Në dy javët që pasuan, Kurti dhe Vuçiç patën diskutime të shumta me EULEX, NATO-n, si dhe ambasadorët e QUINT (grup që përfshin ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara). Megjithëse detajet e këtyre diskutimeve mbetën në hije, ato patën rezultatin e dëshiruar. Vuçiç u takua me serbët e Kosovës dhe të nesërmen, barrikadat filluan të hiqeshin. Megjithatë detajet e paqarta patën edhe rezultate të padëshiruara në Kosovë, ku opozita e akuzoi kryeministrin Albin Kurti se kishte arritur marrëveshje sekrete me Serbinë për të zgjidhur situatën në veri.

Kjo akuzë erdhi nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili gjatë një konference për shtyp, po me datë 29 dhjetor tha:

“Ka negociata të fshehta, kjo është evidente tashmë. Nuk ka ndodh rastësisht që të vendoset për heqjen e barrikadave.” Shumica e mediave shqiptare kryesore e përhapën deklaratën e Krasniqit si fakt, dhe jo si spekulim. “Krasniqi: Kurti, marrëveshje të fshehtë me Vuçiçin për largimin e barrikadave,” shkruan Euronews.

Burim: Euronews

Tituj të ngjashëm u publikuan edhe në media e portale të tjera, “Kurti e Vuçiç kishin marrëveshje të fshehtë për heqjen e barrikadave, thotë Krasniqi,” shkruan Albanian Post. Ndërkohë Gazeta Shqip publikoi artikullin me titullin, “Krasniqi rreth largimit të barrikadave: Kurti kishte marrëveshje të fshehtë me Vuçiqin.”

Gjithashtu, portali news308media.com publikoi një artikull ku pretendohej se Kurti vetë kishte konfirmuar ekzistencën e një marrëveshjeje midis tij dhe Vuçiç.

Burim: news308media.com

Kryeministri Kurti mohon akuzat për një marrëveshje sekrete me Serbinë

Pak ditë pas këtyre deklaratave, Kurti ka mohuar kategorikisht se mund tw ketë një marrëveshje të fshehtë me Serbinë. Për mediat kosovare, ai ka dhënë deklaratën e mëposhtme:

Nuk ka pasur asnjë marrëveshje të fshehtë. Ka pasur takime me KFOR-in, ka pasur takime me EULEX-in dhe ka pasur takime me ambasadorët e Kuintit, veçanërisht me atë të SHBA-së. Meqenëse kemi thënë vazhdimisht se durimi i qytetarëve dhe autoriteteve është duke u mbaruar, ne po i japim edhe pak kohë dhe pak hapësirë ​​KFOR-it, por nuk mund të jetë i pafund. Por gjithashtu, nga takimet që kemi pasur, kemi filluar të vërehet angazhimi i tyre i shtuar për heqjen e atyre barrikadave, ndaj kemi thënë të dielën se është çështje ditësh se kur do të hiqen ato barrikada.”

Sipas Kurtit, e vetmja garanci që i është dhënë Serbisë, është që nuk ka lista arresti për ata serb të Kosovës që protestuan apo morrën pjesë në ngritjen e barrikadave. Edhe ambasadorët e SHBA dhe Mbretërisë së Bashkuar lëshuan një deklaratë të përbashkët mbi marrëveshjet e arritura midis Serbisë dhe Kosovës për heqjen e barrikadave.

“Mirëpresim garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmojnë se nuk ekzistojnë lista të qytetarëve serbë të Kosovës që do të arrestohen apo ndiqen penalisht për protesta/barrikada paqësore. Në të njëjtën kohë, sundimi i ligjit duhet të respektohet dhe çdo formë dhune është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet,” shkruhet në deklaratë.

Përtej një farë mungese transparence për diskutimet midis dy kryetarëve përgjatë javëve të fundit, ideja e një marrëveshjeje sekrete qarkullon që nga vjeshta e 2022, kur filluan të qarkullonin fjalët për një propozim të hartuar nga Franca dhe Gjermania për të ristruktuaruar dialogun mes dy vendeve. Megjithëse Euractiv, një media europiane e bazuar në Bruksel, publikoi një draft të propozimit në nëntor 2022, dihet ende shumë pak për të, dhe sa të gatshme janë Kosova dhe Serbia për ta nënshkruar. Por ekzistenca e tij ka rritur dyshimin dhe spekulimet, duke përfshirë edhe situatën e barrikadave.

Megjithatë, përtej spekulimeve, nuk ka asnjë provë që qeveritë e Kosovës dhe Serbisë të kenë arritur marrëveshje mes tyre.