ANALIZË: Paratë i shpenzojmë tani, e kamatën RMV do ta paguajë për 15 vitet e ardhshme (Infografik)

Shteti u ka borxh më shumë se 2.500.000.000 euro kreditorëve vendas – bankave, kompanive të sigurimit, fondeve të pensioneve, në bazë të kredive që i ka marrë. Borxhi i brendshëm ndaj kreditorëve vendas është rritur ndjeshëm, por në të njëjtën kohë struktura ka ndryshuar në mënyrë dramatike – mbi 76% e borxhit është afatgjatë, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

1.1 miliardë euro ose gati gjysma e borxhit të brendshëm ka afat shlyerjeje 15 vjet!

Të gjitha dokumentet janë gati, pritet vetëm nënshkrimi i ministrit të ri të drejtësisë për të nisur procedurën e përsëritur për emetimin e një euro-obligacionit të ri.  Euro-obligacioni paraprak në vlerën 600 milionë euro dështoi. Nëse qeveria do ta kërkojë sërish këtë shumë do të varet nga kamata që do të duhet ta paguajë. Ndërkohë, kërkimi i parave vazhdoi në terren vendas – gjatë këtij muaji, përmes dy obligacioneve të brendshme, shteti mori 144 milionë euro hua, nga të cilat 130 milionë euro do të duhet të kthehen për dy vjet, ndërsa 14 milionë euro kanë afat shlyerjeje prej 15 vitesh.

Në fund të muajit të parë të këtij viti (23 janar), borxhi i përgjithshëm i Qeverisë ndaj kreditorëve vendas në bazë të letrave me vlerë arrin në vlerën mbi 2,5 miliardë euro.

Analiza e shumës dhe e strukturës së borxhit në baza të ndryshme tregon disa fakte – në pesë vitet e fundit borxhi është rritur ndjeshëm e po ashtu edhe maturimi ka ndryshuar në mënyrë dramatike, ku 76,92% është afatgjatë, ndërsa në 23,08% është borxh afatshkurtër. Nëse para më shumë se pesë viteve dominonin huamarrjet me afat pagese deri në një vit, tani pjesa më e madhe e borxhit bazohet në obligacione me afat pagese 15 vjet, që do të thotë se për paratë që shpenzohen tani do të paguajmë kamatë gjatë një dekade e gjysmë të ardhshme, pas së cilës do të duhet ta kthejmë të gjithë shumën e kredisë.

Konkretisht, mbi bazën e obligacioneve me afat shlyerjeje prej 15 vjet, shteti ka borxh më shumë se 1,1 miliardë euro, që përfaqëson gati 45% të totalit të borxhit të brendshëm. Në vend të dytë renditen bonot e qeverisë me afat 12-mujor në vlerën mbi 577 milionë euro me një pjesëmarrje prej 23% në totalin e borxhit ndaj kreditorëve vendas, kurse në vend të tretë janë obligacionet me afat shlyerje prej 3 vitesh në vlerën prej gati 200 milionë eurosh, e përafërsisht vlerë e njëjtë e borxhit është edhe për obligacionet me afat shlyerjeje prej 10-vitesh.

Kujt dhe sa i ka borxh qeveria…

Vitet e fundit, fondet e pensioneve kanë marrë një rol në rritje si “huadhënëse” të parave për Qeverinë. Në fund të janarit, fondet e pensioneve, nëpërmjet blerjes së letrave me vlerë të qeverisë, shtetit i dhanë kredi prej gati 1m2 miliardë eurosh, që përbën 47% të shumës totale që qeveria ia ka borxh kreditorëve vendas.

Në vend të dytë renditen bankat nga të cilat shteti ka marrë hua 820 milionë euro, që është një pjesëmarrje prej 32,8% në totalin e borxhit, kurse në vend të tretë janë subjektet e tjera tregtare që kanë blerë letra me vlerë të shtetit në vlerë mbi 300 milionë euro. Shteti gjithashtu u ka borxh shuma milionëshe edhe kompanive të sigurimit.

Në janar të këtij viti, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, borxhi në bazë të letrave me vlerë të qeverisë është rritur për 102.000.000 euro. Sipas planit të Qeverisë, këtë vit krahasuar me vitin 2022 duhet të zvogëlohet borxhi i brendshëm, por a do të jetë kështu do të varet edhe nga huamarrja në tregjet e jashtme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button