Një objekt i paidentifikuar u rrëzua mbi Kanada

Një avion luftarak amerikan F-22 rrëzoi një objekt të paidentifikuar mbi Kanada të shtunën, goditja e dytë e tillë në dy ditët e fundit, ndërsa Amerika Veriore duket të jetë në gatishmëri të lartë pas ngjarjes me balonën kineze të spiunazhit që tërhoqi vëmendjen globale, transmeton Zëri i Amerikës (VOA).

Kryeministri kanadez Justin Trudeau njoftoi për goditjen e e objektit në Twitter dhe tha se ndodhi mbi territorin e rajonit të Jukonit në veri të vendit. Ai tha se forcat kanadeze do të mbledhin dhe analizojnë mbetjet e objektit.

Pentagoni tha se Komanda e Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut (NORAD) e diktoi objektin mbi Alaskë të premten në mbrëmje vonë.

Avionë luftarakë amerikanë të Bazës së Përbashkët Elmendorf-Richardson në Alaska, e monitoruan objektin ndërsa hyri në hapësirën ajrore kanadeze, ku avionët kanadezë CF-18 dhe CP-140 iu bashkuan formacionit.

“Një F-22 amerikan rrëzoi objektin në territorin kanadez duke përdorur një raketë AIM 9X pas një koordinimi të ngushtë midis autoriteteve amerikane dhe kanadeze,” tha zëdhënësi i Pentagonit, Brigadier Gjeneral Patrick Ryder përmes një deklarate.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden autorizoi ushtrinë amerikane të bashkëpunojë me Kanadanë për të rrëzuar objektin në lartësi të madhe pas një telefonate mes udhëheqësve Biden dhe Trudeau, tha Pentagoni.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Biden dhe kryeministri Trudeau ranë dakord të vazhdojnë koordinimin e ngushtë për të “mbrojtur hapësirën tonë ajrore”.

“Dy udhëheqësit diskutuan për rëndësinë e rikuperimit të objektit për të mësuar më shumë detaje mbi synimin ose origjinën e tij,” tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

Një ditë më parë, Presidenti Biden urdhëroi një tjetër goditje të një objekti fluturues të paidentifikuar pranë zonës Deadhorse në Alaskë. Edhe të shtunën ushtria amerikane nuk tha nëse kishte më shumë informacion për objektin, ndërsa përpjekjet për gjetjen e tij vazhdonin në akullin e detit të Alaskës.

Pentagoni dha të premten vetëm pak detaje, përfshirë faktin që objekti kishte madhësinë e një makine të vogël, po fluturonte në një lartësi mbi 12 mijë metra dhe dukej se ishte pa pilot.

Më 4 shkurt, një avion luftarak amerikan F-22 rrëzoi në brigjet e Karolinës së Jugut një objekt që qeveria amerikane e tha se ishte një balonë kineze spiunazhi, pasi ajo kishte fluturuar për një javë në hapësirën e Shteteve të Bashkuara dhe disa pjesë të Kanadasë. Qeveria e Kinës ka thënë se bëhej fjalë për një objekt kërkimor civil.

Disa ligjvënës amerikanë kritikuan zotin Bidenin se nuk e rrëzoi më shpejt balonën kineze. Ushtria amerikane kishte sugjeruar që të pritej derisa balona të ishte mbi oqean nga frika e pasojave nga rënia e saj.

Incidenti shkaktoi një krizë diplomatike mes dy ekonomive më të mëdha në botë dhe bëri që Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken të anulonte një vizitë të planifikuar në Pekin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button