“MALMED” e miratoi importin e ilaçit për të sëmurët me fibrozë cistike, “Trikafta”

Agjencia për Barna “MALMED” sot ka dhënë miratim për importin e ilaçit “Trikafta” për pacientët me fibrozë cistike, njofton Portalb.mk.

Drejtori i “MALMED”, Lirim Shabani, ka deklaruar se kanë mbaruar të gjitha procedurat për miratimin e importit të ilaçit dhe tani mbetet vetëm të realizohet procedura.

Sipas paralajmërimeve paraprake, bëhet fjalë për import të ilaçit për tetë pacientët në gjendje shëndetësore më kritike, ndërkaq për sigurimin e furnizimit të rregullt për të gjithë pacientët e prekur nga kjo sëmundje e rrallë duhet të bëhen ndryshime ligjore.

Qeveria informoi se tanimë është përgatitur propozim-ligji për ndryshim të rregullave për furnizime publike, me çka mundësohet të bëhen bisedime të drejtpërdrejta mes shtetit dhe kompanisë – prodhues i vetëm i ilaçit “Trikafta”. Propozim-ligji duhet të miratohet nga Kuvendi.

Ndryshe, pacientët e prekur nga fibroza cistike me vite e kërkojnë këtë ilaç, madje kanë bërë disa herë edhe protestë, megjithatë deri tani nuk është furnizuar.

Më 8 shkurt ndërroi jetë pacienti i sëmurë rëndë nga sëmundja e rrallë e fibrozës cistikeBllagojçe Ilievski.

Një ditë më vonë, anëtarët e Asociacionit për Fibrozë Cistike u mblodhën para Qeverisë për të shprehur revoltën e tyre ndaj mosfurnizimit të këtij ilaçi të nevojshëm.

“Është fatkeqësi që në shekullin 21 kemi ilaç për fibrozë cistike, ndërkaq njerëzit vdesin nga kjo sëmundje. Nuk duhej të vdiste Bllagojçe dhe pastaj gjatë natës të gjenden paratë”, tha Ivana Vasilevska nga Asociacioni për Fibrozë Cistike.

Pas protestës, anëtarët e Asociacionit u takuan me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, i cili u garantoi se janë siguruar mjetet dhe se shteti do të sigurojë ilaçin e nevojshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button