Pas hyrjes së ASH-së në Qeveri, organizatat civile i kërkojnë Qeverisë të mos emërohen drejtorë të pakualifikuar

Platforma e organizatave qytetare për luftë kundër korrupsionit ka dërguar letër të hapur për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut në lidhje me emërimin përkatës dhe ligjor të zyrtarëve të lartë dhe drejtorëve nga ana e Qeverisë, njofton Portalb.mk.

“Në lidhje me emërimin e paralajmëruar të udhëheqësve dhe zëvendësudhëheqësve në disa institucione publike dhe ndërmarrje publike, pas marrëveshjes së re koaliconuese, Platforma e organizatave qytetare rikujton në angazhimet programore të Qeverisë së Maqedonisë së veriut për profesionalizim të administratës”, thuhet në letrën e hapur.

Ata e rikujtojmë Qeverinë që gjatë emërimit të udhëheqësisë profesionale në sektorin publik, ka për detyrë të sigurojë procedurë konkurruese, nëpërmjet shpalljes publike.

“Për atë qëllim, Qeveria, patjetër të heqë dorë nga negocimet koalicionuese për pozitat profesionale në sektorin publik. Në rrugën drejt Bashkimit Evropian, Qeveria ka për obligim që para qytetarëve t’i zgjedh udhëheqësit më të mirë, që të mundësojë institucione që do të sigurojnë shërbime cilësore. Qytetarët i meritojnë kuadrot më të kualifikuara”, thonë nga Platforma e organizatave qytetare për luftë kundër korrupsionit.

Se do të miratohet ky ligj edhe sektori civil shprehu skepticizëm, duke i pasur parasysh interesat partiake për udhëheqje me drejtoritë, pa marrë parasysh kualifikimin e tyre përkatës.

Se është i vështirë departizimi i administratës, më së miri e tregoi tanimë ish-ministri Admirim Aliti, i cili gjatë një ngjarje publike deklaroi se “pozicionet e larta udhëheqëse në konstalacionin aktual janë gjahu kryesor, të cilin e fitojnë partitë gjatë marrjes së pushtetit. Për atë, pranimi i ligjit dhe harmonizimi me mendimin e të gjithë aktorëve politik shkon ngadalë”.

Ky ligj parashikon që drejtorët në institucionet përkatëse do të duhet të zgjidhen sipas meritokracisë dhe në mënyrë transparente, në vend që analfabetë të emërohen udhëheqës të institucioneve që kanë rëndësi për funksionimin e shtetit dhe ndikojnë në cilësinë e jetesës së qytetarëve.

Në ndërkohë, ende nuk janë miratuar as edhe dy ligjet tjera të cilat, gjithashtu parashikojnë reformim të administratës, gjegjësisht Ligji për të Punësuarit në Sektorin Publik dhe Ligji për Zyrtarë Administrativ. Ligjet, premtohen me vite nga qeveria, por që prej nëntorit të vitit 2020 ndodhen në sistemin “ENER” dhe deri më tani janë publikuar disa versione. Sindikata e Administratës kërkoi që fillimisht të miratohet Ligji për Shërbim të Lartë Udhëheqës apo për drejtorë profesional në vend të emërimeve partiake pa kriter.

Portalb.mk, në tekstin për reformat e administratës për vitin 2022, shkruajti se Maqedonia e Veriut vazhdon të bëjë përpjekje për reformimin e administratës, pavarësisht se premtimet e njëjta sillen me vite dhe assesi nuk po realizohen dhe nuk po bëhen të prekshme për qytetarët. Administrata publike gjatë vitit 2022, ashtu sikur gjatë vitit 2021, ishte në qendër të kritikave se reformat nuk po zhvillohen me dinamikën e nevojshme. Administrata ende përballet me partizim të institucioneve dhe mungesë të kuadrit profesional, si dhe me shërbime jo-efikase dhe procedura pjesërisht të digjitalizuara.

Reformat në administratë për Maqedoninë e Veriut, përveç që janë nevojë për qytetarët, ata janë edhe kusht për integrimin e vendit në BE. MSHIA është bartësi i procesit reformues, gjegjësisht ajo ka hartuar Strategji për Reformën e Administratës Publike 2018–2022 e cila i përcakton masat të cilat duhen të ndërmerren në pesë vite për të arritur qëllimet e përgjithshme dhe specifike të përcaktuara në secilën prej fushave prioritare. Në ndërkohë po përgatitet edhe Strategjia për Reformën e Administratës Publike 2022-2030 e cila duhet të miratohet deri në fund të vitit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button