RMV, ministrat e rinj morën edhe zyrtarisht funksionet nga paraardhësit e tyre

Sot në Ministrinë e Drejtësisë, Shëndetësisë dhe të Shoqërisë Informative dhe Administratës u zhvilluan ceremonitë e pranim-dorëzimit të deytrës ministrave paraprak dhe atyre tashmë aktual, transmeton Portalb.mk.

Admirim Aliti dhe ministrit të sapoemëruar, Azir Aliu i uruan njëri-tjetrit shumë suksese dhe dëshiruan përballje efikase me sfidat që pritet të ballafaqohet ky departament.

“Paraardhësit e mi filluan disa procese vërtetë të rëndësishme dhe projekte në fushat siç janë digjitalizimi, siguria kibernetike dhe zhvillimi i teknologjive të informatikës dhe komunikimit, të cilat së bashku me projektet e reja që po përgatisim me ekipin tim, presim të ndikojnë ndjeshëm në përmirësimin dhe transformimin pozitiv te i gjithë ekosistemi në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Besoj fuqishëm se me shumë punë, këmbëngulje dhe përgjegjësi mund të arrijmë rezultate me të cilat do të krenohen të gjithë bashkëqytetarët tanë ”, theksoi tashmë ministri Aliu. 

Azir Aliu, është ekspert ndërkombëtar në fushën e teknologjisë së informatikës dhe arsimit, me më shumë se 20 vjet përvojë pune në sektorin privat dhe akademik, duke realizuar mbi 100 projekte të ndryshme në fusha siç janë: transformimi digjital, zhvillimi i startup-eve në  ekosisteme, inteligjenca artificiale dhe mësimi i makinerive.

Në detyrën si ministër vjen nga pozita e profesorit universitar në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë në fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Teknologjisë.

Admirim Aliti - Azir Aliu
Admirim Aliti – Azir Aliu

Në Ministrinë e Drejtësisë nga ana tjetër poashtu u zhvillua dorëzimi i postit të Ministrit të Drejtësisë në mes të ministrit paraprak dhe atij të sapoemëruar, Nikolla Tupançeski dhe Krenar Lloga. Tupançeski i uroi Llogës punë të suksesshme, realizim të një numri të madh projektesh dhe suksese në funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga falënderoi Tupançeskin për kontributin e deritanishëm dhe paralajmëroi reforma në sferën e drejtësisë dhe forcimin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit.

Nikolla Tupançeski dhe Krenar Lloga

Edhe në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë u krye dorëzimi i detyrave të ministrit të Shëndetësisë. Ministri i ri, Fatmir Mexhiti, mori detyrën nga Bekim Sali.

“Jam i nderuar që emërohem ministër i ri i Shëndetësisë. Sot pata një takim produktiv me ish-ministrin dr.Sali, jam i vendosur të vazhdoj punën e rëndësishme për promovimin dhe mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve tanë”, tha ministri Mexhiti.

Fokusi im, siç tha ai, si ministër i Shëndetësisë do të jetë që sistemi “ynë shëndetësor të jetë i aksesueshëm, efikas dhe të plotësojë nevojat e të gjithë qytetarëve. Ne do të punojmë për të promovuar një jetë të shëndetshme dhe për të siguruar burime dhe mbështetje për kujdesin parandalues ​​në mënyrë që të gjithë të kenë mundësinë të bëjnë një jetë më të shëndetshme”.

Fatmir Mexhiti – Bekim Sali

Në një takim me paraardhësin e tij, ministri Mexhiti tregoi se investimi në shëndetin e qytetarëve tanë është thelbësor për ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë dhe mbetet i përkushtuar për të punuar me profesionistët shëndetësorë, palët e interesuara dhe liderët e komunitetit për të arritur qëllimet e përbashkëta.

“Ju falënderoj për besimin dhe mezi pres t’ju shërbej në këtë rol të rëndësishëm”, tha ministri Mexhiti.

Kujtojmë se rikonstrumi i Qeverisë erdhi pas hyrjes së Alenacës për shqiptarët në pushtet. Pas këtij vendimi, nga Qeveria u largua Alternativa dhe Lidhja Demokratike.

Alternativa në Qeveri u fut dhjetorin e vitit 2021 me nënshkrimin e marrëveshjes me kryeministrin e asaj kohe, Zoran Zaev. Hyrja e kësaj partie në Qeveri erdhi pasi nuk u arrit numri për të krijuar shumicë të re parlamentare midis VMRO-DPMNE-së, Aleancës për Shqiptarët, Alternativës, Lëvizjes Besa dhe partisë E Majta.

Partia Aleanca për Shqiptarët edhe zyrtarisht u deklarua më 9 shkurt se do të jetë pjesë e Qeverisë. Hyrja e ASH-së në Qeveri e ngushtoi vendin për Alternativën, BDI-në dhe mandataren LSDM, të cilat duhet t’i lirojnë disa pozita.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button