Site icon PORTALB

Koalicione të reja të sponsorizuara nga SHBA

Selim Ibraimi

Selim Ibraimi

Këshilltarët kryesorë të politikës së jashtme të shteteve të BE-së, ndërmjetësi Miroslav Lajçak dhe zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit Gabriel Escobar, kanë vizituar Kosovën dhe Serbinë për të diskutuar për hapat drejt normalizimit të raporteve në mes dy vendeve bazuar në Propozimin franko-gjerman.

Zyrtarët perëndimorë thanë në Prishtinë se kanë pasur një takim të gjatë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti por të sinqertë. Pas arritjes në Beograd diplomatët u takuan me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

“Sot kisha një bisedë shumë të vështirë, ndoshta më e vështira. Ajo për të cilën ramë dakord është se konflikti i ngrirë nuk është zgjidhja”-tha Vuçiç.

Diplomati Escobar tha se SHBA dhe BE janë të interesuara që marrëveshja të arrihet sa më shpejtë. Të dy zyrtarët e lartë perëndimorë janë përqendruar në Asociacionin Serb në Kosovë e cila sipas Lajçakut është baza e marrëveshjes.

Ndërkohë, për Escobarin marrëveshja është diçka tjetër, ndërsa Asociacioni është diçka tjetër për të cilën qeveria e Kosovës më herët është pajtuar ta zbatojnë.

Tre ditë më parë i dërguari i lartë i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Derek Chollet, tha se beson se në Kosovë duhet të krijohet Bashkësia e Komunave me shumicë serbe, por qartësisht sipas mediave ai i ka theksuar qeverisë së Kosovës se nuk është diçka si entiteti Republika Srpska. Dhe se sipas tij ”SHBA-të nuk do ta pranonin”.

Një qasje të tillë realiste e diplomatit të lartë amerikan është shpresëdhënëse se në Kosovë ka gjasa që serbët të hynë nën juridiksionin e Kosovës, po duhet pranuar se përderisa Serbia do të ketë ndikim mbi serbët lokalë, marrëveshja do të jetë vështirë e realizueshme në terren, pavarësisht vullnetit të jashtëm dhe palës kosovare për një zgjidhje përfundimtare të konfliktit.

Një indikatorë tjetër që vazhdimisht ka qenë shqetësues në analizën tonë disa vjeçare rreth Kosovës dhe rolit të faktorit ndërkombëtar, ka qenë zhvillimi në drejtim të paqartë të diplomacisë amerikane në Ballkan apo thënë shkurt të disa pozicioneve të paqarta amerikane rreth dialogut dhe proceseve në rajon.

Shumë fjalë dhe pak aksione konkrete. Dhe së fundi kur pritej që Escobar do të dukej më diplomat dhe i balancuar, kjo nuk ndodhi, Cholleti e bëri një gjë të papritur nga opinioni në Kosovë dhe më gjerë, duke riformuluar këndvështrimin amerikan më drejtë, ashtu njëjtë si të senatorit amerikan Bob Menendez (D).

Lëvizjet e Escobarit dhe të Lajçakut në mesin e e mediave serbe janë shqetësuese dhe ndryshojnë nga deklaratat kur i japin para mediave në Prishtinë. Ndoshta këtë e bëjnë për publikun serb për të treguar se SHBA dhe BE po ashtu kujdesen për Serbinë dhe serbët. Se a mund të jenë aksione të qëllimshme, të gjitha do të vërtetohen gjatë pranverës kur do të dilet zyrtarisht me propozimin e formimit të Asociacionit serb.

Escobari dhe Lajçaku kanë thënë se ata duhan t’i shohin serbët më afër qeverisë së Kosovës. Deri këtu në rregull, mirëpo deri më tash kjo ka qenë e pamundur përkundër të gjitha benifiteve ndaj serbëve dhe lëshimeve nga qeveria në Prishtinë. Serbët nuk dëshirojnë të jenë pjesë e shtetit të Kosovës. Lëvizjet euro-amerikane për ta bërë Asociacionin duken pak të ndërlikuara, për arsye të refuzimit serb për të jetuar bashkë me shqiptarët dhe përpjekjeve për tu ndarë.

Ky veprim nga Uashingtoni do të ketë efekte të kundërta dhe pasoja domino në rajon. Nuk është vonë që të rishqyrtohen planet dhe ky presion të ulet dhe të shihen gjërat më qartë në Kosovë dhe në Serbi. Vetëm një qasje e përgjegjshme nga të gjitha palët e në veçanti nga Uashingtoni bashkë me palët do të sjellë paqe të qëndrueshme dhe mundësisht përparim ekonomik.

Formimi i koalicioneve të reja në Kosovë për themelimin e një Asociacioni mund të sjellë trazira të brendshme. Beogradi dhe Prishtina në politikat e brendshme do të kalojnë disa teste nëse do të mund të bëhen fqinj të mirë. Faza e qetësimit ndërshtetërorë të shfrytëzohet për më vonë dhe të testohet nëse themelimi i Asociacionit e dëmton apo jo Kosovën. Fillimisht SHBA dhe BE duhet të shtyjnë Beogradin të pranojë gjenocidin e bërë dhe ky do të ishte hap i madh për rajonin dhe raportet  Kosovë –Serbi.

Pikërisht këtu Uashingtoni dhe Brukseli duhet të bëjnë presion ndaj qeverisë në Beograd që të ketë sukses dialogu dhe të arrihet marrëveshja. Ndryshe pajtimi do të jetë larg ose vetëm në letra të nënshkruara nga ndërmjetësit e huaj dhe me forma të organizimit të dhunshëm që mund të sjellin më shumë probleme në Ballkanin Perëndimor.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version