka dëmtuar buxhetin shtetëror për rreth 10 milionë euro.

Që atëherë kanë kaluar 16 vjet.

Në atë kohë, gjykimi në shkallë të parë, në të cilin i pandehur ishte vetëm Paloshi, ka zgjatur pothuajse katër vite. Në vitin 2011 është dënuar me dënim me kusht në kohëzgjatje prej një viti burgim (i dënuar me kusht me një vit). Që atëherë Gjykata e Apelit dy herë e ka anuluar lëndën dhe e ka kthyer atë nga fillimi.

Në fund gjykatësja Fanka Jançuleva – Mihaillovska në „raundin“ e tretë në vitin 2020 e refuzoi aktakuzën për Paloshin. Tani lënda është në Gjykatën e Apelit e cila duhet ta vërtetojë, ta anulojë ose ta ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë.

Liderët si teflon për hetime dhe akuza

Ali Ahmeti, foto nga Facebook-u zyrtar

Ali Ahmeti është lider i ish-UÇK-së nga viti 2001. Shteti maqedonas e akuzoi për krime lufte në lëndën “Udhëheqja e UÇK-së”. Aktakuza u dërgua, e më pas u kthye nga Haga. Përfundoi me аmnistinë e 2011-ës.

Ahmeti, bashkë me Musa Xhaferin është pjesë e procedure parahetimore për korruptim të tre politikanëve maqedonas në aferën Теlekomi, e cila tashmë për një kohë të gjatë nuk lëviz nga vendi. Pritet që të përfundojë lënda e parë për rastin për tre biznesmenët hungarez, të cilët ishin ish drejtorë të kompanisë. Ky gjykim zgjat tashmë për 11 vjet.

Në mesin e lëndëve të PSP-së që tërhiqnin vëmendjen e publikut ishin edhe ata që kishin të bënin me zyrtarët më të lartë të partisë. Të gjitha përfunduan pa aktakuzë.

Lideri i BDI-së ishte i akuzuar në rastin “Regjistrimi”, ndërsa Bujar Osmani në hetimin për rastin “Pacienti”.

Ahmeti u paraqit për tu marrë në pyetje në PSP, te prokurorja Fatime Fetai, por kjo ndodhi vetëm kur bombat me ligj e humbën fuqinë provuese, kështu që hetimi u ndërpre.

Në muajin mars të vitit të kaluar prokuroria akuzoi dhjetëra persona në rastin “Pacienti”, dhe vetëm tek Osmani nuk konstatuan përgjegjësi penale, sepse konstatuan që “nuk ka pasur vetëdije dhe vullnet për kryerjen e veprës penale keqpërdorimi i pozitës dhe autorizimeve zyrtare”.

Nga hetimet e PSP-së, vetëm një aktgjykim final për funksionar të BDI-së

Deputeti i BDI-së, Ejup Alimi
Deputeti i BDI-së, Ejup Alimi

Ejup Alimi dhe Ismet Guri ishin dy të parët nga pesë zyrtarët e BDI-së të dyshuar nga ish-PSP-ja në rastin Titaniku 3. Sipas aktakuzës, ata kanë shkatërruar material zgjedhor.

Rasti që kishte start të dobët dhe që po në atë mënyrë edhe vazhdoi, sot u shty. Për arsye të ndryshme u ndryshuan disa gjykatëse, ndërsa dinamika e gjykimit ishte “nisu-ndalo”. Kjo u pa që në seancat e para, kur Alimi nuk paraqitej në seanca, me arsyetimin se ka qenë në udhëtim zyrtar në Tiranë, ose se ka qenë në Kuvend në një takim koordinues me partitë politike.

Sipas datave aktakuza për ato ka qenë e parashtruar në qershor të vitit 2017. Nga ana tjetër, aktgjykimi i shkallës së parë, është shpallur në vitin 2020 dhe anuluar në vitin 2021.

Një hije dyshimi për ndikim nga BDI-ja në këtë lëndë hodhi pritja e gjatë e Gjykatës së Apelit për mendimin e prokurorit të lartë në Shkup Dilaver Bekteshi, por më shumë fakti që ai i propozoi gjykatës që t’ua kthejë të akuzuarve pasaportat e marra përkohësisht, diçka që ndodh rrallë në praktikën gjyqësore.

Fotografitë në profilin në Facebook të Bekteshit që nuk e fshehin afërsinë me BDI-në dhe me Ali Ahmetin, ngjallën dyshime tek publiku për paanshmërinë e tij.

Prokurori i lartë Dilaver Bekteshi me liderin e BDI-së | Foto: Profili i Bekteshit në FB
Prokurori i lartë Dilaver Bekteshi me liderin e BDI-së | Foto: Profili i Bekteshit në FB

Seanca e muajit shkurt u shty. Në gjykatë nuk u paraqitën të pandehurit dhe avokati.

Në vitin 2019 u refuzua procedura penale ndaj ish-ministrit Lirim Shabani nga radhët e BDI-së. Atë dhe dy persona të tjerë në vitin 2018 Policia Financiare i denoncoi në Prokurorinë e Shkupit, sepse në një projekt me IPA fondet, të dedikuar për asistencë teknike të Ministrisë për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë, kanë lidhur dhe nënshkruar kontrata për shërbime konsulence për persona që janë në marrëdhënie të rregullt pune në atë Ministri.

Kështu ishte edhe me kryetarin e Sarajit, Blerim Bexheti. Antikorrupsioni ngriti kallëzim penal ndaj tij për shkak se duke mos ndërmarrë masa, ka lejuar që në Matkë të ndërtohen platforma pa leje.

Nga ana tjetër, prokuroria ka konstatuar se “me veprimet e tij i denoncuari nuk ka përfituar dobi pronësore të kundërligjshme për vete apo për një person tjetër dhe as nuk i ka shkaktuar dëm ndonjë subjekti”.

Sulejman Dervishi është ish-drejtori i shkollës fillore “Rexho Rushit Zajazi” në Zajaz. Ai është ndër të rrallët zyrtarë të BDI-së që është dënuar për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar.

Në rastin me të cilin u akuzua Dervishi në vitin 2017, i quajtur “Tabela”, PSP-ja tashmë e shuar e akuzonte atë për lidhjen e kundërligjshme të kontratës për ndërtimin e një shkolle të re në fshatin e Strogomishtit të Epërm në vitin 2006.

Dervishi u deklarua fajtor. Ai u dënua me dy vjet burg me kusht dhe do të shkojë në burg nëse pesë vjet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit dënohet për një vepër të re penale.

Ka edhe raste të tjera që përfundojnë me aktgjykime dënuese për zyrtarët e BDI-së, por ata marrin dënime me kusht.

Për shembull, i tillë është rasti i kryetarit lokal të degës së BDI-së në Ohër, Nefi Useini, për të cilin mediat me vite kanë raportuar se ka ndërtuar një tarracë pa leje afër Çinarit. U njoftua për prishje, por kjo nuk u bë. Pas katër vitesh, prokuroria ngriti aktakuzë.

Vitin e kaluar, Useini u gjobit me para për rrahje të një kolegu, për veprën penale dhunë, për të cilën parashihet një dënim nga tre muaj deri në tre vjet.

Butë edhe për të afërmit dhe simpatizantët problematik

Me sa duket jo vetëm ata kryesorët, por edhe të afërmit e zyrtarëve të BDI-së, madje edhe simpatizantët e kësaj partie përfundojnë me dënime të vogla, dënime me kusht ose gjobiten me para ose, edhe, pa masa në fazën e hetimit.

Asani me Ramiz Merkon me logon e BDI-së | Foto: Profili i Asanit në Facebook
Asani me Ramiz Merkon me logon e BDI-së | Foto: Profili i Asanit në Facebook

Rrjetet sociale ishin përplot me reagime për aktgjykimin për gjinekologun strugan dhe ish-drejtorin e spitalit, Muhamed Asani, i cili u dënua me dy vjet burgim me kusht për shkak se kishte ekzaminuar pa leje gra shtatzëna në shtëpinë e tij. Asani, nga ana tjetër, në rrjetet sociale nuk e fsheh se është simpatizant i BDI-së.

Në këtë listë është edhe nipi i Ali Ahmetit, tek i cili në janar të këtij viti policia gjeti 10 gramë marihuanë, një peshore dhe katër fishekë të kalibrit të ndryshëm.

Edhe pse në raste të ngjashme në të cilat është gjetur marihuanë dhe armë për të dyshuarit është kërkuar masa e paraburgimit, nga Prokuroria e Strugës për BIRN thonë se “në rastin konkret, prokurori publik kompetent ka vlerësuar se në këtë moment nuk janë plotësuar bazat ligjore që të kërkojë masë paraburgimi.”.

Rast identik ishte edhe ai me djalin e Musa Xhaferit, Arianitin, të cilin publiku e njoftoi vitin e kaluar kur e sulmoi publikisht kryetarin e Komisionit Rregullator për Energjikë, Marko Bislimovski. Ai në gjykatë pranoi se ishte fajtor, e kështu mori një dënim me kusht.

Ky nuk është aktgjykimi i parë për Arijanit Xhaferin.

Në vitin 2014 ai është akuzuar dhe dënuar për cënim të sigurisë në komunikacion dhe është dashur të paguajë një gjobë prej 500 euro. Gjykata e Apelit e ka konsideruar të vogël këtë gjobë, kështu që e ka dënuar me burg efektiv prej një viti e dy muaj.

Por Xhaferi ka dorëzuar kërkesë për përsëritjen e procedurës për shkak se është gjykuar në mungesë. Gjykata ia ka miratuar kërkesën dhe e ka shfuqizuar dënimin me burg dhe e ka dënuar me 300 euro. Vendimi është i formës së prerë.

Në vitin 2015, policia e arrestoi Armend Fazliun, nipin e nënkryetarit të atëhershëm të Kuvendit, Rafiz Aliti, me dyshimin se me dështim në mbikëqyrje ka lejuar të ndodhë zjarri i madh te “Posta e Maqedonisë”.

Lënda u përfundua me dënim dy vjeçar me burg, të cilin Gjykata e Apelit e zvogëloi në një vjet e gjysmë. Në fakt ky është dënimi i vetëm me burg në aktgjykimet që i analizoi BIRN.

Shkruaj – Fajin e ka karrotreci

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, në janar të vitit 2019, parashtroi kallëzim në Prokurori për një zbrazëtirë në sistemin pensional, më saktësisht për shkak se për rreth 12 mijë të siguruarve nuk u janë shpërndarë aspak kontributet e paguara në shtyllën e dytë private.

Edhe pse dihej se kush ishin drejtorët e FSSHP-së, kallëzimi u bë ndaj “personave të panjohur”.

Përfaqësuesit e BDI-së kanë reaguar ashpër në mbrojtje të drejtuesve të institucionit. Pas pesë muajsh, Prokuroria e hodhi poshtë kallëzimin.

Me “happy end“ përfundoi edhe “elektriciteti“ mes polices Јаsmina Angeleska dhe ish kryetarit të degës së BDI-së në Çair, Bekir Asani, i cili në publik njihet për disa raste të kërcënimit me dhunë.

Policia fillimisht raportoi se gjatë ngritjes me karrotrec të automjetit të Asanit të parkuar në mënyrë jo të rregullt, ai e ka sulmuar verbalisht dhe është sjellur në mënyrë agresive ndaj polices që ndodhej në vendngjarje. Menjëherë pas kësaj, ajo dëshmoi se Asani nuk e ka lënduar dhe ai, gjykuar nga mediat, ka vazhduar të parkojë në mënyrë jo të rregullt në të njëjtin vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button