MASh për kritikat e KE-së dhe skandalet me librat shkollor: Punojmë për cilësi, gabimet do të përmirësohen ose librat do të tërhiqen

Nxënës të kategorive të caktuara në RMV nuk kanë qasje në arsim cilësor, të tjerë nuk kanë libra, ose edhe ata që i kanë janë me gabime skandaloze. Për këto dhe një sërë problemesh tjera, arsimi në Maqedoninë e Veriut u kritikua edhe në raportin e KE-së, ku nënvizua se shpenzimet publike për arsimin dhe trajnimin vazhdojnë të jenë larg mesatares së BE-së. Lidhur me këto kritike, Portalb.mk, pyeti Ministrinë se përse arrijnë vlerësime të tilla për dikasterin që drejton, por siç rëndom ndodh me institucionet, edhe Ministria e Arsimit nuk i komentoi kritikat, por numëroi aktivitetet, duke theksuar se ka punuar dhe vazhdon të punojë për përmirësime në çdo drejtim.

“Një nga prioritetet e MASh-it është ngritja e gjithëpërfshirjes së sistemit arsimor dhe në këtë drejtim në periudhën e kaluar janë realizuar një sërë aktivitetesh, përkatësisht janë futur mundësi të reja. Ligji i ri për arsimin fillor bëri të mundur që shërbimi i asistencës arsimore të jetë falas, gjegjësisht angazhimin e asistentëve edukativë për nxënësit me aftësi të kufizuara është obligim i shtetit, jo barrë e prindërve. Vitin e kaluar u angazhuan 500, ndërsa këtë vit 720 asistentë arsimorë. Me miratimin e Ligjit të ri për arsimin e mesëm, i cili aktualisht është në përgatitje e sipër, kjo mundësi do t’u ofrohet edhe nxënësve të shkollave të mesme me aftësi të kufizuara. Gjithashtu, në vazhdimësi po përmirësohet aksesueshmëria e institucioneve arsimore për nxënësit me aftësi të kufizuara dhe në këtë drejtim këtë vit ka filluar ndërtimi i rampave dhe tualeteve të aksesueshme për nxënësit me aftësi të kufizuara në 118 shkolla fillore, për të cilat është ofruar mbështetje nga Banka botërore”, thuhet në përgjigjen e MASH-it.

Sa i përket teksteve shkollore që janë vërejtur gabime në përmbajtje, nga MASh thonë se janë nisur procedurat e rishikimit, pas së cilës, në varësi të konkluzioneve të komisioneve që shqyrtojnë sugjerimet, do të vendoset nëse do të korrigjohen tekstet ekzistuese apo do të krijohen tekste të reja.

“MASh-i po punon për hartimin e një draft-versioni të ligjit të ri për tekstet shkollore dhe çdo qytetar që ka sugjerim konkret mund të kontribuojë në përmirësimin e procesit të prokurimit, prodhimit dhe miratimit të teksteve shkollore. Është veçanërisht e rëndësishme të theksohet se ligji i ri do të parashikojë më shumë filtra dhe përgjegjësi më të mëdha gjatë shqyrtimit dhe miratimit të përmbajtjes së teksteve shkollore, gjë që do të zvogëlojë gjasat për gabime”, thuhet në përgjigjen e MASh-it.

Kujtojmë se ende është i vlefshëm dhe nuk është tërhequr nga përdorimi libri në të cilin, mes tjerash, shkruan se Maqedonia e Veriut kufizohet në lindje me Shqipërinë, në perëndim me Bullgarinë, ndërkaq pika më e lartë e Tokës është Mot Everest me 29.035 metra lartësi mbidetare. Derisa pritet që anëtarët komisionit të sapoformuar të propozojnë korrigjime të librit ekzistues ose hartim të librit të ri të Historisë dhe Shoqërisë për klasën e pestë, thuajse të gjitha palët e përfshira e hedhin përgjegjësinë te njëri tjetri për përmbajtjet e gabuara.

Rasti me gabimet në librin e Historisë dhe Shoqërisë, tregoi se filtrat për kontrollin e librave (autorë, lektorë, recensent, Komisioni Nacional për Libra) sikur janë kot, pasi që bëhen lëshime të këtilla.

KE-ja kërkoi gjithashtu që fëmijët nga komunitetet rome të rrisin regjistrimin në parashkollore. Të pytur se çfarë dhe si veprohet në këtë drejtim, ministria kompetente, ajo e Punës dhe Politikës Sociale akoma nuk “ka gjetur kohë” t’i përgjigjet pytjes sonë.

Nga Maqedonia e Veriut këtë vit u kërkua që:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button