Sot do të vazhdojë debati në komisionin parlamentar për propozimin e Joveskit gjyqtar kushtetues

Sot në Kuvend është caktuar seanca e Komisionit për zgjedhje dhe emërime, e cila duhet të vazhdojë debatin për përcaktimin e Propozimit për zgjedhjen e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, transmeton Portalb.mk.

Anëtarët e Komisionit duhet të vazhdojnë me debatin për propozimin që prokurori publik Lubomir Joveski të jetë gjyqtar kushtetues.

Në fund të tetorit të vitit të kaluar, Kuvendi zgjodhi gjyqtarin e Gjykatës së Apelit në Shkup, Fatmir Skënderin dhe këshilltaren për legjislacion civil, Tatjana Vasiq-Bozaxhieva për gjyqtarë të rinj kushtetues.

Joveski është i fundit nga nëntë kandidatët për të cilët duhet të diskutojë Komisioni. Atë e kanë propozuar deputetët e LSDM-së.

Pasi të mbarojë diskutimi në Komision për Joveskin, i cili kur të vijë në votim pritet të marrë mbështetje nga ky trup kuvendor, tre propozimet për gjykatës kushtetues më pas duhet që të votohen në seancë kuvendore.

Gjykata Kushtetuese në janar të këtij viti i bëri thirrje Kuvendit që të zgjedhë tre gjykatës, me qëllim që Gjykata të funksionojë pa probleme siç është paraparë me Kushtetutë.

“Mbetet thirrja drejtuar Kuvendit dhe Këshillit Gjyqësor, që duhet të propozojë një nga gjykatësit, këtë ta bëjnë sa më shpejt”, deklaroi atëkohë zëdhënësja e Gjykatës Kushtetuese, Hristina Bellovska.

Ajo përkujtoi se nga 7 dhjetori i vitit të kaluar, Gjykata funksionon me gjashtë nga nëntë gjykatës të paraparë  për shkak të përfundimit të mandatit të gjykatëses Vangelina Markudova.

“Që të merret një vendim i Gjykatës nevojiten të paktën pesë  vota “për”. Gjykata është organ kolektiv ku çdo gjykatës ka të drejtën e mendimit të tij, i cili mund të jetë i ndryshëm nga ajo që e thonë kolegë e tij. Kjo do thotë se shumë shpesh përballemi me një situatë ku propozimet  të mos marrin shumicën sepse  për shembull, ndodh që tre gjykatës të votojnë “për”, ndërsa tre nuk janë dakord me atë propozim, ose katër e mbështesin propozimin, ndërsa  dy janë kundër”, shpjegoi Bellovska.

Gjykatën Kushtetuese e përbëjnë nëntë gjykatës. Kryetarin e zgjedh Gjykata nga radhët e gjykatësve për një periudhë trevjeçare, pa të drejtë rizgjedhjeje. Gjykatësit i zgjedh Kuvendi për një periudhë nëntëvjeçare pa të drejtë rizgjedhjeje. Gjykatësit  e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen nga radhët e juristëve të shquar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button