Ministria për Arsim dhe Shkencë deri më 17 shkurt do të pranojë dokumente nga studentët që janë të përfshirë në listën fituese për bursa për vitin akademik 2022/23, listë e cila dje është publikuar, transmeton Portalb.mk.
“Studentët të cilët kanë fituar të drejtën e bursës për studentë duhet të shkarkojnë dhe plotësojnë TRE ekzemplarë të Marrëveshjes për bursë përkatëse (të publikuara me rezultatet) dhe t`i dorëzojnë së bashku me kopjen e llogarisë rrjedhëse personale nga data 02.02.2023 deri më 17.02.2023, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës”, njoftoi Ministria.
Dërgesa në adresën “Shën Kirili dhe Metodi” Blv. 54, 1000 Shkup, mund të bëhet edhe përmes postës.
“Kandidatët e refuzuar, do të ketë mundësi të parashtrojnë ankesë deri te Komisioni Shtetëror për Vendimmarrje për Procedurën Administrative dhe Procedurën nga Marrëdhënia e Punbës në Shkallë të Dytë, në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të Aktvendimit nga MASH-i ku do të theksohet arsyeja e refuzimit të aplikimit. Kërkojmë nga kandidatët e refuzuar që të mos dorëzojnë kundërshtime para marrjes së Aktvendimit”, sqarojnë nga Ministria, duke theksuar që aktvendimet janë duke u përgatitur.