Tërmeti në Turqi dhe Siri: Numri i të vdekurve ka arritur në 34 mijë, paralajmërohet se numri mund të dyfishohet (VIDEO)

Numri i të vdekurve nga tërmeti i 6 shkurtit në Turqi dhe Siri ka arritur në 34 mijë. Sipas paralajmërimeve numri i të vdekurve nga tërmeti që goditi pjesë të Turqisë dhe Sirisë mund të dyfishohet nga numri aktual, pasi kanë kaluar një javë nga fatkeqësia dhe bien mundësitë për ata që kanë mbetur gjallë nën rrënoja të mbijetojnë aq gjatë, transmeton Portalb.mk.

OKB-ja ka thënë se të paktën 870,000 njerëz kanë nevojë urgjente për ushqime të ngrohta në të gjithë Turqinë dhe Sirinë, ndërsa vetëm në Siri deri në 5.3 milionë njerëz raportohen të pastrehë. Turqia ka thënë se 80,000 njerëz janë në spital dhe më shumë se 1 milion në strehimore të përkohshme.

Nënpresidenti i Turqisë dje tha se 32.071 ekipe të kërkim-shpëtimit vazhdojnë të punojnë, transmeton Anadolu.

Ai shtoi se në dhjetë provincat e prekura nga tërmetet në juglindje, nga prokuroritë janë krijuar Departamente të Hetimit të Krimeve të Tërmetit, me udhëzim të Ministrisë së Drejtësisë.

Ai vuri në dukje se është përcaktuar përgjegjësia e 131 të dyshuarve në ndërtesa të shembura nga tërmetet, prej të cilëve një është arrestuar dhe urdhra arresti janë lëshuar për 113 të tjerë.

Më herët, Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) tha se 80.278 njerëz janë lënduar nga tërmetet. Më shumë se 233.000 pjesëtarë të ekipeve të kërkimit dhe shpëtimit po punojnë aktualisht në terren. Sipas AFAD, rreth 148.000 njerëz janë evakuuar nga rajonet e goditura nga tërmeti deri më tani.

Në ditën e shtatë të përpjekjeve të shpëtimit, ekipet në terren dëshmuan shpëtime të tjera dje në rrënojat e tërmeteve të fuqishme që goditën Turqinë jugore në fillim të kësaj jave.

Një grua 85-vjeçare u shpëtua gjallë nga rrënojat 152 orë pas tërmeteve shkatërruese. E moshuara me emrin İsmihan u shpëtua nga ekipet e Bashkisë Kocaeli në rrethin Antakya të provincës Hatay, një nga zonat e prekura rëndë nga tërmetet. E mbijetuara u dërgua në spital pas nxjerrjes nga rrënojat.

Një fëmijë 7-vjeçar u shpëtua me lëndime nga rrënojat 152 orë pas tërmeteve të fuqishme. Fëmija me emrin Haci Ahmet është shpëtuar nga ekipet e kërkim-shpëtimit në Adiyaman, një nga zonat e prekura rëndë nga tërmeti.

Koordinatori i ndihmës emergjente të OKB-së, Martin Griffiths tha se numri i të vdekurve nga tërmeti ka të ngjarë të jetë “më shumë se dyfish”, duke shtuar se ai priste dhjetëra mijëra vdekje të tjera. Ai vizitoi provincën turke të Kahramanmaraş të shtunën, duke e përshkruar tërmetin si “ngjarja më e keqe në 100 vjet në këtë rajon”, transmeton The Guardian.

Një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së i ka thënë BBC-së se ishte koha “për të lënë mënjanë të gjithë politikën” për të ofruar ndihma në Siri. Zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, shtoi se ishte “e vështirë të imagjinohej” një emergjencë më komplekse” në Siri.

Tedros Adhanom Ghebreyesus i OBSH-së thuhet se vizitoi Aleppon të shtunën.

Presidenti i Turqisë, Recep Taip Erdogan, ka paralajmëruar se grabitësit do të ndëshkohen pas raportimeve të njerëzve që marrin mallra në zonat e goditura nga tërmeti. Autoritetet turke arrestuan 48 persona për grabitje ose përpjekje për të mashtruar viktimat, njoftoi media shtetërore të shtunën.

Policia turke ka arrestuar 12 vetë për ndërtesat e shembura në provincat juglindore të Gaziantep dhe Shanlıurfa, duke përfshirë kontraktorët e ndërtesave, pas tërmetit të madh që goditi Turqinë, njoftuan mediat lokale të shtunën. Zyrtarët turq lëshuan më shumë se 100 urdhër-arreste në lidhje me ndërtimin e dobët të ndërtesave që u shembën nga tërmetet e së hënës në Turqi. Ndërsa ka të ngjarë të ketë më shumë arrestime, disa kritikë po sugjerojnë se është një përpjekje për të larguar fajin për katastrofën, pasi ekspertët kanë kontestuar

Duke u përballur me pyetjet mbi trajtimin e tërmetit më shkatërrues të Turqisë që nga viti 1939, presidenti Erdogan premtoi të nisë rindërtimin brenda javësh, duke thënë se qindra mijëra ndërtesa u shkatërruan.

I dërguari i Bashkimit Evropian në Siri i kërkoi Damaskut të mos politizojë çështjet e ndihmës humanitare, duke hedhur poshtë akuzat si “të padrejta” se blloku nuk kishte ofruar ndihmë të mjaftueshme për sirianët. “Është absolutisht e padrejtë të akuzohemi për mosdhënie ndihme, kur në fakt ne kemi bërë vazhdimisht pikërisht këtë për më shumë se një dekadë dhe po bëjmë shumë më tepër edhe gjatë krizës së tërmetit,” tha Dan Stoenescu për Reuters.

Një kalim kufitar midis Turqisë dhe Armenisë u hap për herë të parë në 35 vjet të shtunën për të lejuar që ndihma të arrijë tek të prekurit në Turqinë jugore, tha agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu dhe një diplomat.

Kompania turke e energjisë Karadeniz Holding tha të shtunën se do të dërgonte dy anije ndihme humanitare që mund të strehojnë 1500 njerëz secila, për të ndihmuar përpjekjet e ndihmës në provincën jugore të Hatay, Turqi, raportoi Reuters.

Tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6, me qendër në provincën Kahramanmaraş, u ndien të hënën nga 13 milionë njerëz në dhjetë provinca, duke përfshirë provincat Adana, Adıyaman, Diyarbakır, Gaziantep, Hatay, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Shanlıurfa. Tërmetet u ndien në disa vende në rajon, përfshirë Sirinë dhe Libanin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button