Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nenin që kufizon zgjedhjen e kryetarit të Këshillit Gjyqësor vetëm me anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi

Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nenin 8 paragrafi 3 në pjesën “të cilët janë zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nga Ligji për Këshillin Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Dispozita e plotë thotë se kryetari i Këshillit dhe zëvendësi i tij zgjidhen nga radhët e anëtarëve të Këshillit me të drejtë vote, të cilët i zgjedh Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjykata vlerësoi se është antikushtetues kufizimi i zgjedhjes së kryetarit dhe zëvendësit të tij të Këshillit Gjyqësor vetëm për anëtarët që zgjidhen nga Kuvendi, ndërsa anëtarët e tjerë të Këshillit me të drejtë vote janë të përjashtuar”, njoftuan nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, pjesa e shfuqizuar e nenit të përmendur është në kundërshtim me shtetin ligjor dhe ndarjen e pushtetit shtetëror.

Duke pasur parasyshë se bëhet fjalë për lëndë të formuar në vitin 2020, ndërsa paraprakisht dy herë u shty për mungesë shumice, sot në të njëjtën lëndë, u shtua në rend dite.

Në të njëjtën seancë, Gjykata Kushtetuese e anuloi edhe Vendimin e Komunës së Kumanovës, me të cilin mundësohet ndërtimi i objekteve të banimit jashtë zonës qendrore të qytetit, gjegjësisht.: “Vendimi për zbatim dhe planifikim të sipërfaqeve të ndërtimit me qëllim A2 në parcelat që ndodhen jashtë zonës qendrore të qytetit brenda kufirit të zonës ndërtimore të Kumanovës, me numër 09-5643/4” të datës 12.07.2022. Është anuluar edhe Konkluzioni nr. 08-5915/1 i miratuar më 12 korrik 2022 për publikimin e Vendimit që përmban dispozitat kontestuese.

“Gjykata e vlerëson këtë vendim si në kundërshtim me sundimin e ligjit të parashikuar në nenin 8 të Kushtetutës, në kundërshtim me nenin 51 dhe nenin 52 paragrafi 4, i cili parashikon se ligjet dhe dispozitat e tjera nuk mund të kenë fuqi prapavepruese, si dhe në kundërshtim me nenin 23 paragrafi 1, neni 24 dhe nenet 55 dhe 56 të Ligjit për Planifikim Urban. Përndryshe, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se vendimi prek drejtpërdrejt procedurat e filluara për marrjen e lejes së ndërtimit dhe vendos detyrimin për qytetarët që kanë filluar procedurat, por nuk kanë marrë konfirmimin e vërtetimit të dokumentacionit të projektit, të rifillojnë procedurën nga fillimi. Gjykata Kushtetuese vlerëson se kjo sjell pasiguri juridike dhe qytetarët përballen me pasoja të vështira për t’u hequr”, njoftuan nga Gjykata kushtetuese.

Kujtojmë se ditë më parë, Gjykata Kushtetuese mori edhe vendimin që funksionarët që do të shkarkohen ose do të japin dorëheqjen para përfundimit të mandatit të tyre, nuk do të kenë më të drejtën e kompensimit monetar, gjegjësisht apanazhit që iu takonte në një periudhë prej tre deri në 12 muaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button