Site icon PORTALB

“Alo, stacioni i autobusëve, nuk keni ueb-faqe” – Transporti me autobusë në Maqedoni ka ngecur në shekullin e kaluar

Stacioni i autobusëve Shkup

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në një vend ku nuk ka transport të besueshëm hekurudhor të udhëtarëve, mënyra e vetme ekonomike për të udhëtuar nga një qytet në tjetrin është me autobus. Por në vitin 2023, kur të gjitha informacionet mund t’i gjeni në internet, në Maqedoninë e Veriut biletat e autobusit nuk mund të blihen online, ndërsa pjesa më e madhe e stacioneve të autobusëve në mbarë vendin nuk kanë as ueb-faqe, shkruan Radio Mof, transmeton Portalb.mk.

Në fund të vitit 2013 u promovua ueb-faqja “E-avtobuska”, e cila duhej të shërbente si një platformë ku qytetarët nga e gjithë Maqedonia e Veriut do të mund të rezervonin dhe blinin bileta autobusi përmes kompjuterit ose celularit të tyre, do të mund të gjenin oraret e transportuesve dhe do të pranonin lajme dhe njoftime të ndryshme për qarkullimin e autobusëve. Asokohe, nga Qeveria njoftuan se aplikimi i këtij sistemi elektronik do të jetë i detyrueshëm për transportuesit dhe se nëse stacionet e autobusëve nuk fillojnë me shitjen online të biletave mund të humbasin kategorizimin e tyre.

“Ashtu siç mund të rezervojmë një biletë avioni nëse udhëtojmë për në një destinacion të caktuar, me zbatimin e E-avtobuska përdoruesit i mundësohet që gjatë blerjes së biletës të ketë një pasqyrë grafike të vendeve të disponueshme në autobus dhe të zgjedhë vendin e dëshiruar”, tha atëkohë ish ministri i transportit dhe lidhjeve, Mile Janakieski.

Sot, një dekadë më vonë, përmes kësaj ueb-faqeje jo vetëm që nuk mund të blini një biletë, por faqja e internetit është plotësisht jofunksionale, madje nuk funksionon as adresa elektronike zyrtare.

Kur shënoni çfarë do destinacioni, ueb-faqja ju dërgon informacion se “Nuk ka bileta për udhëtimin e zgjedhur”. Pjesa “planifikuesi i udhëtimit” ndoshta asnjëherë nuk ka funksionuar, sepse kur klikoni në ekran shfaqet mesazhi “moduli është në ndërtim”. Në rubrikën “lajme” ka vetëm tre tekste në të cilat stacionet e autobusëve të Shkupit, Manastirit dhe Shtipit i informojnë qytetarët se nga shkurti i vitit 2014 do të fillojnë shitjen online të biletave të autobusëve.

Foto: Radio Mof

Sipas arkivit në internet „Wayback Machine“, oferta online e biletave ka ekzistuar në periudhën 2014-2017, ndërsa nga fillimi i vitit 2018 mundësia e blerjes së biletave online nuk ekziston më.

Për mosfunksionimin e ueb-faqes tentuam që të parashtrojmë disa pyetje përmes adresës elektronike zyrtare të shënuar në portal (info@e-avtobuska.mk), por pas disa sekondash morëm mail ku thuhej se kjo adresë elektronike nuk është gjetur.

Foto: Radio Mof

“Faqja është në fazën përfundimtare të zhvillimit“

Problem shtesë është që ky opsion vazhdon të jetë i vendosur në një vend të dukshëm në ueb-faqen e stacionit më të madh të autobusëve në Maqedoninë e Veriut, atë në Shkup. Në fillim fare të ueb-faqes sas.com.mk gjendet një buton që ju çon në portalin E-avtobuska, e që në fakt është një qorrsokak dhe mund t’i mashtrojë qytetarët ose turistët se ekziston mundësia për blerjen online të biletave të autobusit.

Nga kompania “Rule Turs” e cila menaxhon me stacionin e autobusëve në Shkup, pyetjeve tona u përgjigjën se platforma është stopuar për shkak të problemeve teknike që janë shfaqur.

“Platforma E-avtobuska.mk është në fazën e përmirësimit përfundimtar dhe konektimit të të dhënave nga të gjitha stacionet e autobusëve, si dhe po kërkohet mënyrë teknike për përmirësimin e informacioneve për udhëtarët që ngjiten në autobus nga stacionet gjatë rrugës. Kjo vlen për transportin mes qyteteve, ku ka shumë stacione gjatë rrugës, që të mund të shmangen biletat e dyfishta – domethënë një person të ketë blerë një e-biletë, ndërsa në autobus në po atë vend të jetë ulur dikush që është ngjitur nga ndonjë stacion gjatë rrugës dhe që nuk është regjistruar në sistem. Këto janë çështje teknike për të cilat po punohet dhe shpresojmë për një zgjidhje të shpejtë. Po hiqen edhe disa mangësi të tjera të vogla teknike rreth kësaj pjese”, deklaruan nga “Rule Turs”.

Koncesioneri i stacionit të autobusëve të Shkupit më tej shton se për shkak të pandemisë dhe ndalesave dhe kufizimeve nuk është punuar për zgjidhjen e këtyre çështjeve teknike sepse transportuesit kanë qenë në gjendje të vështirë ekonomike dhe ka pasur prioritete të tjera. Megjithatë, ata sigurojnë se është në interesin e tyre që kjo platformë të funksionojë dhe që nëpërmjet saj të mund të merret një shërbim cilësor.

Rule Turs” thotë se për momentin po punojnë edhe për një ueb-faqe krejtësisht të re të stacionit të autobusëve të Shkupit, e cila do t’i ketë të gjitha mundësitë – blerje online të biletave, rezervime etj.

Me qenë se bëhet fjalë për një numër të madh të të dhënave që duhen futur në sistem, duhet pak më shumë kohë dhe deri në fillim të sezonit të këtij viti, në maj, e gjithë kjo do të vihet në funksion”, thonë nga “Rule Turs”.

Stacion ka, ueb-faqe jo

Nga rreth 20 stacione të autobusëve që ekzistojnë në Maqedoninë e Veriut, gjatë kërkimit në internet arritëm të gjejmë vetëm pesë ueb-faqe të stacioneve të autobusëve në Shkup, Prilep, Tetovë, Ohër dhe Veles. Dy qytete të tjera, Manastiri dhe Kavadari, kanë ueb-faqe të transportuesve privatë që ofrojnë informacion vetëm për oraret e tyre.

Por edhe krahas këtyre informacioneve në të shumtën e rasteve qytetarët detyrohen të informohen për orarin e nisjes së autobusëve përmes telefonit, ose direkt në stacionet e autobusëve. Kjo gjë krijon rrëmuja dhe vonesa. Ndonjëherë ndodh që askush të mos përgjigjet në telefonin për informacion dhe shpesh ndodh që një numër i madh i qytetarëve të detyrohen që të blejnë bileta nga shoferët kur ngjiten në autobus.

Asnjë stacion autobusi në vend nuk ofron blerje biletash online, nëpërmjet një aplikacioni në celular apo ndonjë shërbim të ngjashëm që do ta lehtësonte transportin e qytetarëve. Përveç kësaj, asnjë stacion autobusi në ueb-faqen e tij nuk ofron informacion në gjuhën shqipe ose në një gjuhë tjetër të përdorur nga komunitetet më të vogla etnike në vend.

Stacioni i autobusëve në Shkup në ueb-faqen e tij ofron një orar të nisjeve mjaft të qartë, por askush nuk mund të jetë plotësisht i sigurt se këto orare janë të azhurnuara dhe të besueshme, sepse në ueb-faqe ka një njoftim se këto të dhëna kanë karakter informativ dhe për informacion më të detajuar qytetarët i drejton përsëri tek numri i telefonit të Stacionit.

Stacioni i Autobusëve në Shkup

Ueb-faqja e Stacionit të autobusëve në Tetovë në fakt funksionon si ueb-faqe e operatorit turistik “Sat-Bus” i cili menaxhon me Stacionin. Në ueb-faqe pothuajse e gjithë përmbajtja është reklamë ose promovim i “Sat-Bus”, ndërsa në rubrikën “Orari i nisjeve” mund të gjeni një listë relativisht të plotë të linjave lokale dhe ndërkombëtare nga qyteti. Ajo që është e çuditshme është se faqja është vetëm në gjuhën maqedonase dhe nuk ka mundësi për të zgjedhur gjuhën shqipe, edhe pse në Komunën e Tetovës më shumë se 70% e popullsisë përbëhet nga shqiptarët.

Stacioni i autobusëve në Tetovë

Në ueb-faqen e Stacionit të autobusëve në Prilep ka një foto të orarit dhe disa foto të tjera, ndërsa rubrika “lajme” është fare e zbrazët. Në ueb-faqe ka edhe një buton në të cilin shkruan “rezervoni një biletë”, i cili çon në një ueb-faqe që nuk ekziston.

Ueb-faqja e cila shfaqet kur kërkoni Stacionin e autobusëve në Ohër është vetëm në gjuhën angleze dhe ka vetëm pak të dhëna për linjat drejt dhe nga Shkupi. Në faqe ka një reklamë për një shërbim privat për blerjen online të biletave të autobusit dhe tre dëshmi me nga 5 yje nga njerëz të cilët në Google kanë postuar për përvojën pozitive gjatë përdorimit të shërbimeve nga Stacioni i autobusëve.

Në fund, nëse vizitoni ueb-faqen e Stacionit të Autobusëve në Veles ajo është tërësisht e fokusuar tek orari i udhëtimeve dhe përveç numrit të telefonit për kontakt dhe e-mailit nuk ka asnjë informacion tjetër shtesë për vizitorët. Orari është i qartë dhe mund të kuptohet shumë lehtë. Ajo që bie në sy, siç është rasti edhe me ueb-faqet e stacioneve të tjerë të autobusëve, është reklama e një agjencie të caktuar udhëtimi, e cila në këtë faqe është vërtet gjigante dhe nuk keni si të mos e vini re.

Nëse e kërkoni ueb-faqen e Stacionit të autobusëve në Manastir, rezultatet ju dërgojnë tek ueb- faqja e kompanisë “Transkop”, ndërsa orari i udhëtimit është i disponueshëm vetëm për autobusët e këtij transportuesi.

Ka disa platforma evropiane dhe rajonale që ofrojnë blerje online të biletave nga Maqedonia e Veriut, siç është “GetByBus”, “FlixBus”, “BusTicket4Me”, por këto faqe ofrojnë bileta online vetëm për udhëtime ndërkombëtare, ndërkohë që oferta për transport me autobusë brenda vendit është shumë e limituar dhe e kufizuar në vetëm tre-katër qytete të mëdha. Mirëpo, përveç ofertës, problemi tjetër është se këto platforma marrin edhe komision për shërbimin e kryer, gjë që e rrit çmimin e biletës nga 30 deri më 60 denarë në një drejtim.

Ekziston edhe një platformë private maqedonase “Bus2Go” e cila gjithashtu ofron edhe një aplikacion për në celular. Kjo ueb-faqe është e fokusuar kryesisht në biletat online për linjat ndërkombëtare, por gjithashtu ka rreth 10 linja nëpër Maqedoninë e Veriut për të cilat mund të blihen bileta online, nga të cilat pothuajse të gjitha nisen ose mbërrijnë në Shkup dhe Ohër.

Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve u deklaruan jokompetent për mosfunksionimin e ueb-faqes E-avtobuska.mk, ndërsa në pyetjet tona për gjoba të mundshme për mosrespektimin e sistemit të blerjes së biletave online na udhëzuan që përgjigje të kërkojmë nga Inspektorati Shtetëror i Transportit.

Nga Ministria nuk dhanë përgjigje konkrete as në pyetjet tona të tjera për modernizimin e transportit ndërqytetar dhe ndërkombëtar me autobusë, si dhe për atë se a ekziston ndonjë mënyrë për t’i detyruar stacionet e autobusëve të kenë ueb-faqe me standarde të caktuara. Nga atje vetëm nga informuan se për momentin janë në proces të hartimit të Ligjit të ri për Komunikacionin Rrugor, pa shumë detaje se çfarë do të ndryshonte ai në situatën aktuale.

“Do të futen shumë risi me qëllim përmirësimin e kushteve për transportin e udhëtarëve në komunikacionin rrugor të brendshëm dhe ndërkombëtar, si dhe për disponueshmëri më të madhe të informacionit publik për qytetarët. Lidhur me këtë, dëshirojmë të përmendim se Ministria e Transportit dhe Lidhjeve zhvilloi dhe promovoi një modul të ri https://etransport.mtc.gov.mk/home përmes të cilit qytetarët mund të kontrollojnë nëse një person i caktuar juridik ka licencë për kryerjen e një lloji të caktuar të transportit të udhëtarëve, si dhe të kontrollojë nëse një autobus ka certifikatë licence për kryerjen e një lloji të caktuar të transportit të udhëtarëve”, thonë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Pyetje dërguam edhe deri tek Inspektoratit Shtetëror i Transportit, por deri në publikimin e tekstit nuk kemi marrë asnjë përgjigje prej tyre.

Si është gjendja në rajon?

Maqedonia e Veriut nuk është e vetmja në rajon me ueb-faqe jofunksionale të stacioneve të autobusëve dhe mungesë të mundësisë për blerje online të biletave për transportin ndërqytetar me autobusë. Gjatë analizës sonë të ueb-faqeve të stacioneve të autobusëve në qytetet kryesore të Ballkanit, konstatuam se blerja elektronike e biletave nuk ofrohet as nga stacionet e autobusëve në Beograd, Tiranë dhe Prishtinë.

Stacioni i autobusëve në Beograd ka të postuar orarin lokal dhe ndërkombëtar të udhëtimeve, por nuk ka opsion për blerje online të biletave, njësoj si edhe Stacioni i autobusëve në Prishtinë. Për Stacionin e autobusëve në Tiranë nuk arritëm të gjejmë një ueb-faqe të veçantë, por informacion mund të gjendjet në ueb-faqen e komunës. Aty është në dispozicion vetëm orari, por nuk ka mundësi për blerje online dhe as informacion për çmimet e linjave.

Stacioni i autobusëve në Prishtinë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ne nuk mundëm të gjenim ueb-faqe për stacionet e autobusëve në Sarajevë dhe Podgoricë dhe gjatë kërkimit shfaqet një numër i madh i rezultateve të ueb-faqeve të operatorëve privat kombëtar dhe rajonal ku është e mundur të blihen online bileta nga këto dy destinacione.

Stacionet e autobusëve në Zagreb, Lubjanë dhe Sofje kanë një mënyrë të lehtë dhe të thjeshtë për të blerë bileta online.

Stacioni në Zagreb ofron blerje online të biletave për më shumë se 7.000 destinacione, ndërsa përmes formës online përdoruesit marrin informacion për çmimin, llojin e biletës, orën e nisjes dhe mbërritjes, transportuesin, si dhe mundësinë e zgjedhjes së një vendi për t’u ulur në autobus. Është e njëjta gjë me Stacionin e autobusëve në Lubjanë i cili ju udhëzon në procesin e blerjes së një bilete në një mënyrë të thjeshtë. Edhe këtu i keni të gjitha informacionet lidhur me transportin dhe transportuesin, por nuk keni mundësi të zgjidhni vendin ku do uleni. Stacioni i autobusëve në Sofje ofron blerje online të biletave dhe në faqen e parë i ka të gjitha informacionet e rëndësishme për planifikimin e udhëtimit. Përveç kësaj, ueb-faqja ofron edhe informacion për linjat e anuluara të autobusëve. Krahas të gjitha linjave në vend, në dispozicion janë vetëm disa linja ndërkombëtare, përfshirë edhe atë drejt Shkupit. Në Greqi nuk mund të gjenim një ueb-faqe për Stacionin e autobusëve në Athinë, por atje terminalet menaxhohen ekskluzivisht nga operatori më i madh privat i autobusëve KTEL, i cili në ueb-faqen e tij ka informacione për oraret e udhëtimit dhe ofron blerje online të biletave për linjat më të ngarkuara ndërqytetare.

Exit mobile version