Eurodeputeti: Vuçiqi e shfrytëzon BE-në si bankomat pastaj e refuzon
Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, i ka kërkuar Komisionit Evropian t’i shpjegojë se përse vazhdon ta financojë Serbinë dhe t’i ndihmojë pushtetit të Vuçiqit në Serbi, derisa ai refuzon të nënshkruajë marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE-ja me Republikën e Kosovës, raporton Koha.net.
Reuten ka shkruar në Twitter se Vuçiqi po e shfrytëzon BE-në si bankomat të saj. Ai ka kërkuar që të ndalet financimi i Vuçiqit.
“Sot, i kërkova Komisionit Evropian (KE) të shpjegojë politikën e saj të pakuptueshme ndaj Serbisë. Vuçiqi përdor Bashkimin Evropian si bankomat të tij, pastaj kthehet dhe refuzon të nënshkruajë marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE-ja me Republikën e Kosovës. Ndaloni këtë financim vetëshkatërrues të obstruksionizmit të Vuçiqit”, ka shkruar Reuten.
Në letrën e tij dërguar KE-së, Reuten shkruan se ky organ i BE-së i ndau së fundmi grante në vlerë prej 600 milionë euro Serbisë, derisa siç ka shkruar, në të njëjtën ditë, Vuçiqi doli para gazetarëve për të paraqitur mosgatishmërinë e tij për të nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën
Ai ka pyetur në letrën e tij se çfarë hapash do të ndërmarrë BE-ja për ta detyruar Serbinë që ta nënshkruajë marrëveshjen me Kosovën.